Sot bëhet një vit që ka ndërruar jetë Hilmi Haradinaj, njeriu që jetën e pat me plot vuajtje, përjetime të rënda, të cilat ka mundur t’i përballojë vetëm burri siç ishte ai, shkruan “Kosovarja”.

Hilmi Haradinaj, i lindur në Gllogjan të Deçanit, ishte prindi i dhjetë fëmijëve, shtatë djemve e tri vajzave, prej të cilëve iu vranë dy djem në luftën e Kosovës.

Luani dhe Shkelzeni janë dëshmorë dhe heronj të kombit, e që familja e Hilmi Haradinajt ia dha lirisë së Kosovës.

Edhe Ramush Haradinaj, i cili në periudhën e luftës ishte komandant i UÇK-së, në zonën e Dukagjinit, kishte mbetur i plagosur.

Sidoqoftë, Hilmi Haradinaj, së bashku me djemtë: Ramushin, Luanin, Shkelzenin, Dautin dhe Enverin, kishin qenë të angazhuar në çlirimin e Kosovës nga regjimi serb.

Me emocione, sa ishte gjallë, e përshkruante pjesëmarrjen e madhe të kosovarëve në luftë. Ai gjatë intervistave që i ka dhënë edhe për revistën “Kosovarja”, pat treguar për ndihmën që ua jepte djemve të tij në ofensivat kundër ushtrisë serbe, e sidomos në dy momentet e rrethimit të shtëpisë së tyre.

Por, për Bacën Hilmi, vuajtjet nuk përfunduan në momentin kur edhe përfundoi lufta.

Ishte viti 2005, kur në rrethana misterioze, iu vra djali, Enver Haradinaj. Ndaj tij në atë kohë ishte organizuar atentat, duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, pas përfundimit të luftës, familjes Haradinaj i kishte ndodhur edhe një tragjedi. Djalin e Shkelzenit ia kishte shkelur autobusi, duke e lënë të vdekur, në moshë të re.

Ai, përkundër problemeve shëndetësore që kishte, më 9 shtator të vitit të kaluar, ishte treguar shumë i lumtur që Ramush Haradinaj po bëhej kryeministër.

Hilmi Haradinaj, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në mëngjesin e 17 qershorit të vitit të kaluar, duke lënë pas vepra të mëdha…

I tërë populli shqiptar shprehu pikëllim për vdekjen e tij, i cili gjatë jetës përjetoi vdekjen e tre djemve dhe nipit të tij.

Dhe, pa dyshim, Kosova gjithmonë do ta kujtojë me krenari Bacën Hilmi, burrin fisnik e atdhetarin e pashoq. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË