Numri i rasteve të raportuara të dhunës seksuale ndaj grave është rritur gjatë viteve të fundit në Kosovë.
Këtë e pohojnë nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, duke apeluar te gratë që rastet e dhunës seksuale të lajmërohen menjëherë dhe të trajtohen.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për EO, ka deklaruar se krahas adresimeve të dhunës në familje, ndryshme janë bërë edhe në rastet e dhunimeve seksuale.
“Krahas adresimit të dhunës në familje ne kemi bërë ndryshime në raport me rastet e dhunimeve seksuale. Me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, tashmë personat që shpallen fajtor për dhunë në familje apo dhunë seksuale, me vendim të gjykatës gjegjësisht me një dënim tjetër plotësues krahas kryesor, shqipton edhe dënimet për ndalim të punësimit në institucionet e Republikës së Kosovës dhe ndalohet që të përfitojnë edhe në disa aspekte të tjera”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu u shpreh se nuk duhet të neglizhohet asnjë rast i dhunës seksuale.
“Ne kemi miratuar protokollin për herë të parë që del nga Konventa e Stambollit, protokollin për trajtimet e rasteve të dhunimeve seksuale. Ajo çfarë besoj dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, është se secili institucion në Republikën e Kosovës ta bëjë punën që e ka në përgjithësi. Në këtë kuptim nuk duhet të neglizhojmë rastet e dhunës seksuale”, tha Haxhiu.
Për rastet e dhunës në familje, ministrja Haxhiu theksoi se në vazhdimësi informohen dhe trajtohen nga ana e institucioneve të drejtësisë.
“Ne i trajtojmë këto raste në vazhdimësi, marrim informacione në vazhdimësi se si po trajtohet këto raste, por duhet të theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që veprimet apo vendimet nga ana e institucioneve të drejtësisë të jenë edhe profesionale edhe të ashpra. Sigurisht që besoj që në rast që kemi përgjegjësi institucionale në raport me këto raste, do ta arrijmë që të minimizojmë këto raste sepse përbëjnë shqetësim serioz për shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.