Vala

Udhëtimet ju japin mundësinë të zbuloni atraksionet artistike të një qyteti të ri, monumentet, arkitekturën, apo të admironi peizazhe të mrekullueshme.

Por të udhëtosh do të thotë të krijosh edhe një përvojë të re, të qëndrosh në kontakt me njerëzit e vendit dhe të shijoni ngadalë mënyrën e tyre të të jetuarit, menduarit, të të bërit të gjërave.

Gjatë udhëtimeve, shpesh është e nevojshme për të bërë edhe ndonjë ndalesë, për të shijuar diçka tradicionale apo për të pirë një kafe në një ‘coffee shop’. Ekzistojnë shumë lokale në botë të cilat janë një vend i veçantë, për të mos u nënvlerësuar. Këtu njerëzit ndalen për t’u çlodhur pak dhe për të shkëmbyer disa fjalë.

Nëse shkoni në këto vende, mos e lini t’ju humbë rasti për të shkuar në këta ‘coffee shop’, të cilët janë cilësuar ndër më të mirët në botë, transmeton ‘Monitor’.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Panther Coffee, Majami

Një ndër kafeteritë më të mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhet në Florida. Panther Coffee e Majamit, sipas Miami New Times ka ndryshuar mënyrën se si qyteti pi kafe. Në këtë kafeteri, përvoja juaj nuk është vetëm kënaqësia e të pirit të një kafe të mirë, por të njihni edhe të gjithë zinxhirin që e sjell atë në filxhanin tuaj. Vendi ka një atmosferë të bukur, ku mund të kaloni edhe një ditë të tërë relaksi dhe çlodhje, përcjell albinfo.ch.

Italia: Caffè Al Bicerin, Torino

Në Itali, nuk është e vërtetë që kafeja e mirë është e mirë kudo; nëse zhvendoseni pak në veri, më saktësisht në Torino, do të gjeni Caffé al Bicerin, një ndër lokalet më të vjetra të qytetit, që daton në vitin 1763. Bëhet fjalë për një ndër kafeteritë më të vogla në Itali. Emri i saj, bicerin, në të vërtetë është një specialitet që shërbehet në banakun e këtij lokali të mrekullueshëm në Torino. Kjo pije e famshme pëlqehej shumë edhe nga personalitete të shquara si Cavour dhe Italo Calvino. Por jo vetëm, Caffé al Bicerin tërheq një numër të madh klientësh për çokollatat dhe ëmbëlsirat, në veçanti torta me lajthi dhe çokollatë të ngrohtë, Torta Bicerin®.

Një kuriozitet: njëherë e një kohë, kafeteritë ishin një vend që frekuentoheshin vetëm nga meshkujt, të cilët takoheshin aty për të pirë diçka, cigare dhe për të folur. Gratë e “respektueshme” nuk mund të frekuentonin vende kaq të papërshtatshme për to. Por Bicerin shumë shpejt e tregoi veten një lokal unik, pasi u hap nga një burrë, por pak më vonë, drejtimin e tij e morën gratë.

Australi: Celsius Coffee Co., Sidnej

Vetëm shtatë minuta me traget nga Circular Quay, mbi ujërat e kristalta të Kirribilli Wharf, ndodhet kafeteria Celcius, që përfaqëson mënyrën ideale për të nisur ditën me stil në Sidnei. Celsius ofron një varietet pijesh origjinale, të ftohta dhe të ngrohta, me bazë qumështi, kafeje, çokollate, karameli, vanilje etj. Këtu, ju mund të çlodheni, duke shijuar edhe peizazhin e mrekullueshëm mbi Kirribilli Wharf. Kjo kafeteri është një ndërtesë prej druri e ndërtuar mbi ujë, ku në vend të mureve ka dritare të mëdha.

Specialiteti kështu është kafeja Celsius.

Japoni: Bongen

Nëse ju pëlqen të eksperimentoni, ju nuk duhet ta lini pa provuar kafeterinë / restorant Bongen në Tokio. Këtu mund të degustoni një kafe të mrekullueshme, në veçanti ekspresin tipik brazilian, shoqëruar me një onigiri, ushqim tipik japonez. E gjithë kjo, në një vend të vogël, në stil tipik japonez. Koncepti që qëndron pas interior design të këtij lokali është dëshira e pronarëve për t’i bërë njerëzit të ndihen menjëherë rehat, edhe në hapësira të vogla.

Barcelonë: Black Remedy

Në Barcelonë ndodhet një nga lokalet ku ia vlen të ndaleni, si Black Remedy. Bëhet fjalë për një coffee shop, i hapur vitet e fundit, në 2016, në të cilin shërben një personel i ri dhe mikpritës. Baristët mund t’ju shërbejnë edhe një kafe tradicionale, por ne ju këshillojmë të provoni specialitetet. Nëse jeni një person që i pëlqen kafeja, ndalesën në këtë lokal nuk duhet ta humbni kurrsesi në Barcelonë.

Londër: Federation Coffee, Brixton

Londra është një metropol me një numër të madh lokalesh dhe pub-esh, por ndërkohë shtohen gjithnjë e më shumë dyqanet dhe lokalet me prodhime artizanale, që ofrojnë pije unike, madje edhe alkoolike.

Federation Coffee ofron varietet kafesh. E gjithë energjia këtu përqendrohet ekskluzivisht te kafeja, dhe baristët janë mikpritës dhe të qeshur.

Amsterdam: Kafeteria Dampkring dhe Grey Area

Amsterdami është i famshëm mbi të gjitha për numrin e madh të kafeterive, dhe të gjesh më të mirën është e vështirë, për këtë arsye po përmendim disa. E para është Dampkring, një coffee shop i njohur në të gjithë botën, pasi këtu janë xhiruar disa skena të filmit Ocean’s 12 të Steven Soderbergh (2004). Në zemër të Grachtengordel, e shpallur Pasuri e Njerëzimit nga UNESCO, fshihet një tjetër kafeteri, Grey Area, me përmasa të një “kutie këpucësh”.

MUND TË JU PËLQEJNË