Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka mbajtur një konferencë për media, ku tha se për shkak të motit të keq janë detyruar ta mbajnë në ambientet brenda dhe jo jashtë siç po zhvillohen zakonisht.
Gjatë kësaj konference, Abdixhiku tha se ishin rreth 2 mijë kosovarë që kërkuan kthimin e tyre nga vendet e huaja dhe se pritet që sot në ora 17:00 të bëhet kthimi i 120 qytetarëve nga Turqia të cilët do të vendosen në karantinë tek Qendra Studentore.
“Ne kemi ndërtuar një model kthimit të kontrolluar që për bazë pati edhe nevojat e qytetarëve por edhe kujdesin e shëndetit publik, në këtë drejtim kemi ndërtuar një model tri komponentësh.
Ministria e Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet ambasadave ka bërë identifikimin e të gjitha kërkesave për kthim, për t’i shqyrtuar më pas. Rreth 2 mijë qytetarë të ngujuar jashtë që kanë shprehur kërkesë për kthim dhe këto kërkesa janë kategorizua si raste urgjente për shtetasit tanë në nevoja shëndetësore dhe në rëndesë qëndrimi jashtë. E të tjerëve që kanë pasur mundësi dhe kushte iu është zgjatur qëndrimi atje. Qendra Studentore është shndërruar në karantinë dhe ka organizuar mirëmbajtjen shëndetësore, pas kthimit janë vendosur në këtë qendër”, tha Abdixhiku.
Tutje ministri tha se bazuar në vendet e lira në karantinë, është bërë edhe organizimi i kthimit të qytetarëve.
“Kemi pasur në interes të shtuar brengat e qytetarëve tanë jashtë vendit për kthim.
Për një muaj kohë nga dita e marrjes së këtij vendimi, janë realizuar fluturime të kontrolluara e organizuara, nga Zvicra, Anglia e Turqia e përmes MPB janë realizuar kthimet tokësore nga vende si Sllovenia, Shqipëria, Mali i Zi e të tjera.Dje me datë 20 prill kemi realizuar nga fluturim nga Zvicra ku janë kthyer 106 qytetarë tanë, pjesa më e madhe e tyre ishin raste me përkujdesje të shtuar shëndetësore. Sot në ora 7:00 do të organizojmë kthimin e 120 qytetarëve tanë nga Turqia, pjesa më e madhe e tyre me probleme të theksuar shëndetësore dhe ishin për trajtim shumica prej tyre dhe ishin të ngujuar gjatë kohës pandemike.Ky fluturim është i veçantë pasi ka përfshirë një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet turke sepse si rezultat i anulimit të fluturimeve në hapësirën turke është dashur të organizohet një fluturim i veçantë. Përveç këtij fluturimi gjatë kësaj jave do organizojmë tri kthime të tjera, nga Gjermani rreth 50 persona, studentët e ngujuar në Poloni e Qeki dhe një punëtorë të ngujuar në Liberi. Organizmi merr vëmendje të njëjtë, qoftë një apo më tepër.
Kthimi i tyre varet ekskluzivisht nga numri i vendeve në Qendrën e Studentëve, kam kërkuar që të shtohen këto vende, por marrë parasysh nga rekomandimet e MSH ky numër duhet të jetë i kontrolluar dhe për shkak të menaxhimit të mirë duhet pasur kujdes dhe secili i kthyer nënkupton se duhet t’i nënshtrohet testeve”, shtoi Abdixhiku.
Ministri tha se i kanë bërë thirrjet të gjithë kosovarëve që janë jashtë vendit, që secili i ri apo e re që kanë kushte qëndrimi atje të mos marrin rrugën për Kosovë, tani për tani.
“Pasi e bën situatën të vështirë, pra t’i japim hapësirë rasteve emergjente shëndetësore.
Ajo çfarë kemi vërejtur nga ky kthim është se nga 700 të vendosur në karantinë vetëm tri ishin pozitive dhe asnjë prej tyre nuk ka infektuar të tjerët përreth që do të thotë se karantinimi ka funksionuar mirë të kthyerit e tanishëm për pjesën më të madhe të dy javëve të fundit ishin në vetizolim prandaj pritjet për kthimin e tyre janë më të sigurta. Bashkë me ministritë tjera jemi duke punuar për kthimin e 100 qytetarëve tanë nga Amerika, ky organizim është më i veçantë sepse përveç që është më i largët nënkupton edhe ndalesa nëpër aeroporte të ndryshme, do të isha i lumtur që ky fluturim të realizohet gjatë këtij muaji dhe do të ishte fluturimi i 10 në kthimin e qytetarëve në Kosovë”, përfundoi ai.