





![]() | Sot | 1 |
![]() | Dje | 469 |
![]() | Këtë javë | 1199 |
![]() | Javën e kaluar | 6004 |
![]() | Këtë muaj | 5408 |
![]() | Muajin e kaluar | 20546 |
![]() | Total | 638485 |
Nezafete Sejdiu, arsimtare e gjuhës angleze, bashkëshorte e Presidentit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiut, në intervistën tonë ekskluzive për numrin festiv të “Kosovares”, flet për jetën private në familjen e Presidentit. Thënë shkurt – flet për jetën pa protokoll në familje...
Para se të bëhej dr. Fatmir Sejdiu President i Kosovës, keni bërë jetë normale, pa protokoll. Tash, prej se zotëri Fatmir Sejdiu është bërë President, bëni jetë tjetër, e cila i nënshtrohet çdo gjëje me protokoll...
- Po, unë kam punuar si arsimtare e gjuhës angleze për gati tri dekada në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Gjithmonë e lidhur me familje dhe gjithmonë e lidhur me nxënësit e mi dhe në vazhdimësi jam e angazhuar në aktivitete humanitare veçanërisht në organizatën “Gratë për gratë”. Ju them realisht se asnjëherë nuk kam humbur asnjë orë mësimi apo ditë pune, me përjashtim të rasteve të rralla, kur për shkaqe objektive mund të ketë ndodhë ndonjë rast, siç i ndodhë çdo njeriu. Dhe, nëse rregullsia në punë është pjesë e një kodi etik, unë do ta quaja edhe këtë si pjesë të protokollit profesional. Por, kjo nuk nënkupton atë që perceptohet si protokoll shtetëror. Kam pasur dhe kam shumë miq. Mbaj kontakte me të gjithë miqtë e familjes, me koleget dhe kolegët e punës, me nxënësit e mi.
A u pengon jeta që çdo gjë bëhet me protokoll?
- Them se është e vështirë ajo, siç ju e cilësoni jetë me protokoll. Nga koha e zgjedhjes së bashkëshortit tim President i Kosovës, pra pak muaj më vonë, pasi kam përcjellë gjeneratën e nxënësve deri në fund të vitit shkollor, e kam ndërprerë punën. T’ju them të drejtën, edhe kështu ne nuk kemi përfillë ndonjë protokoll të veçantë, i cili do të bëhej pengesë në lëvizjet e mia veçanërisht dhe të djemve tanë. Siç thashë, edhe më herët unë mbaj komunikimet me miqtë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raportet tona prej se unë cilësohem si Zonjë e Parë e vendit. Unë personalisht bëj furnizimet për shtëpi, e ngas vetë veturën, shkoj te miqtë dhe të afërmit pa përcjellje dhe sillem e tillë siç kam qenë edhe më parë. Shpeshherë njerëzit që më njohin, kur më shohin në qytet ose në ndonjë ndejë festive, më pyesin: “Ecni pa përcjellje? Pa veturë zyrtare?”. Dhe, pyetje të tjera që lidhen me veprime që do të ishin normale në kuadër të protokollit të shtetit. Ajo që më mungon më së shumti është mosprania e bashkëshortit tim bashkë me mua në përditshmërinë e lëvizjeve të përbashkëta, siç ishte para se të zgjidhej President.
A e lakmoni jetën e lirë, pa protokoll?
- Disa gjëra i shpjegova në pyetjet paraprake. Desha s’desha, megjithatë, kjo jetë tani dallon nga periudha para se të zgjidhej bashkëshorti im President. Sigurisht se do të kisha dëshirën që të gjej kohë edhe më shumë për nxënësit e mi, që më mungojnë më së shumti, për koleget e punës që nuk vijnë shpesh sikur më parë, sepse disi ngushtohen apo edhe jam në njëfarë forme e obliguar që, megjithatë, të bëj selektime sipas peshës të pjesëmarrjes sime në ngjarje të ndryshme.
A shkoni ndonjëherë në vikend dhe ku më shumë?
- Jo. Të gjithë vikendet i kalojmë në shtëpi me bashkëshortin kur është Ai në shtëpi dhe djemtë tanë. Shumë rrallë me djem dhe të fejuarat e tyre mund të dalim në ndonjë drekë ose darkë të përbashkët jashtë shtëpisë.
A kërkon nga ju zoti President ushqim të veçantë?
- Jo. Presidenti nuk ka ndërruar asgjë nga menyja që kemi pasur edhe përpara në familje. Natyrisht se kur kemi ndonjë mysafir të veçantë mund të shtojmë asortimentin e ushqimit. Varësisht edhe prej nga na vjen mysafiri.
Ushqimin a e përgatisni Ju apo keni shërbim për përgatitjen e tij?
- Ushqimin kryesisht e përgatis vetë. Kohët e fundit kam edhe një zonjë në shtëpi që më ndihmon herë pas here.
A ju vijnë mysafirë në shtëpi?
- Shumë. Familja jonë ka traditë të gjatë të mikpritjes. Dhe, pavarësisht nga zhvillimet e vonshme, kur bashkëshorti im është bërë President i Kosovës, ne nuk kemi humbur miqtë tanë. Përkundrazi, kemi edhe shumë miq të tjerë që vijnë edhe si nevojë e kontakteve zyrtare.
A shkoni mysafir me Presidentin dhe pa Presidentin?
- Në tri vitet e mëhershme rrallëherë kam qenë në vizita jashtë shtetit me Presidentin. Në vitin e fundit kam qenë disa herë dhe kjo lidhet me karakterin e vizitave të Presidentit. Pa Presidentin bëj vetëm vizita familjare me djemtë tanë.
A ia hekurosni Ju rrobat Presidentit apo këtë e bënë shërbimi i veçantë në shtëpi?
- Në shtëpi, në disa punë të natyrës përgatitëse, pra edhe në hekurosjen e rrobave, ndihmohem nga një zonjë shumë e kujdesshme.
Gardërobën që e vesh Presidenti në mëngjes është shije e Tij apo ju keni ndikim në të?
- Është shije e përbashkët. Gati gjithmonë konsultohemi se cila gardërobë do të përshtatej për ditën konkrete. Kjo varet edhe prej ngjarjeve që ka Presidenti në agjendën e tij. Po kështu, mund të them se as unë dhe as Presidenti nuk bëjmë ndonjë investim të shtrenjtë në gardërobë. Gardëroba e tij është normale dhe shumë e thjeshtë.
Për fund?
- Meqë jemi në prag të festive të fundvitit do të doja që të gjithë lexuesve tuaj dhe qytetarëve të Kosovës t’u uroj vit të suksesshëm, shëndet dhe fat.