Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi ka folur pas takimit të këtij grupi me kryetarin e partisë, Isa Mustafa ku është diskutuar për koalicionin e ri qeverisës, në të cilin pjesë e tij do të jenë edhe AAK, Nisma dhe komunitetet tjera.
Gashi para mediave ka thënë se njëri nga zëvendëskryeministrat mund të jetë i Listës Serbe.
“Njëri nga ministrat e Listës Serbe mund të ketë postin e zëvendëskryeministrit. Sa i përket zotit Pacolli. Çështja e koronës na ka mësua që të bashkëpunojmë edhe në distancë. Kryetari i LDK-së dhe Hoti kanë komunikuar edhe me zotin Pacolli”, ka thënë Gashi.
Gashi po ashtu tha se në qoftë se partitë tjera mendojnë se ka shkelje në dhënien e dekretit, ato mund t’i drejtohen Kushtetueses.
“Sa i përket dekretit, është e drejtë e secilit që mendon se iu ka mohuar një e drejtë t’i drejtohet Kushtetueses, nuk jemi ne ata që e vlerësojmë”, tha Gashi.
Ai shtoi se ende nuk janë caktuar ministrat e LDK-së, dhe për emrat nuk është diskutuar sot.
Gashi po ashtu tha se me gjasë koalicioni mes partive do të përmbyllet nesër.
“Nuk janë caktuar ministrat e LDK-së. Sot nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm. Emri do të dërgohet sapo të jenë përfunduar koalicionet. Shpresojmë, besojmë sot dhe nesër të mbyllet koalicioni, dhe të marrim përsipër formimin e qeverisë. Ditën pasuese pas koalicionit do ta dërgojmë emrin”, ka thënë Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se sot mund të finalizohen koalicionet.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ose nesër mund të finalizohen koalicionet për qeverinë e re.
“Kishim një mbledhje të Grupit Parlamentar, mbledhje koordinuese, i pranishëm ishte edhe kandidati për kryeministër, po presim që me formalizmin e kaliconeve që do të bëhen shumë shpejt brenda ditës së sotme ose nesërme të procedojmë më shpejt me seancën e jashtëzakonshme”, deklaroi Gashi.
Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes atëherë edhe finalizohet koalicioni.
“Akoma nuk kemi nënshkruar asnjë koalicion. Formalizimi me nënshkrim ndoshta do të bëhen sot”, deklaroi Gashi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar ku është prezantuar plani qeverisës.
Pak minuta më parë ka përfunduar mbledhja e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa me deputetët e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i këtij subjekti, Isa Mustafa pritet që ua ka paraqitur deputetëve të tij platformën për qeverinë e re.
Ka filluar të mbahet mbledhje e Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mbledhja po mbahet në zyrat e partisë, ndërsa Grupit parlamentar do t’i drejtohet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Deputetët e LDK-së do të shohin përbërjen e qeverisë së re, me emra konkret dhe të gjitha detajet e marrëveshjes, të cilat akoma nuk janë bërë të ditura për publikun.
Kujtojmë se javën e kaluar në mbledhjen e Kryesisë, LDK vendosi që të emëroj si kandidat për kryeministër Avdullah Hotin.
Ky vendim i kryesisë u përkrah edhe nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.