Keni vendosur që të ëmbëlsoheni dhe keni hapur çokollatën, mirëpo ajo në sipërfaqe ka një shtresë të hollë të bardhë, për shkak të së cilës duket sikur është e prishur! A bën ta hamë çokollatën e tillë?
Mos u brengosni, është e sigurt për t’u ngrënë, ndërkaq shtresa e bardhë në çokollatë shfaqet për dy arsye, transmeton Telegrafi.

Shtresa e bardhë në çokollatë, për shkak të së cilës ëmbëlsira e preferuar më nuk duket aq tërheqëse, ndodh kur në sipërfaqe dalin sheqeri apo yndyra, mirëpo kjo nuk do të thotë që është e prishur.

Zakonisht ajo shtresë është e thatë nëse në sipërfaqe ka dalë sheqeri, ndërkaq e lagësht nëse është fjala për yndyrën.

Në të vërtetë, nëse çokollatën e ruani në vend të ngrohtë, ndodh shkrirja e sheqerit, i cili pastaj në kristale qëndron në sipërfaqe. Gjithashtu, me rastin e ndryshimit të temperaturave, yndyra bëhet e dukshme në çokollatë.

Shkencëtarët kanë zbuluar që temperatura më e mirë për ta ruajtur dhe magazinuar çokollatën është 18 gradë celsius, ndërsa përfundimi është që ndryshimet në mënyrën se si të ftohet çokollata dhe pastaj magazinohet mund të zvogëlojnë shfaqjen e yndyrës në sipërfaqe.

Gjithashtu hulumtimet kanë treguar që çokollata ndikon pozitivisht në shëndetin.

Të anketuarit të cilët hanë çokollatë një herë në javë kanë qenë më të mirët në testet e aftësive kognitive sesa ata të cilët nuk e konsumojnë.

MUND TË JU PËLQEJNË