Rëndimi i gjendjes me COVID-19 ka shtyrë dje Listën Serbë të caktojë orë policore në komunat veriore të vendit.
Ndaj kësaj situate ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se qeveria Hoti sikurse edhe ajo Kurti i nënshtrohen Serbisë duke lejuar shkelje të sovranitetit në veri të vendit.
Ai ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës e cila sipas tij nuk u pyet për vendimin e djeshëm kur në këto komuna u caktua orë policore nga 21:00 deri në 05:00.
Sipas Haxhiut qeveria Kurti kishte shkuar edhe më larg me nënshtrim ndaj Serbisë , sa që kishte pranuar 200 “profesionistë shëndetësor” nga Serbia për të monitoruar situatën e pandemisës në Kosovë dhe kishte pranuar 1000 teste donacion nga Serbia, duke ndihmuar Vuçiqin e Serbinë të prezantohen si shumë “human” në mediat botërore.
“Apeloj që sa me shpejtë të miratojmë Ligjin Anti-COVID-19, i cili do të jetë i zbatueshëm për tërë territorin e Republikës së Kosovës” – ka shkruar Haxhiu.
Postimi i plotë:
Qeveri të nënshtrimit ndaj Serbisë dhe mashtruese ndaj qytetarëve të Kosovës•
Qeveritë Hoti e Kurti i nënshtrohen Serbisë, duke lejuar shkelje të sovranitetit në veri të vendit.
Nga dje “Krizni Shtab” i Veriut në koordinim me Beogradin ka caktuar orë policore në komunat veriore të Kosovës nga ora 21:00 deri në 05:00. Për këtë vendim fare nuk janë pyetur Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, të cilat po nënshtrohen këtij vendim të Serbisë.
Një situatë e njejtë kishte ndodhur edhe në Qeverinë Kurti, kur Qeveria e Serbisë kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore në veri në koordinim me këtë “Krizni Shabin” e veriut, ndërsa Qeveria Kurti i ishte nënshtruar një vendimi të tillë.
Qeveria Kurti kishte shkuar edhe më larg me nënshtrim ndaj Serbisë, sa që kishte pranuar 200 “profesionistë shëndetësor” nga Serbia për të monitoruar situatën e pandemisës në Kosovë dhe kishte pranuar 1000 teste donacion nga Serbia, duke ndihmuar Vuçiqin e Serbinë të prezantohen si shumë “human” në mediat botërore.
I proklamuar koalicioni i shpresës po na del të jetë koalicion i mashtrimit dhe nënshtrimit ndaj Serbisë.
Apeloj që sa me shpejtë të miratojmë Ligjin Anti-COVID-19, i cili do të jetë i zbatueshëm për tërë territorin e Republikës së Kosovës.