10 kg speca të kuq

3 kg patëllxhan

2-4 copa speca feferona

2-3 lugë gjelle uthull alkoolike

2-3 hudhra

1 l vaj

afro 5 lugë kripë

Për shumë nga ne, zahiretë e dimrit janë të paimagjinueshme pa ajvar. Prandaj, po ndajmë me ju recetën për përgatitjen e ajvarit të përsosur shtëpiak.

Specat lajini e thajini mirë. Piqini në furrën e parangrohur në 225 gradë ose në skarë, derisa të skuqen lehtë e të mund t’u qërohet lëvorja.

Pas pjekjes, specat mbulojini me një pecetë të pastër e lërini të pushojnë e ftohen pak (afro gjysmë ore).

Njëkohësisht piqini patëllxhanët në temperaturën e njëjtë porsi specat. Varësisht nga madhësia, patëllxhanët piqen për 30-40 minuta.

Më pas ftohini e pas ftohjes qërojini bashkë me specat. Më pas bluajini në makinë mishi ose në blender.

Në një enë të madhe ngroheni 1 litër vaj e pastaj shtojani masën me speca e patëllxhanë. Ziejini bashkë për 2-3 orë në temperaturë të ulët duke i përzier vazhdimisht, derisa të fitoni dendësinë e dëshiruar të ajvarit.

Më pas, kavanozët e qelqit –të larë e të tharë më parë, sterilizojini bashkë me kapakët në furrën e parangrohur në 100 gradë për 15-20 minuta.

Pas nxjerrjes nga furra, kavanozët e nxehtë mbushen menjëherë me ajvar të nxehtë. Kujdesuni që në grykë të kavanozit të lini të paktën 1 cm hapësirë të zbrazët.

Në një enë tjetër ngrohini edhe 200 ml vaj e këtë vaj hidhjani ngapak secilit kavanoz të mbushur me ajvar.

Kavanozët e mbushur, mbyllini me kapakë e më pas mbështillini me një napë të pastër. Lërini të ftohen tërësisht.

Pas 24 orësh, ajvarin transferojeni në një vend të ftohtë e të errët.

Ajvari më së shumti përdoret si shtesë në salcat për mish, suxhuk ose për ushqimet e skarës. Por ai mund të përdoret edhe për thjeshtë lyerjen e rriskave të bukës.

MUND TË JU PËLQEJNË