Edhe e desha edhe e tradhtova

Edhe e desha edhe e tradhtova
Edhe e desha edhe e tradhtova
Edhe e desha edhe e tradhtova

Edhe një ditë e re, por unë as që e vërej, ngase ditët për mua më s’kanë kuptim për t’u gëzuar. Sot, përkundër të gjithave, e ndjej zbrazëtinë thellë brenda vetes, e që s’mund t’ma plotësoj askush me asgjë. Sot ndihem pa forcë, e paaftë për të dashuruar, e pashpresë për të vazhduar jetën tutje, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, P., nga Prishtina.

Isha 17 vjeçe kur u takova për të parën herë me Gazin. Ishin ditët e një dimri të acaruar, por që unë s’i vërejta. Shkoja shpesh të dajat, sepse atje krijova shoqëri shumë të mirë me fqinjën e dajave. Shkoja shpesh te dajallarët, sepse në shtëpi jetonim me axhallarët në kushte shumë të rënda jetese. Të vetmit që punonin në shtëpi ishte një axhë imi dhe djali i tij. Të tjerët, që të gjithë, ishin të papunë. Nganjëherë detyroheshim që javë të tëra të kalonim tek dajat, sepse s’kishim ushqim të mjaftueshëm në shtëpi, kure te ta jeta ishte më e mirë. Kishin firmë private dhe punonin edhe në punë shteti dhe na ndihmonin shumë.

I kam dy vëllezër dhe një motër dhe isha fëmija më i vogël në familje. E pata edhe një vëlla tjetër, e i cili vdiq aksidentalisht në moshën 22 vjeçe. Ditën kur vdiq ai, bashkë me të në veturë ishte edhe babai im, i cili prej asaj dite mbeti i palëvizshëm. Kjo ishte goditja e parë që përjetoi familja jonë.

 Dashuri në shikim të parë

Ishte ditë vikendi. Erdhi daja për t’na vizituar. U ktheva bashkë me të te ta. I pari hap që bëja sa herë që shkoja te dajallarët ishte takimi me Norën, shoqen time, e cila ishte fqinje me dajallarët e mi. Kisha krijuar shoqëri shumë të mirë e të shëndoshë me të.

Atë natë shkova drejt te Nora. Aty takova për të parën herë Gazin, e që ishte tezaku i Norës. Ishte zeshkan, i gjatë, sygjelbër dhe mbante veshur një xhemper blu. Ishte tejet i bukur. U ula përballë tij, por duke mos guxuar ta shikoja në sy, e shikoja nganjëherë vjedhurazi. E vërejta se edhe ai më shikonte vazhdimisht. Filluam të diskutonim për tema të ndryshme. Ishte shumë i pjekur dhe i matur në fjalët që fliste, përkundër meje që isha shumë e re dhe se nuk isha e informuar. Ai kishte vendosur ta kalonte natën tek Nora, pasi që ajo atë natë ishte vetëm. M’u lut shumë që edhe unë të rrija atë natë aty. Edhe unë kisha dëshirë të rrija, sidomos tanimë që kisha arsye, sepse u njoha me Gazin. E pyeta dajën dhe ai më lejoi që të flija te Nora. Daja nuk ishte në dijeni se aty ishte edhe Gazi. Atë natë nuk bëmë gjumë fare, përveç Norës, e cila nuk mundi t’i rezistojë dot gjumit. Ndihesha në siklet, sepse mbetëm vetëm unë dhe Gazi. Ai ishte djalë shumë i sjellshëm. Atë natë më tha se më kishte parë shumë herë kur vija te dajallarët, por, që asnjëherë nuk ka pasur rastin t’më takoj. Më tha se gjithherë kishte ëndërruar  t’më takonte dhe për këtë, madje, i kishte treguar edhe Norës, por ajo s’më kishte treguar nga frika se mos e humbiste shoqërinë që kishim krijuar.

Më tregoi gjithçka për veten. Për çudi, kishte një histori shumë të ngjashme me timen. Babai i kishte vdekur heroikisht në luftë. Jetonte me nënë, me një vëlla e një motër. Askush nuk punonte nga familja e tij, përveç tij. Ai punonte në një kafiteri si kamerier dhe studionte juridikun. Ishte student i shkëlqyeshëm. Më këshillonte vazhdimisht të mësoja e të sillesha mirë, sepse në krahasim me të unë isha ende e re. Gazi kishte 23 vjet. Atë natë, derisa po bisedonim, ndodhi edhe ajo që kurrë s’e kisha paramenduar: mora puthjen e parë prej tij. Dhe, brenda një nate ndodhi gjithçka. Ishte takimi i parë me Gazin, por edhe fillimi i lidhjes sonë. Andaj, edhe isha e lumtur, sepse menjëherë kisha filluar të ndjeja për të diçka të veçantë, pra një ndjenjë që më riktheu në jetë çdo pjesë të humbur e të tretur. Por, ajo që më frikësonte ishte mendimi i Gazit në raport me mua. Unë i besoja çdo fjale të tij, sepse tregohej shumë i sinqertë me mua.

Të nesërmen i treguam Norës. Ajo nuk besonte derisa edhe u puthëm para saj. U befasua. Por, në anën tjetër, ishte shumë e lumtur që na shihte bashkë. Nora ishte personi i vetëm që më përkrahu, më ndihmoi dhe më dha mbështetje të vazhdueshme. Atë ditë Gazi u kthye në shtëpi e unë u ktheva te dajallarët. Pas disa orësh e pashë nga dritarja Norën teksa vinte me vrap në drejtim të shtëpisë ku isha unë. Kur erdhi më tha se Gazi ishte në spital.

 Therja me thikë e Gazit

Rrugës për në shtëpi ishte ndalur nga persona të panjohshëm, të cilët, më vonë, dolën se kishin qenë shokë të vëllait të Gazit, i cili prej tyre kishte marrë para hua dhe nuk ua kishte kthyer. Gazit ia kishin kërkuar paratë, por ai s’kishte pasur t’ua jepte. Ata, pastaj, në shenjë hakmarrje, e kishin ther me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Me të dëgjuar nga Nora këto fjalë, u nisa me vrap për në spital. Por, nuk më lejuan të hyja në sallën ku operohej Gazi dhe me Norën mbetëm në korridorin e gjatë të spitalit duke pritur ndonjë lajm. Lutesha në çdo moment për të. Pas disa orësh erdhën edhe familja e Gazit. Ata s’më njihnin, edhe pse unë qaja pareshtur, sepse s’mund ta përballoja dot dhimbjen që kisha. Nora u tregoi se kush isha.

Atë natë e gënjeva dajën se po rrija prapë te Nora, se ishte vetëm, kurse realisht unë e kalova natën në korridorin e spitalit, duke pritur ndonjë lajm për Gazin. Në fund, më lejuan të hyja brenda e ta shihja. Ishte symbyllur. Iu afrova dhe i ledhatova lehtë fytyrën prej engjëlli. I vetmi reagim që bëri derisa qëndrova aty ishte lëvizja e duarve, ku edhe ma shtrëngoi dorën time.

Kështu, çdo ditë e vizitoja në spital pas përfundimit të mësimit. Nganjëherë bëhesha se po shkoja në shkollë e shkoja drejt e në spital. Ishin këto ditët e netët më të mundimshme që përjetova. Pas një jave Gazi filloi të përmirësohej. Unë tanimë mund të rrija e të flisja me të, sepse ishte jashtë rrezikut për jetë.

Dhe, pas një jave ai u gjend në shtëpi, kurse pas dy javësh filloi punën përsëri në lokalin e tij, në Dardani. Pas përfundimit të orarit të punës dilnim çdo herë në shëtitje dhe shumëkush na e kishte lakmi. Edhe pse nuk kishte fitim të madh si kamerier, me atë pagë që merrte e mbante familjen, megjithatë thuajse çdo ditë më blinte dhurata, të cilat edhe i ruaja si sytë e ballit. Por, ajo që më gëzonte më së shumti ishin ambiciet e tij për të ardhmen. Thoshte se do bëhej avokat i zoti dhe me këtë do të krijonte një të ardhme më të mirë për familjen, për mua dhe fëmijët që do t’i kishim.

Shumë herë, natën, derisa bëhesha gati për gjumë, vinte te dritarja e dhomës sime, e që ishte kah rruga, dhe më jepte puthje. Përkundër kënaqësisë, frikësohesha mos e shihte kush, edhe pse një ditë motra më pa derisa bisedoja me të.

Dhe, shkuarjen time te dajallarët tashmë e zëvendësoja me daljet jashtë Prishtinës me Gazin tim të dashur, i cili, para se te hynte në lidhje me mua, kishte pasur një histori të dhimbshme me një vajzë, e që e kishte tradhtuar me tjetrin. Kishin qenë bashkë dy vjet. Ajo në të njëjtën kohë kishte qenë në lidhje edhe me një tjetër dhe me të ishte fejuar. Gazi ishte i thyer shpirtërisht dhe të vetmen gjë që kërkonte nga unë ishte të mos e tradhtoja dhe pas përfundimit të maturës sime të fejoheshim. Kjo, kuptohet, ishte edhe ëndërr imja, por frikësohesha t’u tregoja në shtëpi.

 Si më mashtruan?

Një javë para se ta përfundoja mësimin në shkollë të mesme, shoqet e mia të klasës kishin vendosur të shkonin në një lokal në periferi të Prishtinës. M’u luten të shkoja me to, por e dija se Gazi do të hidhërohej, sepse me priste çdo ditë të dilnim bashkë. Sidoqoftë, vendosa të shkoja me shoqe. Në atë restorant luksoz kishte shumë njerëz të pasur, e që unë disa prej tyre edhe i njihja, por të moshuar. Pas nja 10 minutash të qëndrimit tonë atje, në tavolinën tonë erdhën dy burra të moshuar dhe u ulën, thuajse pa na pyetur fare. Shoqet e mia i njihnin. Flisnin e qeshnin me ta. Unë u bëra pishman që shkova aty, sepse ia kisha dhënë fjalën Gazit që nuk do dilja askund pa i treguar. Njëri nga ta m’u ulë afër. Filloi të fliste me mua dhe më pyeste për familjen time. Shoqet e mia një nga një largoheshin: njëra në tualet, tjetra për të marrë ajër të pastër jashtë, e treta doli me një të moshuar për dore... Dhe, ato nuk ktheheshin më, edhe pse jashtë u errësua. Kur pash se asnjëra prej tyre më nuk kthehej, i dhashë të ngrihem. Ai më tha se do më shpinte në shtëpi me veturën e tij, sepse jashtë tashmë ishte natë.

Dhe, s’kisha zgjidhje tjetër. Rrugës më tha se ishe i martuar dhe se kishte fëmijë, por ishte biznesmen i fuqishëm. Derisa po dilja nga vetura më kapu për krahu dhe ma lëshoi  në dorë një shumë të hollash. Ishin vërtet shumë e madhe parash, me të cilat mund ta ndihmoja edhe familjen...

Atë natë nuk e takova Gazin e as që erdhi te dritarja ime, siç bënte zakonisht. Të nesërmen e takova dhe i kërkova falje, por pa i treguar se ku kisha qenë. Por, atë ditë te shkolla prapë erdhi ai burri i parave. Më kishte blerë unazë diamanti. Edhe pse u hamenda, e mora unazën. Por, kur ma vendosi në gisht më puthi me dhunë. Në atë çast u egërsova, ia përplasa unazën në fytyrë, sepse deri në atë moment mendoja se më donte si vajzën e vet dhe kishte dëshirë të më ndihmonte... Po t’mos i kisha shpenzuar paratë që m’i pat dhënë do t’ia ktheja edhe ato...

Dhe, në ato çaste, e ndjeva veten të pandershme, tradhtare, vajzë mendjelehtë, që mashtrohej nga pasuria...

Të nesërmen, shoqet e mia të klasës, të prishura, kishin shkuar në lokalin ku punonte Gazi dhe i kishin treguar gjithçka për mua, madje ia kishin treguar Gazit edhe fotografitë në lokalin kur rrinim atë natë...P./Kosovarja/

Lexo Revisten Online

Qershor, 2017

€ 1.99

| Blej Tani
Ditën jam njeri e natën “lugat”
Mallkim i sodit: U bëfshin veç për ilaçe!
E rrallë: Letra e parë e Jusuf Gërvallës
Andej Ibrit, si në shtet tjetër!

Portali kosovarja-ks.com është themeluar në nëntor të vitit 2008 nga revista Kosovarja.

[email protected] [email protected] Tel: +383 38 51 75 75 - MOB: +383 44 14 34 48;

Na ndiqni në