Vala

Shkruan: Bekim Brestovci
Kohëve të fundit shkuarja e të rinjve për punë në shtetet e Bashkimit Evropian është bërë një nga temat kryesore në shumë media e portale.

Për këtë dukuri u diskutua edhe në Parlamentin e Kosovës, gjersa nga Partitë politike po përdoret si argument për të kritikuar e ofenduar njëra-tjetrën.

Kosova jonë e dal para 20 viteve nga lufta, me një ekonomi të shkatërruar totalisht, sot me popullatën më të re në Evropë, me një moshë mesatare prej 25 vjet, me afër 30.000 të diplomuar në vit, nuk e ka aspak të lehtë që në hapësirën e vet të ngushtuar gjeografike t’i sistemojë të gjithë punëkërkuesit.

Problemi për punësim bëhet aq edhe më i ndërlikuar në Kosovë me vetë faktin që gatishmëria për t’i bërë të njëjtat punë në Kosovë me ato që shqiptarët i bëjnë në shtetet e Evropës mungon.

Atje bëhen punë pastrimi, hapje të kanaleve, punë të rënda ndërtimi, punë bujqësie, kopshtarie, e kështu me radhë, përderisa në Kosovë është vështirë të gjinden punëtorë të gatshëm për t’i bërë këto punë!

Këso “IKJE”, siç po e quajnë të tjerët, përderisa unë e quaj SHKUARJE apo MIGRIM EKONOMIK, do ketë edhe në të ardhmen. Do të ketë edhe kur Kosova do jetë më e zhvilluar ekonomikisht se sa që është sot, do ketë edhe atëherë kur të ndërrohen qeveritë, e edhe atëherë kur pagat në Kosovë do jenë dyfishi i pagave që janë sot.

Migrim ekonomik kemi në të gjithë botën dhe kjo dukuri nuk është e theksuar vetëm në Kosovë.
Gjermania dhe shtetet e Evropës Perëndimore, si një treg i madh pune, janë plot e përplot me fuqi punëtore që erdhën dhe po vijnë nga Rumania, Bullgaria, Greqia, Çekia, Kroacia e shumë e shumë shtete, të cilat nuk kanë nevojë për viza pune.

Fundja, edhe gjermanët migrojnë për një pagë dhe për një jetë të mirë. Sot spitalet në Gjermani janë gjysmë të boshatisura nga mjekët dhe personeli gjerman, ngase ata po migrojnë për një pagë më të mirë në Zvicër, Australi e deri në Zelandën e Re.

Të rinjtë tanë që po ia mësyjnë tregut të madh të punës evropiane, po bëjnë vetëm atë që një ditë edhe për ne, shtetasit e Kosovës, do duhej të jetë një realitet i krijuar.

Ne një ditë do të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane dhe më nuk do ketë rëndësi se kush ku punon.

Shqiptarët nuk po IKIN nga vendi i tyre, sepse për të IKUR duhet të jesh i PËRNDJEKUR. Ata po shkojnë për të punuar aty ku ka treg pune, po shkojnë për të marrë njohuri të reja pune, po shkojnë për ta ndërtuar një mirëqenie ekonomike për vete dhe familjet e tyre, po shkojnë për t’u kthyer prapë, por tani jo për të kërkuar punë, por për t’ia sjellë vendlindjes përvojën dhe investuar kapitalin e krijuar. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË