Brenda 24 orëve, në Kosovë kanë ndodhur tri aksidente të rënda, ku tre persona kanë vdekur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se në 6 mujorin e parë të vitit 2024, rreth 24 për qind të aksidenteve fatale janë vetaksidente.
“Ne 24 orët e kaluar janë evidentuar edhe dy aksidente tjera me fatalitet dhe kjo është tepër shqetësuese pasi ne te dy rastet e raportuara kemi te bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kane humbur kontrollin mbi veturën ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale. Sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktareve të tyre ne gjashtëmujorin e pare (janar-qershor-2024), rreth 24 % te aksidenteve fatale të shkaktuara në rrugët tona janë vetaksidente.”
Ai ka bërë apel që pjesëmarrësit në tragik t’i respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore.
“Andaj apelojmë tek të gjithë shoferët ne veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë.”
“Policia e Kosovës, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik. Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithmbarshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme.”
Mëngjesin e sotëm një person vdiq e një tjetër u lëndua rëndë pas një aksidenti në autostradën “Arben Xhaferi”, drejtimi Lipjan – Prishtinë.
Ndërsa, dje një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti me motoçikletë në fshatin Shtupeq të Pejës e një tjetër vdiq në fshatin Perveqë të Klinës pasi vetura e tij u përfshi nga flakët pas një aksidenti.