Një rast i pazakontë ka ndodhur para disa ditësh në qytetin e Kaçanikut. I sëmuri me koronavirus, Vebi Berisha ka akuzuar mjekun kujdestar të Ambulancës për neglizhim dhe përbuzje.
Në një komunikim të Berishës, të siguruar nga “Indeksonline”, shpjegohet se si QMKF-ja nuk e dërgoi atë me makinën e ndihmës së shpejtë nga Kaçaniku për në Prishtinë.
Arsimtari i Gjuhës Shqipe, nga Runjeva e Kaçanikut, i infektuar me Covid-19 ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga një kushërirë i tij.
“Respekt kolektivit por jo individëve. Me 25.04.2020 ora 2 të mëngjesit jam sëmurë rënda nga Covid-19. Mirë prej Zotit. Për krahësh më kanë dërguar në shtëpinë e shëndetit. Mjeku kujdestar më lëshoi udhëzimin për në Prishtinë. Kur i kërkuam kerrin e ndihmës së shpejtë, nuk na e dhanë edhe pse ishin tri kerre. Gjeni kerr na thanë. E thirrëm djalin e vëllait. Më dërgoi në spital. U tmerruam si nuk na kanë sjellë me ndihmë të shpejtë”, shpjegon ai.
Më tej, Berisha paralajmëroi se për këto veprime do t’i drejtohet organeve të drejtësisë.
“Kjo pra ishte sjellja e mjekut në kohë pandemie e shpallur nga OBSH. Ka vepër për ballafaqim, po të shërohem njëherë”, ka deklaruar ai.
Ky veprim është cilësuar skandaloz nga Shoqëria Civile e Kaçanikut. Valdet Raka, nga organizata “Gjethi” ka thënë se dikush duhet të jep përgjegjësi për këtë rast.
“E kuptojmë punën e palodhur dhe shpreh respektin maksimal ndaj mjekeve dhe gjithë atyre që janë në vijën e parë të frontit. Por, reagimi i Prof. Vehbi Berishës duke treguar ndodhinë e asaj nate është e pafalshme dhe dikush duhet të jep përgjegjësi për këtë! Por, sinqeriteti i tij edhe në gjendje të rëndë, prapë, jep konsiderata për kolektivin!
Shtrohet pyetja pse komuna e Kaçanikut respektivisht Drejtoria për Shëndetësi nuk merr masa që gjatë natës të jenë më shumë se një shofer duke pasur parasysh situatën që gjendemi dhe çfarë ndodhi me konkursin e shpallur për dy shoferë?! Të jemi më vigjilente sidomos gjatë kësaj pandemie”, ka deklaruar ai