Vala

Kohëve të fundit e kam zbuluar një gjë: miq të vërtetë janë ata që të rrinë pranë kur të ndodhin gjëra të bukura. Ata rreshtohen kah ne, gëzohen, lumturohen për fitoret e sukseset tona, shkruan “Kosovarja”.

Miq fals janë ata që shfaqen vetëm në momentet e vështira, por me një shprehje të trishtuar gjoja “solidariteti”.

Në të vërtetë, vuajtja jonë u shërben për t’u ngushëlluar me jetën e tyre të mjerë…

Gjatë krizës së kësaj kohe të pakohë, të pas-lirisë, të kësaj kohe e jete që po e përjetojmë, janë shfaqur e po shfaqen persona të ndryshëm, e që nuk i kisha parë kurrë më parë, kinse të shoqërojnë në raste, vijnë vetëm për t’u “reklamuar” si të pasur…

“Fryhen” me xhipa, me dreka e darka në restorante luksoze, me VIP-a në shoqëri, E, me çka jo tjetër…

S’e kam prej nostalgjisë, siç do më thoshin… Por, në kohën jo të largët, miqtë kanë qenë të vërtetë, pa maska.

Po ashtu, solidariteti ndaj njëri-tjetrit dhe për njëri – tjetrin ka qenë për lakmi dhe që na ka mbajtur në kohë të rëndë, të zorshme…

E, jo vetëm miqtë, sot ka ndryshuar e ndërruar shumëçka…

Dhe, nuk mendoj vetëm unë kështu…

*
Ata që e duan të vërtetën dhe të bukurën nuk mund të merren me politikë, sepse ajo s’merret as me të vërtetën dhe as me të bukurën.

Këtë thënie, sa mbaj mend, e ka thënë Albert Kamy, por edhe nëse e ka thënë kushdo tjetër, mirë e ka thënë dhe është mirë ta kujtojnë politikanët tanë kudo që janë.

*
Një proverb popullor: Njërin e kishin pas zgjedhur kryetar komune.

Ai, një ditë, derisa ishte vetëm në zyrë, nga xhepi nxjerr pasqyrën dhe nis ta shikoj veten në të. E sillte kryet sa djathtas e sa majtas dhe ia bënte vetes:
“Eu Tahir, eu! Edhe botha jote u ba kryetar!”. Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË