Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për përleshjen e armatosur mes dy grupeve “Sekiraqa-Capat” që ndodhi para pak ditësh në Prishtinë, e nga e cila mbeti i vdekur një person, njofton Klankosova.tv.
Ajo u bëri thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë dhe siç tha ajo, që të mos lejojë kriminelë e grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla.
“Në këtë rast ju inkurajoj që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, gjykatën kompetente. Ajo që doja të thosha unë është që për mua është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin. Prandaj bëj thirrje secilit institucion që të kryejë detyrat me përgjegjësi më të lartë, të mos lejojnë kriminelët apo grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm. Është tejet e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët nuk e kryejnë detyrën që kanë”, tha ministrja Haxhiu në një konferencë për media, njofton Klankosova.tv.
Një përleshje e armatosur ndodhi mbrëmjen e së dielës në Prishtinë, ku si pasojë një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën.
Të përfshirë në këtë rast, ishin dy familje të njohura të kryeqytetit, ajo Sekiraqa dhe Gashi- Capat.