Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, divizioni për çështje penale ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.D për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Mashtrim nga neni 323 par 2 lidhur me 1 të KPRK-së, Mashtrim i blerësve nga neni 293 par.1 të KPRK-së dhe Mashtrim i konsumatorëve nga neni 292 par.1 të KPRK-së.
Të pandehurit SH.D. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par.1 nën par. 1.1, e 1.2, pikat 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së.
Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, për shkak se ekziston rreziku i ikjes ngase i pandehuri SH.D. kishte ardhur nga Norvegjia dhe i njëjti me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të kthehet përsëri në Norvegji dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Po ashtu ekzistojnë rrethana qe tregojnë rrezikun se i pandehuri mund të arratiset sepse kemi të bëjmë me përfitim të kundërligjshëm dhe dëm të madh pasuror, duke pasur parasysh se vepra ka ndodhur në kohën e pandemisë, me ç ‘rast KEK-u, duke u munduar të mbrohet nga pandemia, është mashtruar nga ana e të pandehurit, ku kanë mundur të rrezikohen punëtorët e KEK-ut dhe të infektohen me virusin COVID 19 për shkak të cilësisë së produktit.
I pandehuri SH.D. në emër të kompanisë së tij, me datë 27.03.2020 kishte nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës-KEK, për furnizim me maska higjienike dhe dezinfektues, të cilit produkt pas analizave që i ishin bërë nga laboratori i Doganës së Kosovës, ka rezultuar se i njëjti kishte mashtruar për cilësinë dhe kualitetin e dezinfektuesit.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.