Një nga premtimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas ardhjes në pushtet ka qenë se do të fillojë dialogun me serbët e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje është pyetur numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi gjatë intervistës në Euronews (edicioni në gjuhën serbe)Gazetarja e “euronews” e ka pyetur Bislimin se pse s’ka takime me serbët që jetojnë në jug të Kosovës meqë asaj nuk i kujtohet që ndonjë ministër i Qeverisë të ketë qëndruar për vizitë ndonjëherë.
Bislimi ka thënë se s’është e drejtë që të thuhet se e kanë premtuar por s’e kanë filluar dialogun me serbët lokalë. Më pas ka zbuluar gjashtë takime të mbajtura fshehurazi, pesë prej të cilave thotë se janë zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe një në Qeverinë e Kosovës.“Nuk është e drejtë të thuhet se ne premtuam por nuk e filluam atë dialog. Unë personalisht kam zhvilluar gjashtë takime me serbët vendas, pesë prej të cilave janë mbajtur në ambientet e Ambasadës Suedeze në Kosovë dhe me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Kosovë. Dhe unë mbajta një takim dhjetorin e kaluar në këtë dhomë”, ka thënë Bislimi.