





![]() | Sot | 469 |
![]() | Dje | 729 |
![]() | Këtë javë | 2125 |
![]() | Javën e kaluar | 5604 |
![]() | Këtë muaj | 5407 |
![]() | Muajin e kaluar | 20546 |
![]() | Total | 638484 |
“Meqë nuk e kisha numrin tënd të telefonit, e thirra 988-shin dhe ja se ç’më tha personi i atij shërbimi: “Bëri të fala Halilit, se boll i mençur e azgan burrë është”. Dhe, ky nuk është mendim vetëm i këtij personi. Kam dëgjuar dhe të tjerë se thonë për ty kështu”. Këto fjalë ia them Halilit derisa hymë në lokalin në të cilin e kishim lënë takimin për bisedën, të cilën po e botojmë ashtu siç kemi biseduar.
Për bashkëbiseduesin nuk bëra ndonjë prezantim që ta njohë lexuesi, meqë më mirë atë mund ta njohë edhe nëpërmjet kësaj bisede. Apo mjafton të thuhet vetëm Halil Matoshi...
Sa je i gjatë, sa kilogram i ke?
- Përmasat biologjike kanë rëndësi për sportet marciale, nuk luajnë kurrfarë roli në jetën shoqërore. Unë nuk jam sportist, por e admiroj shpirtin luftarak, artin e betejës, disiplinën e rreptë dhe psikologjinë e fitores të një Muhamed Aliu, një Artur Sena, Zinedin Zidan, Kristiano Ronaldo ose Lionel Mesi…
Sidoqoftë, mund të them se jam 165 cm i gjatë dhe 55 kg i rëndë.
Dhe, s’ ke frikë se mund të rrehesh, për fjalët, shkrimet, mendimin e thënë të drejtpërdrejtë, në fytyrë, në sy?
- Unë i përkas një brezi që është ballafaquar me diktaturën në ish-Jugosllavi, me mizoritë e regjimit fashist të Milosheviqit, edhe atëherë e kemi bërë punën e gazetarit, nuk kemi heshtur… Kurrë s’jam frikësuar dhe kurrë s’jam nënshtruar. Si brez kemi folur e shkruar, kemi qarë e bërtitur, kemi kaluar gjysmën e jetës në demonstrata, orë policore, kemi mbrojtur kauzën e Kosovës, fjalën e lirë dhe kemi ëndërruar lirinë edhe kur ëndrrat ishin të ndaluara. E kam paguar një çmim bukur të lartë, por e di, po ashtu, se shumë shqiptarë të Kosovës kanë paguar shumë çmim më të lartë. Dhe e di, po ashtu, se sërish po të isha në ato rrethana, do të bëja njëjtë, ndoshta ma konsekuent, ma me mençuri. Urrej demagogjinë, retorikën boshe, pozat dhe servilizmin… Nuk ishte veti kjo për brezin tim, prandaj duhet të mësohemi të themi atë që mendojmë hapur, duhet të kemi mendimin tonë të pavarur dhe ta shprehim atë publikisht, duhet të vijmë vetë tek e vërteta, jo përmes imponimeve e paragjykimeve, por përmes kultivimit të së vërtetës, përmes leximit, informimit dhe jetës praktike. Pse të frikësohem? Pse e them mendimin tim, e shpreh bindjen time? Jo, jo, s’vjen në shprehje, nuk shmangem nga të qenit kritik edhe ndaj vetes, shoqërisë, pushtetit. Në amendamentin e Parë, Kushtetuta amerikane garanton katër liritë substanciale qytetare të njeriut: lirinë e besimit, lirinë e fjalës, lirinë ekonomike dhe mbi të gjitha, atë që ish - presidenti Rosvelt e lartëson: lirinë nga frika! Secili amerikan e ka për detyrim patriotik-konstitucional ta kritikojë qeverinë që të mos e lë të gabojë. Nëse ne sot heshtim, do t’u mbesim borxh brezave që vijnë pas nesh: do të na pyesin ku ishim, ç’bëmë? Pse kemi heshtur, pse jemi përshtatur, pse kemi menduar kolektivisht? Më tremb mendësia uniforme, kur të gjithë, si në kor, përsërisim atë që thonë shkollat, mësuesit e historisë së interpretuar ideologjikisht, atë që thonë partitë, ideologjitë, të fuqishmit. Unë mendoj se me gjuhën time krejt të hapur, me kritikën time publike, po e kryej detyrimin tim profesional dhe qytetar. Jam i bindur se po e ndihmoj demokratizimin e shoqërisë dhe emancipimin e politikës dhe pushtetit, duke kërkuar transparencën, përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien, për instalimin e etikës së pushtetit. Asnjë arsye për t’u frikësuar nuk kam, sepse njeriu i frikësuar nuk mund ta thotë atë që mendon, dhe nëse nuk mund ta thotë atë që e mendon ai heq dorë fare ta mendojë atë që s’mund ta thotë…
Prej nga guximi?
- E kam sfiduar veten në të gjitha dimensionet e jetës, artit dhe dijes, e kam mund veten, kam dashtë që gjithnjë tjetri të ketë të drejtë, kam ushtruar durimin derisa kam arritur ta toleroj edhe intolerancën e tjetrit-tjetrës. Ndoshta leximi i veprës së Jean Paul Sartreit, Alber Camusit, Vaclav Havelit, e më në fund Carl Popperit dhe Giorgio Agambenit më kanë ndihmuar ta tejkaloj frikën. Natyrisht, kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz të guximshëm që nga vitet ’80-ta, si Veton Surroi, Blerim Shala e Ibrahim Rugova. Edhe kjo më ka ndihmuar. Frika thotë Moisi është këshilltari më i keq dhe ajo rëndom shpie në dhunë. Ata që nuk kanë vetëbesim dhe bindje vrasin për hesape të fuqisë. Njeriu i guximshëm nuk është kurrë i dhunshëm. Frikacakët vrasin. Të guximshëm më ka bërë dhuna e fashizmit milosheviqian, injoranca dhe padrejtësitë shoqërore të të gjitha regjimeve.
Tha edhe personi i PTK-së, por edhe t’ka dal zëri kaherë se je azgan në skenën publike, dallon dhe je i veçantë sa ke arritur simpati te shumë qytetarë...
- Dija s’ka kufi, i admiroj njerëzit e dijshëm. Unë po vazhdoj të mësoj dhe dija të jep kurajë. Të jesh i drejtë d. m. th., t’i japësh krahun një të munduri, një të rrëzuari përtokë, të mos gjykosh nga zemërimi apo smira, të kesh vullnet me bë shoqërinë më të mirë, të mbjellësh pemë dhe të kesh durim derisa ato të rritën e të bëjnë fryte, ta duash atdheun dhe t’i duash njerëzit edhe kur ta bëjnë ndonjë të paudhë, t’i arsyetosh ata krejt deri atëherë kur tradhtojnë – kështu disi krijohet guximi… Guximi është art, nuk mësohet në shkolla – nuk ka mësues – guximi krijohet.
Fjalori yt në shkrimet tua ka fjalë të cilat s’kuptohen pa e shfletuar fjalorin, ndërsa në të folurit tënd je popullor. Mjaft i qartë dhe i shumë i kuptueshëm…
- Unë i përkas hapësirës kulturore gege, e lexoj dhe e flas gjuhën standarde më mirë, pa modesti, se shumë tipa që luftojnë me shpirt ndër dhëmbë ta thyejnë gjuhën “të flasin me gramatikë” e hiq s’ua do. E flasin me zor, fjalia e tyre është retorikë boshe, nuk ka esencë, fjala s’u ka thelb… Standardi i shqipes (1972) ka intenca totalitarizuese. Por, e dua njësoj kur e lexoj qysh e thotë Naimi apo Lasgushi, ama e dua edhe gegnishten qysh e nxjerr me aq ëmbëlsi Mjeda, Fishta, At Zef Pllumi… Pse përdori fjalë që dikush i lexon për të parën herë është, thjesht, përpjekje për zgjerimin e kufijve të botës sime, sepse bota ime është gjuha ime-jashtë gjuhe s’ekziston asgjë. Pse flas popullorçe, kjo ka të bëjë pak me egon, shpirtin dhe etosin, thjesht mjetet e kësaj gjuhe më duken më praktike për ta shpreh botën time…
Ç’është kjo punë jotja: punove gjatë kohë në “Zëri”, pastaj na befasove me kalimin tënd në të përditshmen “Lajm”. Më vonë në “Expres”, në RTK. Dhe, tash në “Koha ditore”. Çka s’po zë vend, s’po rehatohesh?
- Në Zëri i kam kaluar 20 vjet. Aty e kam lënë rininë. Ishte thjesht tribunë e mendimit politik të viteve ‘80-’90. Pas lirisë së Kosovës nuk ishte më i tillë. Në “lajm” kam shkuar pas një oferte, thjesht, më të dinjitetshme financiare. Dhe, po me “Lajm” nisë të rritet çmimi i gazetarit në treg. Dola kur vërejta se nuk mund të bëjë gazetari të paanshme, të pavarur. Në “Express” ma kanë dhënë një hapësirë të lirë, e shfrytëzova derisa vërejta se po krijoheshin rrethana që duhej të ndërroja kursin. Shkova në “Koha Ditore”, që në të gjitha rrethanat, e edhe sot, e kishte ruajtur dhe vazhdon ta ruaj pavarësinë editoriale. Në “RTK” e kam pasur një projekt – dhjetë emisione nga fusha e kritikës së shoqërisë dhe politikës. Ndërruan shpejt rrethanat atje me ndërhyrjen e Qeverisë dhe emisionin që nga gushti 2009 nuk ma dhanë më.
Halil, sa vjet i bëre në gazetari?
- Zyrtarisht ia kam nisë më 1984 në gazetën e studentëve “Bota e re”, më 1986 kam kaluar në “Zëri i rinisë”, në “Koha Ditore”, në shtator i kam bërë 25 vjet gazetari.
Dhe, çka fitove prej gazetarisë deri sot?
- Të gjitha që i duhen një njeriu që e do jetën modeste. Edhe në kushte jonormale merr çastin më të mirë dhe jetoje jetën! Fitova ngritjen në profesionin që e kam dashur (dhe vazhdoj ta mësoj), fitova miqtë e mi, lexuesit e mi, besimin e publikut, por edhe kritikët e rreptë të mi, fitova artin e komunikimit, ta dëgjoj anën tjetër, t’i jap tjetrit të drejtë, mësova faljen dhe mbi të gjitha t’i dal në mbrojtje interesit të publikut, njeriut të shkelur. Fitova humanizmin dhe refuzimin e të keqes universale.
Kam shtëpinë time, në tokë të babës, fëmijët e mi, miqtë dhe librat e mi, lulet dhe pulat në oborr, siç do të thoshte një poete kosovare. A nuk mjafton kjo për ta dashur jetën?
Vlerësimi yt për gazetarinë në Kosovë dhe gazetarët kosovarë?
- Gazetaria në Kosovë ka nisë të zgjerojë kufijtë nga trysnia që i bëhej Kosovës pas vitit 1981. Pas viteve ’90 ajo braktisi real-socializmin dhe u hap ndaj vlerave perëndimore. U bë zëdhënëse e të drejtës së Kosovës. Pas lufte, ajo fitoi edhe një dimension të ri, u bë më eksploruese dhe hulumtuese. Gazetarët e ri, që unë i inkurajoj gjithnjë, u interesuan për shkolla të mira të gazetarisë, duke ndjekur studime edhe jashtë Kosovës, e duke bërë praktikë në mediet prestigjioze të Perëndimit. Në secilën rrethanë, dhe tek ajo pjesë e medieve që nuk janë partizane, gazetari dhe gazetarët kosovarë janë mbi nivelin e politikës dhe politikanëve… Më e keqja është kur në ndonjë rast kolegët e mi bëhen tifozë partish dhe me rast zgjedhjesh ata mendojnë: I fituam zgjedhjet!? Por, këtë e thonë vetëm ata që kurrë s’e kanë dashur këtë profesion, që u është dukur i rëndë dhe mezi presin të ikin në rolin e zëdhënësve të partive dhe pushtetit.
Në shkrimet, komentet tua, s’përton fare t’i sulmosh pushtetarët...
- Media e lirë, natyrisht, është më e afërt me opozitën. Dhe, në vendin si Kosova, ku opozita nuk e ka luajtur çdo herë rolin e saj në kontrollin ndaj pushtetit, unë (dhe natyrisht jo vetëm unë, por edhe disa nga kolegët e mi) e kam marrë këtë rol dhe kjo i bie si sulm ndaj pushtetit. Por jo, nuk është sulm, të shkruash për vendosjen e gjyqtarit të pavarur, demokracisë liberale, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe atyre civile, për të lirinë e shprehjes dhe të shtypit të lirë, për lirinë e protestës dhe lirinë për jetë të denjë. Me këtë, mund të më hidhërohet ndonjë politikan i padijshëm dhe ndonjë parti jodemokratike, por ata njerëz normalë të politikës e dinë se unë jam në anën e qytetarit, shoqërisë dhe në esencë në anën e shtetit kur ai është i drejtë ndaj shtetasve. Pra, unë jam nga ata “armiqtë kujdestarë” që i fabrikon secili regjim për të sunduar më lehtë mbi qytetarët. Por, unë jam i përkushtuar për shtetin tonë, Kosovën, si kulm mbi krye për të gjithë shtetasit, për afirmimin e pavarësisë së saj në OKB, për absorbimin e vlerave të përbashkëta evro-perëndimore, për standardet që i parasheh BE-ja dhe NATO-ja, për krijimin e mirëqenies ekonomike dhe për ta bërë Kosovën pasqyrë të demokracive të zhvilluara, sepse s’e duroj dot analogjinë, ose krahasimin me Ruandën ose Somalinë. Pse jo me SHBA-të ose Zvicrën e Austrinë?
A bën me pak fjalë: ç’kryetar të shtetit, ç’kryeministër, ç’ministra dhe ç’popull kemi?
- Kryetari i shtetit do të duhej të ishte një figurë unifikuese kombëtare, që ruan kohezionin kombëtar dhe shtetëror, edhe kur atë e cenojnë partitë, qeveritë ose grupet e interesit. Këtë kryetari Fatmir Sejdiu nuk arriti ta bëjë, sepse mbeti peng i partisë së tij, partinë e mbajti peng të vetes, ndërkaq mori një pozicion vasaliteti ndaj fuqisë së kryeministrit Thaçi. Me një fjalë, nuk na mbrojti nga ndërhyrjet e partisë në shtet, në jetët tona, në lirinë e shprehjes dhe shtypit, nuk e qortoi asnjëherë Qeverinë edhe kur këtë e bëri Komisioni Evropian, e të mos flas për shumë organizata tjera qeveritare dhe joqeveritare botërore. Kryeministri e mendoi veten si njeriun kyç, që nga lufta dhe Rambuje, që nga bisedimet e Vjenës dhe Pakoja, që nga pavarësia dhe Kushtetuta. Me gjithë rolin e tij të moderuar dhe gjërat e mira që ka bërë për vendin, ai grumbulloi fuqi të madhe rreth vetes (pushtet, njerëz e para) dhe nuk e menaxhoi gjithherë më së miri fuqinë e tij, sa që nisi të paraqes rrezik për demokracinë. Por, duket se edhe shoqëria, elitat politike ka nisë të lëvizë. Zgjedhjet e fundit janë dëshmi për këtë. Populli (shoqëria kosovare) e ka një kandar të vetin, çuditërisht kur elitat mendojnë se është i ndryshkur, ai mat perfekt!
Po partitë tona politike çfarë janë?
- Partitë, në të shumtën, janë strehë e horrave, siç është edhe nacionalizmi si retorikë. Aty janë bashkuar dhe rrinë bashkë, atdhetarë të devotshëm dhe spiunë, demokratë dhe totalitarë, socialistë dhe fashistë, demagogë dhe oratorë, për hir të pushtetit personal. Në partitë kosovare nuk ka demokraci të brendshme, asnjëra nuk ka ndonjë program të denjë për zhvillimin e vendit dhe, mbi të gjitha, janë peng të meritokracive të paqes së viteve të ‘90-ta dhe luftës së ‘98-99-ës. Politika kosovare nuk ka krijuar teknokraci dhe shtresë të mesme që e mbajnë shtetin, nuk është hapur ndaj politikave të reja që i kërkon shekulli XXI. Vazhdojnë të jenë ndërmarrje biznesore-tregtare, ku tregtohen spiunllëqe dhe tenderë me paratë e qytetarëve (taksapaguesve) ku tregtohet me ikona të Kosovës, si Rugova e Adem Jashari, ku tregtohet me patriotizëm romantik dhe kush kë po e denoncon më rrast. U ka ikur koha, thjesht. Nuk i dalin zot idesë së krijimit të një trupi të shëndoshë politik për shtetin e Kosovës, si shtet i kontraktuar nga SHBA-të dhe BE-ja, si vetëvendosje zhdëmtuese për shqiptarët e Kosovës, që si shumicë duhet ta fitojnë vullnetin e komuniteteve tjera për ta krijuar dhe mbajtur shtetin dhe për të bashkëndie me kombin e shtetin.
Para pak ditësh, në një emision televiziv, ku debatohej mbi zhvillimet e fundit të koalicionit qeveritar, diskutimi yt, fjalët tua dalloheshin me dozë nervoze nga kolegët tjerë analistë që ishin të pranishëm…
- Janë një dorë njerëzish, sado të ditur dhe të çmuar edhe nga unë, që për ta gota gjithnjë është gjysmë e mbushur e kurrë gjysmë e zbrazur, nuk i përdorin fjalët e drejta sipas etimologjisë, por sipas interesave të ditës, kalkulojnë shumë dhe duan të mbesin OK me të gjithë. Unë nuk mund të flas pa asnjë ndjesi, pa emocione, sepse nuk po flas me të vdekurit te varret, por po u flas njerëzve të gjallë, me përkushtimin dhe respektin ma të madh, andaj kjo edhe mund të perceptohet si nervozizëm. Fundja, injoranca si fuqi, padrejtësia, padija edhe më bëjnë nervoz…
Megjithatë, ç’mendon ti për atë “lojë me popullin”, “aventurë interesante” e “ puç institucional” nga ana e PDK-së?
- E kam thënë dhe e përsëris: Kosovës i duhet një klasë politike e hapur për nga mendësia e jo e mbytur nga uniformizmi dhe konformizmi, unë frikësohem nga mendimi kolektiv. Më trishton, sepse kjo mendësi ndërton përmes gjuhës totalitare edhe regjime totalitare. Shteti nuk guxon të mbahet peng nga njerëz të fuqishëm grupesh, fisesh e partish. Shtetin nuk mund ta mbajnë peng as koalicionet, qeveritë vijnë e shkojnë (madje edhe në burg!), rrëzohen në Kuvend me mosbesim, por edhe në zgjedhjet të lira, me vota, por shteti mbetët i pacenuar, sepse e mbrojnë shtetasit, administrata shtetërore, gjyqtari i pavarur, ushtari dhe polici i pa politizuar, gazetari i paanshëm, qytetari i ndërgjegjshëm…
Populli ynë, i Kosovës, vuajti shumë gjatë okupimit e regjimit serb. Vuajtja e tij po vazhdon edhe në liri… “këtu s’ka perspektivë”- thonë shumë qytetarë, madje edhe ata të cilët i gjeti vdekja në lumin Tisa... Çka duhet bërë që të shihet një dritë e perspektivës dhe t’i futet besimi popullit se në Kosovë mund të jetohet mirë? Së, pari, vendosja e pushtetit të gjyqësisë të pavarur, së dyti reformimi i shkollës kosovare, së treti demokratizimi i partive politike dhe krijimi i një trupi të shëndoshë politik; së katërti instalimi i transparencës (publiku ka të drejtë të dijë çdo gjë), rritja e përgjegjësisë (llogaridhënies) dhe rivendosja e etikës së pushtetit, që do të mundësonin luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërgjegjësimin e pushtetit për të mos ndërhyrë në gjyqësor dhe media, për të mos e prekur administratën publike, ushtrinë dhe policinë, kjo do të ndikonte që të përmbushen standardet e BE-së, liberalizimin dhe heqjen e vizave për kosovarët si dhe anëtarësimin në BE e NATO, pra edhe investimet e huaja dhe rikthimin e lirisë ekonomike për kosovarët.
Sa herë Kosova është gjendur para një momenti vendimtar për ndonjë çështje, Shqipëria është trazuar. Më 1 dhjetor të këtij viti, fillon seanca për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare, në Hagë. Sa do të ndikojnë atje zhvillimet e fundit që ndodhën në Kosovë, por dhe ato në Shqipëri?
- Bartja në Kosovë, në mënyrë jo kritike e modelit shqiptar të luftës pa skrupull për pushtet që është etabluar ndoshta që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 e këtej, kur rënia e një partie apo koalicioni e cenon direkt edhe shtetin dhe administratën shtetërore, është sindroma që secili kosovar duhet t’i trembet. Krijimi i binomeve (të fuqishëm dhe mbi shtetin) se Nano-Berisha dhe tash Berisha-Rama, që në Kosovë ka konotacionin Rugova-Thaçi ose Thaçi-Haradinaj, po ashtu, është rrezik për demokracinë dhe vetë shtetin. Kosovës i duhet klasë politike e urtë dhe konkurruese me vendet e zhvilluara demokratike, jo modele të Zani Çaushit dhe koalicione Gunses&Rose. Kosova nuk ka nevojë për heronj në politikë, por për menaxherë politikë që ruajnë kohezionin kombëtar dhe social, krijojnë siguri e nuk shpenzojnë dhe mirëqenie për qytetarët dhe e afirmojnë shtetin e Kosovës në botë. Natyrisht që qeverisja e keqe ndikon në përfshirjen e Kosovës në proceset integruese euroatlantike dhe në afirmimin e pavarësisë së saj në OKB, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një trup juridik këshilldhënës që merret ekskluzivisht me argumentimin e asaj se patën ose jo të drejtë institucionet kosovare ta shpallin pavarësinë dhe mendoj do të jetë një mendim dykuptimësh, që megjithatë i shkon përshtati Kosovës, kur e kemi para sysh se Kosovën e kanë njohur shtetet më të fuqishme të botës (që luftojnë për një mendim pro Kosovës, sepse është edhe projekt i tyre) dhe demokracitë tjera të zhvilluara.
T’ikim pak nga politika. Ti je edhe krijues. Ke libra të botuar me poezi, publicistikë, prozë. Vazhdon të krijosh ende apo ta ka marrë kohën politika dhe polemikat që i zhvillon?
- Tash për tash jam duke shkruar një libër teorik, për projektin kombëtar shqiptar dhe kontekstin kosovar, identitetin dhe shtetin si krijues të kombit.
Por, herë pas herë shkruaj edhe ndonjë poezi…
A je anëtar i ndonjë partie?
- Jo. Unë nuk isha as anëtar i ORA-s, listës së të cilës iu bashkova në zgjedhjet e vitit 2007, për hir të një opsioni qytetar që e prezantonte lideri i saj Veton Surroi. I humbëm zgjedhjet, uruam fituesit pa menduar se do të bëheshin shumë nga ta armiq të demokracisë dhe krejt natyrshëm, unë iu ktheva profesionit tim prej gazetari.
A ke ambicie për lider?
- Lider i ndonjë kauze të drejtë shoqërore, pse jo. Lider grupesh a sektesh e ideologjish të mëdha kurrë. Lider për ta shti pushtetin në dorë e për të abuzuar me të për interesa personale kurrë. Nuk e dua fuqinë e zhveshur fizike dhe atë të parasë, por fuqinë e mendjes. Unë ëndërroj dhe mendoj. Ëndërroj një shtëpi skaj lumi me librat dhe miqtë e mi në një Kosovë joshëse për të gjithë, një demokraci të realizuar dhe një ekonomi të mirëqenë.
Ç’jetë bën Halil Matoshi?
- Profesioni më merr shumë kohë, por kur mbaroj punën në gazetë, lexoj. Lexoj gjithkund ku jam, por jo gjithçka. Jam seleksionues rigoroz librash. Jetoj në Hajvali, në tokë të babës, në një shtëpi të pakryer, por të bukur, të ideuar vetë, përjashta më epike dhe brenda më lirike, prej 120 metrash katrore dhe një oborr ku mbjell për çdo vjet ndonjë pemë a dru dhe i vëzhgoj teksa rriten…
A të kujtohen ditët e kaluara në burgjet e Serbisë?
- Po, por tërë jetën do ta kaloj duke ikur nga ajo fotografi. Nëse është fjala për hebrenjtë në Auschwitz apo për gruan boshnjake në Omarska, siç thotë filozofi italian Giorgio Agamben, ata nuk kanë përfunduar në konclogor si zgjedhje politike, porse për diçka që u është shumë më private dhe më e pathënë: për shkak të gjakut të tyre, për shkak të trupit të tyre biologjik. Kështu ndodhi edhe me ne shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së fundit. E kam përvetësuar idenë që e shpreh Agamben se të mbijetuarit, të cilët ishin kthyer – e që kthehen – nga kampi nuk mund të rrëfejnë asgjë, dhe që tregimi i tyre të jetë sa më autentik, aq më pak synojnë të thonë atë që e kanë përjetuar. Dhe, do ta shpjegoj me fjalët e tij (Agambenit). Thua se edhe vetë ata (viktimat), para se të tjerët, i ka rrëmbyer dyshimi në vërtetësinë e asaj që u ka ndodhur – për këtë ata jo rastësisht, ndonjë nga ankthet e tyre e kanë ndërruar me ngjarjet reale. Ata e kanë ditur – dhe e dinë – se në Auschwitz ose në Omarska (e në rastin tim në Zabela të Pozharevacit) nuk janë bërë “më të guximshëm, më të thellë, më të mirë, të dhënë pas njerëzores dhe njeriut”, është e kundërta, kanë dalë të zhveshur, të zbrazët, të dezorientuar. Dhe, për këtë atyre nuk u është mundësuar që të flasin. Pra, është privatësi ajo që më ka ndodhur mua dhe mijëra shqiptarëve tjerë të Kosovës.
Dhe, ç’i thua vetes në atë moment?
- Që të mos përsëritët kurrë ajo që na ka ndodhur duhet të krijohet një shtet aq modern dhe paqësor sa që nuk do ta sulmonte kurrë askush, një shtet që s’është pengesë për prosperimin e kombeve tjerë, ndërkaq që prosperon pandalshëm vetë.
Virtytet tua?
- I paluhatshëm në mbrojtje të së vërtetës, jokonformist, zemërgjerë, sepse fali shumë, por nuk harroj kurrë. Pak teatral dhe me shpirt më të butë prej poeti.
A ke veturë?
- Jo. Jo që s’më duhet, por s’kam as patentë shofer dhe as aq para që ta mbajë. Udhëtoj përditë me autobus, jo nga modestia, por nga domosdoshmëria.
Je njeri familjar. Ku jeton, sa fëmijë ke? Ç’profesion kanë ata?
- Jetoj me gruan dhe tre fëmijët e mi në Hajvali. Gruaja nuk punon, merret më shumë se sa unë më fëmijët, sidomos me Blendin, andaj e admiroj për durimin. Artiana, vajza e madhe, është në shkollë të mesme, klasa e dhjetë, Armati në klasën e shtatë dhe Blendi në klasën e dytë. Jam i kënaqur me ta, janë fëmijë të mrekullueshëm, si gjithë fëmijët e tjerë të botës dhe mësojnë mirë në shkollë.
Ç’këshilla u jep atyre?
- E njoh mizorinë dhe cinizmin, i kam përjetuar në lëkurën time, e njoh përbuzjen, varfërinë dhe pafuqinë, prandaj dua ta bart te ta humanizmin, por jotolerimin e së keqes. Përpiqem t’u flas më shumë për mëshirën dhe drejtësinë sesa për mësimet tjera…
Tashmë e ke një moshë, aq më shumë një përvojë të jetës, me të mirat e të këqijat që i sjell ajo. Ç’thënie, ç’aforizëm ke për jetën që ta ka mësuar jeta?
- “Unë jam astronaut i boksit. Joe Louis dhe Dempsey ishin vetëm pilotë. Unë jam në një botë krejt timen. Jam më i madhi, thashë se madje edhe më parë e dija këtë… E urreja çdo minutë trainimi, por thosha: Mos ik. Vuaj tani dhe jetoje pjesën tjetër të jetës sate si kampion...”. Dhe, paramendonie, këtë e ka thënë kampioni i botës në boks, në kategorinë e rëndë, Muhamed Ali.