Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023, ka katër objektiva kryesore, ku më e rëndësishmja është rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikëbërje, por shoqëria civile shprehet skeptike sesa është e mundur të bëhet pjesë e saj duke thënë se ka mungesë të transparencës.

Ndër objektivat tjera të kësaj strategjie janë rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për OSHC-të, zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktimin e OSHC-ve për ofrimin e shërbimeve publike, dhe rritja dhe promovimi i vullnetarizmit në programet me interes publik.

Me rastin e lansimit të kësaj strategjie, Taulant Hoxha, përfaqësues i CiviKos-it, ka thënë se organizatat e shoqërisë civile janë të shqetësuara dhe të dëshpëruara lidhur me shpresën e këtij bashkëpunimi, shoqëri civile -Qeveri.

Ai tha se do të ketë shumë probleme për të diskutuar për një bashkëpunim të mirëfilltë në kohën kur deputetët e kanë aprovuar një ligj që rrezikon ekzistencën e OJQ-ve.

Për këtë humbje të besimit, Hoxha tha se përgjegjësia kryesore është e atyre që kërkojnë mandate udhëheqëse dhe e marrin mandatin nga qytetarët.

Ai tha se do të vazhdojnë të angazhohen për të bërë këtë bashkëpunim që të japë rezultate konkrete, por ai tha se shpreson që pas disa vitesh do të bisedojnë se Qeveria vërtet ka ndarë buxhet për zbatimin e strategjisë, të flasin për atë se si zyrtarët publikë kanë prirë në seriozitetin gjatë takimeve dhe punës që e kanë pasur.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk janë një Qeveri që vajton, por një Qeveri që përballet me të gjitha problemet e vendit.

Kreu i Qeverisë duke përmendur aksionin e organizuar për pastrimin e Kosovës, ka thënë se ai nuk i përket logjikës së vajtimit, e as Qeveria që ai e drejton, por janë për t’u përballur. E, sipas tij, ka qenë vetë ideja e Qeverisë për të ndodhur pastrimi i Kosovës.

Ndërkohë, derisa ka folur për rëndësinë e lansimit të Strategjisë ka thënë se ka për qëllim vazhdimin e komunikimit të rregullt me shoqërinë civile dhe partnerët e tjerë.

Ai tha se duhet të jenë krenarë pasi treguesit e Bankës Botërore për politikëbërje, Kosova është renditur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të politikëbërjes në Qeveri.

E për ta vazhduar këtë punë, Haradinaj tha se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është marrë vendimi për themelimin e Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile, i cili nuk do të ketë për mandat vetëm zbatimin e Strategjisë, por do të jetë mekanizmi kryesor i cili do ta koordinoj të gjithë procesin e bashkëpunimit të Qeverisë me shoqërinë civile.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se kjo strategji është një zotim shumë i rëndësishëm për një dialog gjithëpërfshirës për zhvillimin e një mjedisi të favorshëm për shoqërinë civile në Kosovë.

Sipas saj, OSHC-të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në jetën demokratike të shoqërisë, pasi përmes avokimit dhe rolit të mbikëqyrjes kontribuojnë për të mbajtur institucionet të përgjegjshme.

Dajana Berisha, përfaqësuese e Qendrës Burimore për Shoqëri Civile, tha se në hartimin e politikave zhvillimore për vendim një rol të rëndësishëm e luajnë qytetarët dhe OJQ-të.

Ndryshe, Strategjia e parë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile është miratuar në korrik të vitit 2013.

MUND TË JU PËLQEJNË