Vala

Mbrëmjet e maturës po e “sakatojnë” buxhetin e familjeve kosovare. Pagat për të cilat familjarët punojnë për një muaj, fëmijët po ua harxhojnë për një natë. Vetëm për tu dukur sa më bukur në këtë event, maturantët shpenzojnë deri në 800 euro.

Ndërkohë, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, shuma që kanë shpenzuar maturantët nga e gjithë Kosova për këtë natë shkon në mbi 4 milionë euro. Gjithë këto para derdhen në arkat e salloneve të bukurisë, rrobaqepëseve, këngëtarëve dhe restoraneve për çdo vit.

Arjeta Shabani

Paratë për të cilat prindërit e saj punuan 30 ditë rresht, Mirlinda nga Drenasi e shpenzoi për një natë të vetme. Përgatitjet për mbrëmjen e maturës i kushtuan kuletës së familjes së saj rreth 400 euro.

Mirlinda tregon për Gazetën Express se vetëm për fustan ka shpenzuar mbi 200 euro. Para ajo shpenzoi edhe për të marrë ngjyrë.

Madje, angazhoi edhe fotograf për t’i mbetur kujtime nga kjo natë.

“Fustani ka kushtu 220 euro, grimi edhe flokët 25, thonjtë 10 euro, shtikllat 25 euro, vathët 20 euro, qanta 15 euro, ngjyrë për nxirje 15 euro, restauranti 24 euro, plus fotografi 30 euro”, tregon Mirlinda për Express.

Por, ajo nuk është e vetmja që ka shpenzuar shumë para për këtë natë. Shumë të lartë parash për maturë ka shpenzuar edhe Arifja nga Mitrovica.

Ajo tregon për Gazetën Express se vetëm fustani i ka kushtuar mbi 100 euro, derisa gjithë shpenzimet e saj për maturë kapin një shifër rreth 250 euro.

“Për mbrëmjen e maturës i kam shpenzu gjithsej 246 euro. 110 euro më ka kushtu fustani, 15 euro shtikllat, 65 euro për ngjyrosje të flokëve, 25 euro grimi dhe frizura, 15 euro vathët, 10 euro thonjtë edhe 3 euro e 50 cent një unazë”, tregon Arifja.

Ndërkohë, as djemtë nuk mbeten fort prapa vajzave kur flitet për shpenzimet për maturë.

Albert Selimaj nga Podujeva tregon se për këtë natë ka shpenzuar 140 euro.

Selimaj, i cili është edhe kryetar i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, thotë se pothuajse secili maturant i kësaj shkolle shpenzon mesatarisht 80 deri në 100 euro vetëm për veshje.

“Shuma që duhet të paguar secili nxënës është më lir se vitin e kaluar, besoj dhe shpresoj që do të jetë prei 20 deri tek 25 për nxënës me meny të plot dhe gjitha sherbimet tjera sa i përkasin një maturanti për mbrëmjen e matures, ndërsa për veshje secili nxënës harxhon aq sa ka buxhetin familjar që i bie një mesatare diku për nxënës prei 80 deri 100 garderobë. Unë personalisht kam hargjuar 140€”, tregon Selimaj për Express.

Por, pavarësisht rajoneve, maturantët nga e gjithë Kosova shpenzojnë para të majme për këtë natë.

Shpenzimet e tyre fillojnë nga 100 euro, derisa ka raste kur maturantët kanë harxhuar deri në 800 euro për natën që shënon përfundimin e shkollës së mesme.

Në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, nëse një maturant ka shpenzuar për maturë rreth 200 euro, shuma që kanë shpenzuar 23 mijë maturantët nga e gjithë Kosova për këtë natë shkon në mbi 4 milionë euro.

Për dallim prej familjeve që shpenzojnë me qindra euro, më së shumti hajr nga këto evente po del të kenë sallonet e bukurisë, rrobaqepëset, këngëtaret e restaurantet.

Organizimet e tilla kanë bërë që këto të kthehen në bizneset më fitimprurëse në vend. Për secilin event të tillë që organizohet, në arkat e këtyre bizneseve të derdhen me mijëra euro.

Por, pavarësisht fitimeve, shumica e tyre nuk i pagujnë tatim shtetit.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë i kanë thënë Gazetës Express se aktualisht në tërë vendin janë të regjistruara 5 mijë e 617 sallone të bukurisë.

Sipas statistikave të MTI, Vetëm gjatë vitit të kaluar janë hapur rreth 500 biznese të tilla.

Por, ndonëse janë të regjistruara mbi 5 mijë biznese të tilla, shumica e tyre nuk i paguajnë fare tatim shtetit.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa i ka thënë Gazetës Express se gjatë vitit të kaluar, obligimet tatimore i kanë paguar vetëm 1 mijë e 800 sallone të floktarisë.

Bytyqi deklaron se nga pagesa që kanë kryer këto biznese janë mbledhur mbi 730 mijë euro.

“Gjatë vitit 2018 numri i tatimpaguesve me aktivitet sallonet e floktarisë dhe trajtimet tjera të bukurisë , të cilët kanë paguar obligimet tatimore është 1.808, ndërsa vlera e pagesës është 730.247 euro”, thuhet në përgjigjet e Bytyqi-Sefës drejtuar Expressit.

Fitime të majme nga ky organizim kanë edhe këngëtarët. Secila shkollë për këtë event fton së paku 2 këngëtarë, të cilët nuk e qesin as hapin në restaurant pa së paku 3 “lejla” në xhep.

Por, disa prej tyre pavarësisht shumave të majme që i fitojnë, u ikin detyrimeve ndaj shtetit.

Vetëm në vitin 2017 ishin shqiptuar 365 gjoba për shmangie nga tatimi.

“Dënimet apo ndëshkimet administrative kalkulohen varësisht ndaj shmangies që e bën. Asnjëherë nuk është e saktë një dënim. Dënimet nisin nga 125 euro, mirëpo kjo është shumë minimale, jo vetë për këngëtarët por edhe për të gjithë tatim paguesit. Mirëpo ndëshkimi bëhet varësisht shmangies që e bën një këngëtar, varësisht të gjeturave në teren”, kishte thënë Bytyqi-Sefa për Express.

Ndryshe, mbrëmja e maturës është event që organizohet nga të gjitha shkollat e mesme në përfundim të shkollimit.

MUND TË JU PËLQEJNË