fbpx

Çka tha në gjykatë i akuzuari për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI?

nga Revista Kosovarja

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën i akuzuari Blend Vrajolli ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes, tha se është plotësisht i pafajshëm, duke shtuar se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë qëllime për të sulmuar dikë qoftë në Kosovë ose edhe jashtë saj.

“Unë hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë dhe jam plotësisht i pafajshëm sepse s’kam pasur, s’kam dhe kurrë nuk do të kem qëllim për me sulmu këdo qoftë në Kosovë ose jashtë saj”, tha i akuzuari.

Vrajolli po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Derisa sqaroi transkriptën e bisedës me të ashtuquajturin “Muhaxheri”, tha se ky i fundit kishte insistuar disa herë për ta nxitur nëse është i gatshëm të kryente sulm.

“Muhaxheri ka insistuar disa herë, se a jam i gatshëm unë për sulm”, tha i akuzuari.

Ai tha se pasi ishin njoftuar në Telegram me “Muhaxherin”, ai ia kishte dhënë kontaktin.

‘’Fillimisht e ceka jena njoftu në Telegram me Muhaxherin, pastaj ai ma ka dhanë kontaktin“, tha i akuzuari Vrajolli.

Më pas, i akuzuari ka sqaruar bisedën e hartave që ia kishte dërguar Muhaxherit në aplikacionin “WhatsApp”.

Sipas tij, hartën e sheshit të Prishtinës ia kishte dërguar pasi ishte e para që i kishte shkuar në mendje ngase aty ishte e rritur e më pas tha se “veç ia kam fut kot”.

Gjatë kësaj seance, prokurori special Afrim Shefkiu ka propozuar që të bëhet dhe një herë administrimi i provave, procesverbalet të deklaratave të Vrajollit të dhëna në Polici më 22 shkurt 2023 dhe deklaratës së dhënë në Prokurorinë Speciale më 2 maj 2023.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vrajolli, avokati Arben Kelmendi kundërshtoi propozimin e prokurorit me arsyetimin se i mbrojturi i tij, kishte qenë i ndikuar, kishte rënë në lajthim dhe se ka dhënë sqarime të mjaftueshme sa i përket këtyre deklaratave.

Më pas, trupi g jykues aprovoi propozimin e prokurorit, që të administrohen si prova procesverbalet e deklaratave të të akuzuarit që i kishte dhënë në Prokurori dhde Polici në cilësinë e të dyshuarit.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Vrajolli, avokati Kelmendi kërkoi që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të mbrojturit të tij.

Por, ky propozim u kundërshtua nga prokurori special Afrim Shefkiu dhe më pas u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilitt të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas“ Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku n ë të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, Vrajolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës“, nga neni 138, paragrafi 1 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton betimiperdrejti.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]