





![]() | Sot | 468 |
![]() | Dje | 729 |
![]() | Këtë javë | 2124 |
![]() | Javën e kaluar | 5604 |
![]() | Këtë muaj | 5406 |
![]() | Muajin e kaluar | 20546 |
![]() | Total | 638483 |
Të kujdeseni për foshnjën tuaj është obligim shqetësues dhe përgjegjës. Por, mos u shqetësoni. Më kryesore është të jeni të qetë dhe t'i ndiqni shenjat që do t'ua japë foshnja juaj, që t'ju tregojë se ka nevojë për ju.
Në qoftë se nuk jeni të sigurt për diçka ose keni ndonjë pyetje rreth kujdesit për fëmijën tuaj, lirisht drejtohuni te pediatri juaj. Asnjë pyetje nuk është e tepërt. Shëndeti dhe mirëqenia e foshnjës tuaj është në vend të parë.
Kur ta thërrisni mjekun?
Patjetër thërriteni pediatrin nëse vëreni temperaturë të lartë mbi 37.6 gradë celsius, e matur nën sqetull (matni disa herë – mund të jetë më shumë i veshur ose temperatura e jashtme të jetë më e lartë), ndryshim në sjellje (qan pa ndërprerë, nuk qetësohet, nuk mund ta zgjoni), nëse nuk pi, nëse urinon pak (normalisht pelenat duhet të jenë të lagura gjatë çdo ndërrimi të pelenave – 6 herë gjatë ditës), nëse vëreni më shumë se 4 jashtëqitje si ujë gjatë 8 orëve, nëse nga sytë tajitet sekret i dendur dhe i verdhë, nëse skuqet dhe nëse ka të ënjtur rreth kërthizës, nëse paraqitet e verdhëza, nëse kollitet, nëse ka ndryshim në ngjyrën e lëkurës ose nëse, thjesht, ju duket se bebja “nuk duket mirë”.
Mësoni t'i kuptoni sinjalet që ua dërgon foshnja juaj
Të gjitha foshnjat kanë shumë mënyra të ndryshme me të cilët ua bëjnë me dije se çfarë u nevojitet. Secila foshnje e ka gjuhën e saj speciale “gjuhën e foshnjave”, e cila dallon nga cilado tjetër. Duke u kujdesur për foshnjën tuaj, ju do të mësoni t'i identifikoni shenjat e saj. Kur foshnja juaj do të luajë ose do të jetë me ju, ato janë shenja që ju thërrasin të afroheni. Kur ka nevojë për pauzë ose pushim, ajo dërgon sinjale me të cilat ju udhëzon se duhet ta lini. Nëse nuk i njihni dhe nuk i kënaqni këto sinjale, më shpesh fëmija reagon me të qarë. Ndiqeni shprehjen e fytyrës dhe sjelljen e fëmijës dhe do t'i kuptoni sinjalet!
Fakte që duhet t'i dini
Duhet të keni disa njohuri të përgjithshme për foshnjat. Foshnjat më mirë shohin fytyra, objekte në largësi prej 20-30 cm. Ata mund ta dallojnë të bardhën nga e zeza dhe fytyrat e njerëzve. Foshnjat duan të dëgjojnë zëra, por më së shumti e duan zërin e nënës, të familjarëve. Ata e kthejnë kokën kah vendi prej nga vjen zëri. Shumica e foshnjave duan që t'i merrni në përqafim, t'i mbani në duar ose t'i mbështetni te qafa. Kështu ndjehen më mirë dhe ndjehen më të sigurt. Gjatë javëve të para të jetës foshnjat në mënyrë refleksive qeshin. Diku nga 3-4 javë, foshnja juaj ju qesh si përgjigje ndaj të folurit tuaj dhe kujdesit tuaj. Foshnjat normalisht i lëvizin duart dhe këmbët, ndonjëherë rrinë të shtrirë qetë ose dridhen.
Cikluse të ditës
Gjatë 24 orëve foshnjat kalojnë nëpër disa cikluse/periudha, të cilat ndërrohen në mes veti: periudha në të cilat flenë e pastaj periudha në të cilat janë të zgjuar.
Gjumi i qetë
Gjatë kësaj periudhe foshnja e juaj rri e shtrirë qetë, megjithatë, kohë pas kohe mund të shqetësohet dhe të dridhet. Mund të jenë prezentë lëvizje të thithjes. Në këtë periudhë është shumë rëndë ta zgjoni, kjo nuk është kohë e mirë ta ushqeni ose t'i drejtoheni.
Gjumi aktiv
Në këtë gjendje mund të vëreni se bën lëvizje me trupin dhe fytyrën, lëvizje të thithjes dhe të të qeshurit, ndërsa kapakët e syve kohë pas kohe përpëliten. Në këtë gjendje foshnja juaj mund të zgjohet lehtë.
Përgjumësia
Në këtë gjendje përgjumësie foshnja juaj është pak e hutuar dhe bën lëvizje të ngadalshme. Mezi i ngre kapët e syve. Kjo është gjendja që i paraprin zgjimit. Pritni që të shihni a do të flejë ende ose do të zgjohet. Që ta zgjoni në këtë periudhë i jepni të shohë diçka, të dëgjojë ose të pijë gji.
Zgjuarsia
Në gjendje të zgjuar foshnja juaj bën lëvizje të ndryshme. Sytë e saj janë të hapur, ndërsa shikimi i kthjellët. Lehtë fokusohet në fytyrë, zë ose lëvizje të objekteve dhe është i përgatitur të jetë me ju. Mundohuni t'i flisni qetë, i jepni të shohë diçka, të dëgjojë, të pijë gji. Çelësi i suksesit është të mos bëhet asgjë me forcë, por gradualisht, hap pas hapi.
Zgjuarsia aktive
Në këtë gjendje, aktiviteti i fëmijës tuaj është më i madh (bën lëvizje të ndryshme, proteston). Kot është të mundoheni t'i jepni gji.
Të qarët
Kur qanë foshnja bën grimasa dhe lëvizje të shumta të trupit. Me të qarët foshnja tregon se e ka mjaft nga ajo që ia bëni dhe se duhet të ndërpritni ose të provoni me diçka tjetër. Prindërit duhet të mësojnë ta kuptojnë të qarën. E qara është gjuha e foshnjës.
E gatshme për lojë
Shenjat që vijojnë tregojnë se foshnja juaj është gati për lojë: ndërpret me lëvizjet, ju ngacmon – sheh fytyrën tuaj, ju afrohet, i kthen sytë kah ju, ju qesh, kërkon ushqim, zvarritet, gugat, kokën e ka të ngritur, fytyra është e qartë. Kur do t'i vëreni këto shenja është koha t'i flisni, ta shëtisni, ta ushqeni ose të luani.
Koha është ta ktheni barkas
Foshnjat duhet të flenë në shpinë. Megjithatë, periudha të shkurta duhet t'i kalojnë të shtrirë në bark. Kjo ndikon mirë për muskujt e qafës dhe e stimulon zvarritjen.
Shenjat që tregojnë se foshnjën duhet ta leni të qetë
E kthen kokën anësh, qan, shpinën e lakon, e zë gjumi, shtyhet anësh, i kthen sytë nga ana tjetër, e mbledh ballin, bën grimasa etj. Duhet të ndërpritni me atë që e keni bërë deri atëherë (pirje gji, luajtje, mbajtje në dorë). Ndonjëherë foshnjën vetë do ta zërë gjumi ose vetëm me një pauzë të vogël.
Shenja që tregojnë se do të pi gji
Kapakët e syve i lëviz shpejt, bën lëvizje të thithjes me gojë dhe gjuhë, i vë duart në gojë, bën lëvizje me trup, lëshon zëra të caktuar. Duhet të keni kujdes në këto shenja, e jo ashpër të lëvizni me orën, që ta ushqeni fëmijën. Mos e zgjoni nga gjumi i thellë që t'i jepni gji, kjo mund të jetë frustruese edhe për foshnjën, edhe për ju.
Si ta qetësoni kur është e shqetësuar?
Kur foshnja juaj është e shqetësuar, mund ta ndihmoni me disa aktivitete, që zakonisht e qetësojnë. Ia tregoni fytyrën tuaj që të sigurohet se jeni aty, e luhatni, vendoseni në krevat, i flisni me zë të qetë, e merrni në duar, i këndoni ose i gugatni, ia ndërroni pelenat që të jenë të thata dhe të ndjehet mirë, përkëdheleni te koka, këmba ose shpina, i ofroni të pijë. Ndonjëherë foshnja do të qetësohet vetë pa asnjëfarë ndihme. Atë e bën ashtu që i thith gishtat ose tërë shuplakën, i afron duart kah goja, e ndërron pozitën e shtrirjes, kërkon të shohë fytyra dhe të dëgjojë zëra.
Njihni zërat e stomakut kur e mundojnë
Shkencëtarët kanë vërtetuar se relacioni juaj me fëmijën ka ndikim mbi trurin e tij, në më shumë mënyra. Mënyra me të cilën ju veproni me fëmijën tuaj në vitet e hershme dhe eksperiencat të cilat ia jepni, kanë ndikim të madh në zhvillimin e tij emocional dhe mësimin. Foshnjat e mbajnë mend mënyrën se si i shihni, shprehjet e fytyrës tuaj, zërin tuaj derisa i gugatni, këndoni, flisni dhe lexoni.
Ata e mbajnë mend ndjenjën si i mbani në duar dhe i luhatni, erërat familjare bile edhe shijen e lëkurës tuaj. Është shumë e rëndësishme prekja: e mbajtura në dorë dhe luhatja e stimulon trurin e foshnjës të lëshojë hormone të rëndësishme, që i mundësojnë të rritet. Çelësi i lidhjes së fortë mes juve të dyve është dashuria juaj. Shprehja e dashurisë tuaj ka ndikim mbi mënyrën në të cilën truri i foshnjës i formon konekcionet. Nëse konekcionet përsëriten në moshën e hershme, ata do të mbeten të përjetshme.
Nëse fëmijës në moshën e hershme rrallë i flitni ose i lexoni, ai më vonë mund të ketë vështirësi në të shprehur. Hulumtimet kanë treguar se lidhshmëria me fëmijën tuaj, i ndihmon më vonë më mirë të ballafaqohet me stresin në jetën e përditshme. Kjo lidhshmëri i aktivizon sistemet biologjike që janë të rëndësishme për adaptim në stres. Fëmijët me lidhshmëri të fortë me prindërit në periudhën e hershme, më vonë, më lehtë adaptohen në stres.