Drejtoria e Inspeksionit në komunën e Prishtinës, këto ditë ka ndërmarrë një ndër aksionet më të mëdha për lirimin e hapësirave publike, me ç’rast janë larguar të gjitha konstruksionet të cilat ishin vendosur në këto zona pa leje të organit kompetent.
Florian Dushi, Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, në faqen e tij në Facebook, ka lëshuar një sqarim lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.
“Me synimin tonë të përbashkët, si qeverisje e re e Prishtinës, Drejtoria e Inspekcionit këto ditë ka ndërmarrë një ndër aksionet më të mëdha për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Prishtinës.
Ky aksion është zhvilluar në sheshet e qendrore të qytetit dhe mbi Kurriz – Dardani, me ç’rast janë larguar të gjitha konstruksionet të cilat ishin vendosur në këto zona pa pëlqim/leje të organit kompetent e për çfarë kishim mirëkuptimin e shumicës së bizneseve pronare e shfrytëzuese të këtyre konstruksioneve.
Në vazhdën e punëve ka mbetur vetëm një konstruksion në sheshin e Prishtinës, pronari i të cilit ka ushtruar ankesë. Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave brenda Drejtorisë së Inspekcionit është duke e trajtuar ende, në pritje edhe të informacioneve shtesë nga drejtoritë e tjera të Komunës së Prishtinës, para vendimit përfundimtar lidhur me konstruksionin (terrasën) në fjalë.
Si Drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit, i siguroj të gjithë qytetarët e Prishtinës se asnjëherë nuk do të nxjerr e as zbatoj vendime selektive.
Si Drejtor dhe Drejtori e Inspekcionit, jemi thellësisht të përkushtuar dhe të vendosur që të gjitha rastet t’i trajtojmë duke garantuar barazinë e të gjithëve para ligjit por edhe epërsinë e ligjit përballë secilit në gjithë Komunën e Prishtinës.
Faleminderit!”./Kosovarja/