Vala

Autorja e filmit dokumentar me titull “Tregime të luftës në Koshare”, Sllagjana Zariq, gazetare, është vënë nën zbatimin e kërkesave të politikës së kreut të shtetit serb. E, kreu është Aleksandër Vuçiçi me bashkëpunëtorët, shkruan “Kosovarja”.

Vuçiçi, për të cilin mbahen qe 19 javë rresht protesta në Beograd, është kapësi i shtetit të Serbisë, si kopje e Milosheviqit dhe ai është njeriu kryesor i zgjimit të propagandës në Serbi.

E, pse u bë ky film pas njëzet vjetësh të humbjes së forcave serbe në Koshare?

Është e ditur se Vuçiçi do ta zgjojë ndjenjën dhe vetëdijen serbe se serbët janë mbi të gjithë dhe se Kosova është Jerusalemi serb!

Autorja e filmit dokumentar mbi Kosharen nuk e ka sefte me propagandë të luftës. Ajo e ka bërë edhe dokumentarin tjetër të bisedave Milosheviq –Tuxhman, i cili në festivalin e filmave dokumentarë në Zagreb, ishte vlerësuar si tendencioz, duke paraqitur në skenë luftërat në ish-Jugosllavi, kinse ishin aranzhuar nga 48 takimet e Milosheviqit dhe Tuxhmanit.

Gazetarja e televizionit të Serbisë, tashmë ka një përvojë që serbët t’i reflektojë si fitimtarë nga këto luftëra dhe vrasjet e ushtarëve serbë t’i mitizojë për moral historik të Serbisë dhe serbëve, në përgjithësi.

Thjesht, gazetarja e RTS-it, me këtë dokumentar, e fshehë apo minimizon humbjen e tmerrshme serbe!

Filmi dokumentar me tregime nga lufta e Koshares është xhiruar në “Malet e Vjetra” të Kopaonikut dhe në livadhet e ashtuquajtura “Të fasuleve”.

Ka shumë storie të pavërteta në këtë film të natyrës dokumentare, që u shfaqë më 9 prill, me rastin e 20- vjetorit të betejës së Koshares.

Para së gjithash, përgjatë filmit, personazhet me veshje ushtarake serbe, porositen të gënjejnë se si në pikat e caktuara kufitare, kanë qenë vetëm nga 10 vetë, e diku-diku vetëm nga gjashtë.

Madje, në një rast, një personazh thotë se ne ishim gjashtë vetë dhe luftuam kundër 250 ushtarëve të UÇK-së që na rrethuan!

Prezantimet e shumë ushtarëve të vrarë serbë të ish-Jugosllavisë, bëhen kryesisht për moral luftarak se gjoja ushtari i vrarë tha këtë e atë…

Shihet qartë, përmes skenave, se qëllimi i autores së propagandës serbe të këtij dokumentari, është mitizimi i kësaj lufte, të cilën forcat serbe e kanë humbur në mënyrën më turpëruese.

Pse pas 20 vjetësh?!
Pas njëzet vjetësh të humbjes së serbëve në Koshare, bën një dokumentar, të porositur nga politika e shtetit, i cili e rehabiliton dhe arsyeton humbjen e forcave serbe në Koshare, duke thënë se serbët luftuan kundër NATO-s, Shqipërisë dhe UÇK-së, madje edhe kundër forcave muxhahedine!

Kosova duhet ta bëjë filmin e të vërtetës, ani pse me vonesë!
Kosova ka mjaft regjisorë dhe njerëz të artit skenik, për të bërë një dokumentar real nga lufta e Koshares më 1999.

Kosharja ende i ka të gjallë shumë luftëtarë të saj, andaj duhet të shfrytëzohen për ta riprodhuar realitetin luftarak në terrenin e Koshares.

Ashtu sikur ka ndodhur lufta, ashtu edhe duhet të paraqitet… As më shumë e as më pak…

E vërteta e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar është një dramë reale dhe nuk duhet asgjë më shumë sesa të kujtohet si e tillë, siç edhe ishte…

Kosova ia ka borxh brezit të ri për t’i treguar se çfarë kishte ndodhur në Koshare…

Një film real dokumentar mbi Kosharen, do të ishte demanti më i mirë i propagandës serbe mbi luftën në Koshare. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË