fbpx

Donika Gërvalla dhe ambasadori Agron Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7.500 euro në muaj

nga Revista Kosovarja

Gani Jakupi merr 7.500 euro pagë mujore nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Ai jeton në Spanjë por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’.

Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, nuk i janë dashur as dy javë për ta gjetur një ‘super-konsulent’ me emrin Gani Jakupi për ta këshilluar Ambasadën e Kosovës në Bruksel, lidhur me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me diplomacinë publike dhe kulturore, raporton Periskopi.

Në qershor të këtij viti, Ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi ia ka deleguar kompetencat e negociimit dhe nënshkrimit të një kontrate për një konsulent të jashtëm, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Eksperti do të gjendej shpejt. Quhet Gani Jakupi dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.

Paguhet nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëhen Jakupit, referencën më të shpeshtë rreth tij, mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumë-dimensional’.

Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).

Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami (shih vendimin më lart).

Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.

(Kontrata)
Periskopi raporton se ka pasur informacione muaj më parë për kontratat e majme që Ministria e Jashtme ka lidhur me disa persona – për çështje të kësaj natyre dhe se për të njëjtën temë, një muaj më herët ka kërkuar qasje në dokumente publike (ashtu siç e lejojnë dispozitat e ligjit Ligjit Nr. 06/L-081) lidhur me kontratat në fjalë.

Prej atëherë e deri sot, thotë se nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.

(Aneksi i kontratës)
Çka do të punojë Gani Jakupi për 7,500 euro rrogë mujore?

Kontrata pesë faqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon z.Gani Jakupin qe merr 7,500 euro pagë mujore nga Kosova, që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

Përveç pagës mujore, Jakupit i mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, edhe shpenzimet e takimeve me gazetarë e artistë, shumën e të cilave kontrata e specifikon mbulueshmërinë e këtyre shpenzimeve.

Detaje nga kontrata dhe aneksi i saj për super – konsulentin

Në kontratën bazë, Gani Jakupit i përcaktohet fushë-veprimtaria e takimeve me gazetarë e artistë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg.

Por në aneksin e kontratës, i zgjerohet edhe pak kjo fushë-veprimtari dhe i caktohet edhe: Brukseli e Parizi (siç shkruhet gabimisht aty, kryeqyteti francez: Parisi).

Pasi konsulenti Jakupi duhet ta marrë mundin të dalë pak nga shtetet e Beneluksit, atij i caktohet që në muajt korrik/gusht, të koncentrohet në Paris.

Në të gjitha këto, shih kontratën (aneks), Jakupi ka këto punë: takime me gazetarë, drejtorë galerish.

Kush është Gani Jakupi – Konsulenti që i kushton shtetit të Kosovës 7 mijë e 500 euro në muaj?

Referuar të dhënave online dhe intervistave të Jakupit për mediume të ndryshme shqiptare (televizione dhe media online), Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë.

Ai është aktiv në rrjetin social ‘X’, aty ku vërehen edhe disa mesazhe mbështetëse për kryeministrin Albin Kurti, si ky i fundit më poshtë, rreth Zajednicës.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, paga e një ambasadori të Kosovës, është 1 mijë e 344 euro. Këshilltari e ka pagën 882 euro. Konsulli e ka pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe paguhet 756 euro, ndërsa agjenti- Konsullor paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, në vazhdimësi ka qenë në qendër të kritikave për punën e dobët. Madje edhe vetë brenda Ministrisë, kanë shpërthyer pakënaqësi ku veçojmë të fundit para një jave, atë të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, e cila e ka përshkruar si ‘alarmante situatën në Ministrinë e Jashtme’.

Republika e Kosovës, nuk e ka asnjë njohje që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti dhe udhëheqjes së diplomacisë nga Donika Gërvalla. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020./Periskopi

 


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]