Një 68-vjeçar në rrugën ‘Remzi Ademaj’ në Prizren ka denoncuar sot rreth orës 09:10 një person, për të cilin ka deklaruar se ia ka sjellur ‘shpirtin te hunda’, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se 68-vjeçari ka deklaruar se i dyshuari 56-vjeçar (emër i njohur për redaksinë), nuk po e lë rehat, pasi po e kërcënon vazhdimisht.
Sipas burimeve, 56-vjeçari kishte shkuar tri herë në vendin ku punon ankuesi, ku sipas këtij të fundit e kishte kërcënuar kryesisht për shkak të motiveve të ulëta.
Ndërsa herën e fundit që u kanos e që e shtyu të moshuarin ta raportojë rastin në Polici, i dyshuari i kishte prerë rrugën me qëllim për ta frikësuar.
Me t’u denoncuar rasti në organet kompetente, njësitet policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast është arritur që të arrestohet personi i dyshuar, i cili më pas është dërguar në Stacion Policor për intervistim.
Në konsultim me prokurorin, 56-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.