Prej më tepër se dy muaj, Kosova po përballet me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, virus ky që preku thuajse gjithë botën.
Si pasojë e shfaqjes së rasteve të para dhe përhapjes së tyre, institucionet shtetërore ndërmorën masa nga më të ndryshmet për të pamundësuar përhapjen edhe më të madhe.
Kësisoj Qendra Studentore në Prishtinë u shndërrua në karantinë, ku qytetarët që kthehen nga vendet e huaja karantinohen për 14 ditë.
I kontaktuar nga Indeksonline, Alban Zogaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës dhe Ambienit, Lumir Abdixhiku, deklaroi se deri tani janë kthyer mbi 1 mijë qytetarë.
Përpos kësaj, në ditët në vazhdim do të ketë edhe dy fluturime drejtë aeroportit të Prishtinës, një nga Britania e Madhe dhe një tjetër nga Italia.
“Mbi 1000 qytetarë janë kthyer. Gjatë javës do të kemi edhe dy fluturime, nga Britania e Madhe dhe nga Italia”, tha Zogaj.
Kurse Drejtori i Konvikteve në Prishtinë, Fatmir Sfishta tha për Indeksonline se për momentin të karantinuar në Qendrën Studentore janë 62 qytetarë që janë kthyer nga vendet e huaja.
Sfishta poashtu bëri të ditur se në shfrytëzim tani për tani janë konvikti numër 6 dhe konvikti numër 7.
“Pritet që më datën 21 të këtij muaji të ketë një ardhje prej Emirateve të Bashkuara Arabe por s’e dimë ende sa persona do të vijnë”, shtoi Sfishta.
Ndryshe sipas një njoftimi të bërë ditë më parë të Ambasadës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara u tha se kosovarët do të kthehen, por në një fluturim që do të realizohet drejt Tiranës.
Kosova ende vazhdon luftën kundër koronavirusit teksa numri i të infektuarve është 985 persona, kurse 736 janë të shëruar dhe deri më sot pati 29 viktima.