Kjo intervistë është botuar në Revistën “Kosovarja” nr. 18 dhe 19/ 1991. Po e ribotojmë me rastin e 43 – vjetorit të vdekjes së legjendës kombëtare,Jusuf Gërvallës.
Në mes të fshatit Dubovik, afër Deçanit, gjendet një shtëpi. Para dhjetë motesh, në atë shtëpi, akordonin jetën ritmet e jetës së përditshme burrat, gratë, fëmijët… E, sot, ajo shtëpi e ka vetëm një banor – një grua. Një grua, e cila përjetoi gjithë atë që mund ta përjetojnë vetëm nënat shqiptare. Përjetoi gjithë tmerrin e pushtetit serb. Përjetoi vdekjen e bijve dhe torturat e papara.
Nëna e Bardhit dhe Jusuf Gërvallës, të vrarë nga kriminelët e UDB-ës në Utergrupenbah.
Nëna e Hysenit e Avdylit, që tash janë bashkë me fëmijë në ekzil.
Bisedojmë me të…
E shfletojmë ditarin e saj të pa përshkruar, dhembjen e saj të gurtë, krenarinë e saj të madhe, jetën e një gruaje, të një nëne, e cila është dëshmi e gjallë e së vërtetës së hidhur kosovare…
E, për hir të së vërtetës, që biseda të jetë sa më besnike, bisedën me Ajshe Gërvallën po e japim, në të shumtën, në formë monologu.
Shumë ditë pa ngrënë e pa pirë…
“…Nga t’ia filloj?
Djemtë e mi nuk janë të rastit. As puna e lufta e tyre kundër regjimit e pushtetit serb nuk e ka befasuar askënd.
Familja Gërvalla është e njohur në këto anë si atdhedashëse, e cila tërë barbarinë e Serbisë e përjetoi në pragun e saj, pa u gjunjëzuar asnjëherë, asnjë çast, kurrë…
As Bardhoshi, burri im, i cili ishte kaçak i ndjekur, i burgosur shumë herë, nuk u gjunjëzua asnjëherë. Nuk u gjunjëzua as atëherë kur shkau, të dyzet anëtarët e familjes së tij i kishte futur nën rrethak teli, në një livadh dhe i la shumë ditë pa ngrënë e pa pirë. Dhe, nuk u dorëzua, nuk u përkul…
Ishin ato vite të zeza, loke… Siç këndohet në këngën e Oso Kukës, ishte kohë kur dridhej edhe fëmija në bark të nënës…
E, si të quhet ajo kohë, ai regjim, ai pushtet, i cili në pikë të natës të hynë në shtëpi, në dhomë të fjetjes, trishton, pret e vret pa kursyer as gra e pleq, as fëmijë?!
Eh, seç më kujtohet tash edhe kjo ngjarje: Kishte dalë erfia dhe prej fshati në fshat shkonte duke i djegur kullat, e duke masakruar popullin e pafajshëm.
Dhe, kishin ardhur edhe në Strellcin tonë. I kishin ngujuar në kullë 22 rob shtëpie dhe kullës ia kishin vënë flakën! Ishin djegur edhe fëmijët në djep…
Dhe, me të dëgjuar Bardhoshi, me vrap shkon dhe hynë në një kullë, prej nga, pastaj, nga frenxhia në frenxhi i kishte pas gjuajtur me pushkë dhe nuk ishte ndalur derisa ata kishin ikur, duke menduar se i kishin rrethuar kaçakët.
Thonë, pranë kullave ishin parë shki të vrarë si duajt në ara, siç themi ne, fshatarët.
Dhe, një kohë të gjatë është folur se ra Bardhoshi dhe e shpëtoi Strellci pa u djegur me çka ka…
Por, këtë rezistencë, pushtuesit serb shtrenjtë ia pagoi familja jonë, familja Gërvalla. Përveç të tjerash, Serbia, si edhe shumë familjeve shqiptare anë e kënd Kosovës, na e morën tokën.
Në tokën tonë u vendosën Shaliqët, të ardhur nga Mali i Zi. E punuan dhe e shfrytëzuan rrafsh 52 vjet, aq sa edhe jetuan këtu…
Dhe, s’kishte më vështirë, më rëndë se ta shohësh shkaun duke punuar në tokën tënde, të cilën ta kanë marrë me zor! Shpirti të dhembte, zemra të kallej…
Zaten, ra toka e na vdiq Zymeri, 25-vjeçar, djali i kunatit!
* E, si ndodhi?
Një ditë, teksa kishte dalë në një skaj fushe për të korrë grurin, e të cilën fushë herë na e merrnin e herë na e linin për ta punuar, kishin ardhur xhandarët dhe e kishin kërcënuar:
“Mos të të shohim kurrë më këtu! Kjo tokë është e Zorkës!”.
Djali kthehet në shtëpi me dhembje të madhe koke, aq sa edhe e qiti në shtrat… Në krye të shtatë ditëve vdiq. La babanë plak dhe gruan e re me 5 fëmijë…
Dhe, pas 52 vjetësh, kur kishin vendosur të iknin, e blemë tokën tonë. E blenë djemtë e mi. E blenë Hyseni, Bardhi, Jusufi e Avdyli.
Fotografitë e Jusufit dhe Bardhit në ballë të dhomës
Dhe, tek bisedonim me nënën Ajshe, shikimi vetvetiu të ndalet, të ngulitet në portretin e Jusufit dhe të Bardhit në ballë të dhomës, por edhe në fotografi të tjera të familjes Gërvalla.
Në dhomë gjendet edhe pianoja e Jusufit, të cilën, siç tregon nëna Ajshe, ia kishte falur Rafet Rudi, shoku i tij i ngushtë i jetës e i punës.
Këtu ndodhet edhe tavolina e punës, në të cilën poeti shkroi veprat, të cilat janë të renditura njëra pas tjetrës… Lexojmë: “Kanjusha e verdhë”, “Fluturojnë e bien”…
Dhe, derisa nëna Ajshe qohet për të veshur një xhemper se ishte pak ftohtë, unë shfletoj “Kanjushën e verdhë”. Ndalem në faqen 49. Është poezia “7 ditë në Dubovik” dhe nxjerri këto vargje:
“…merrni nga fjala ime veç atë që s’është ndarje
s’po ju përshëndes për të fundit herë në këtë fushë
veçse në fundin tim po vij të vërtetë e të shëndoshë
si sëmundje prej së cilës në shtrat do të vdes
në bar në anije a në botë krejt esëll”.
… Ke të ftohtë? – e pyes nënën Ajshe, teksa ulet pranë portreteve të fëmijëve të vet, dëshmorëve të kombit, të cilëve ua morën jetën veç pse e deshën Kosovën të lirë…
– Pssst! – foli ajo, duke e vënë gishtin mbi buzë dhe vazhdoi: – Po më dëgjon Jusufi! Nuk guxoj të them se kam të ftohtë!
Dhe, derisa me dorë ledhaton portretet e fëmijëve, vazhdoj t’i lexoj vargjet në faqen e hapur të librit:
“ndërmend s’e pata të bëhem poet i çmendur
urtësi, qartësi do t’i kem fjalë të para
në ngushticë do të jem me ju, për ju në festë do të këndoj…”.
Po, a ndahet shpirti?
…E, ç’të flas më?
Të flas si i rrita bijtë?
Shpesh e thoshte Jusufi: Skamja e sëmundja nuk janë marre. Prandaj, nuk është marre të them se ata i kam rritur për gazep. Baba u vdiq menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ia përtëriu emrin djali – Bardhi, që lindi ato ditë zie e varfërie. Ishin vitet e zhgënjimit, kur të gjithë shqiptarët po e kuptonim se liria e premtuar s’kish qenë tjetër veçse mashtrim…
Jeta ishte e vështirë, në mos edhe më e rëndë sesa ishte para lufte. E vështirë, sidomos për shqiptarët, të cilët mbetën të jetojnë të ndarë, në dysh. Po, a ndahet shpirti?
Varfëria vazhdoi në familjen tonë ashtu si ishte edhe më parë, por tash edhe më të zhgënjyer, të thyer. Por, me shpresë se herë do kur do të vijë e mira, liria edhe për ne…
E, bukë nuk kisha për të shtruar në sofër… Dhe, ç’të bëjë nëna e shkretë?
Më digjej shpirti kur i shihja fëmijët rreth sofrës së thatë!
Nga t’ia mbaj?
Si t’ia bëj?
A jetohet kështu?!
Kisha shumë dëshirë për t’i shkolluar. Por, kushtet çfarë i kisha, e kisha vështirë për t’i rritur, e lëre më të mendoja për shkollimin e tyre…
Djali i madh, Hyseni, e kishte kryer tetëvjeçaren dhe punonte nga pak, aty-këtu, sa për idare…
Por, zemra më rrinte e ndarë derisa kthehej në shtëpi. Kisha frikë për të, larg qoftë të mos e gjejë gjë…
Thirrej Gërvalla dhe e dija se këta qenë nuk harrojnë… E dija se ata nuk e kanë as gajle pse ishte fëmijë… Si mendja e nënës më, që fluturon kahmos…
Dhe, ç’të them tjetër?
Duke ditur se ç’jetë bëja, dy djemtë e kunatit, të cilët kishin shkuar më herët në Slloveni, një ditë ma dërguan një letër, në të cilën shkruanin që t’ua dërgoja Hysenin, për ta punësuar atje.
Jo se ishte i ri, por më dhimbsej ta ngarkoja me telashe e kurbet të zi në moshën e tij. Sikur nëna që mendon për evlat më…
Letrën e kishte lexuar Hyseni dhe nga ajo ditë, përditë më luste që të shkojmë bashkë, të ikim nga varfëria. Ishte i ri dhe nuk ia zija për të madhe që mendonte kështu…
Një ditë i tubova fëmijët, të katërtit, dhe shkova te vëllai në Pejë. Shkova që të rrija ndonjë ditë, por edhe të konsultohesha me të. Ta dëgjoja fjalën dhe mendimin e tij.
Ndërkohë, pa dijen time, me paratë që kishte mbledhur për disa ditë që kishte punuar, Hyseni i kishte blerë dy bileta për Lubjanë.
I thashë: “Po, pse dy bileta, moj nënë?”.
“Po, a të rrihet pa mua, a?”, ma ktheu.
“Do të shkojmë, pra, të gjithë. Kështu mendon edhe daja. Vërtet, këto fjalë m’i tha vëllai, i cili edhe na bleu të gjithëve nga një teshë për të mos u dukur aq të mjerë, të varfër në sytë e dynjasë.
Më kot i thosha se për mua ky udhëtim, mbase do të ishte koritje edhe për të, edhe për tërë katundin. Por, e tillë ishte koha atëherë…”.
Në anën tjetër, e dija se fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllën kurrë. Por, më mirë është shikoje punën tënde… Fëmijët e tu mos i lë rrugëve…
“Mos u mërzit se një ditë do të bëhet mirë! Me emër të Zotit do të bëhet mirë!”, kështu më tha e më këshilloi im vëlla, gjatë rrugës deri në stacionin e trenit.
– Motër, dua të të them diçka. – më tha derisa e prisnim trenin e zi.
– Fol, vëlla! – iu gjegja pa menduar se për çka e kishte fjalën.
– Unë Jusufin po e ndali.
– ?! – u bëra gur.
– S’dihet, udhë është kjo. Ky bile le të mbetët farë e Bardhosh Dinës. Do e rrisë me fëmijët e mi. S’ke pse brengosesh për të…
Dhe, nuk kisha kohë të mendoja as të them gjë…
Hipëm në tren dhe ai, menjëherë, u nis. Por, zemra më mbeti në stacionin e Pejës…
* Jusufi mbet në Pejë, a?
– Në shtëpinë e vëllait u rritë Jusufi, por edhe Bardhoshi. Në Pejë u shkolluan të dy. Jusufi kreu edhe gjimnazin. Për pushim veror, por edhe ndonjë tjetër, vinte në Kranj, tek punoja e jetoja bashkë me Hysenin e gruan e tij.
Para se të vinte më shkruante se në cilën ditë vjen me tren nga Peja dhe unë mezi e prisja atë ditë, trenin nga Kosova…
Kishte ditë që i shihja udhëtarët duke dalë nga treni dhe shikoja mos e shihja edhe Jusufin…
* Sa vjet keni qëndruar në Slloveni?
– Sa më kujtohet, se tash jam plakur, patëm shkuar në vitin 1958, e jetuam atje deri në vitin 1972. Atje Bardhi studioi anglishten dhe, pastaj, e vazhdoi në Prishtinë.
E, Jusufi, sa herë që vinte, i interesonte shumë gjuha sllovene dhe nisi ta flasë mirë, aq sa edhe nisi të përkthej nga sllovenishtja në shqip.
… Si nxënës e student i albanistikës, Jusufi, por edhe Bardhoshi, çështjen kombëtare e mishëruan me botën shpirtërore. Dhe, duke i vërejtur synimet reaksionare të regjimit, i cili jetësonte shkallë-shkallë projektin qubrilloviqian, vëllezërit Gërvalla çështjen kombëtare, nga preokupimi shpirtëror e ngritën në detyrë jetësore, e bën ideal.
Pas demonstratave të vitit 1968, filloi një fazë e re në raportet ndërnacionale, e në veçanti për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi.
Në të vërtetë, derisa euforia e përmasave më të gjera i kishte pllakosur një numër të madh individësh e grupesh, të cilët ishin të gatshëm të pranojnë çfarëdo kompromisi në relacionin Kosova-Serbia-Jugosllavia, në anën tjetër, grupe dhe individ kurrë nuk kanë pushuar së vepruari dhe angazhuari në drejtim të pavarësimit të plotë të Kosovës. E, kësaj kategorie i takonin edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla.
…Isha një herë te Jusufi, në Prishtinë. Dhe, derisa një natë paloste libra në vitrinë, unë bëja muhabet me Suzanën, gruan e tij. Ai, në një moment, me zë nisi të lexoj vargje nga një libër…
– Ti i ke shkruar, a? – e pyeta.
– Jo, nënë, i ka shkruar Migjeni. – më tha, duke ma ofruar librin që ta shikoja fotografinë e Migjenit dhe shtoi:
– Ka vdekur 27 vjeç, në kurbet, moj nënë…
– Ç’do të thuash me këto fjalë, Jusuf? – e pyeta, pasi ndjeva një ftohësi në zemër, pas fjalëve që i foli.
– Po, edhe ky ka pasur nënë, moj nëna ime, që aq fort mërzitesh për mua…
Dhe, prej asaj nate, gjithmonë më rrinte mendja atje… tek zemra e nënës nuk e dëshiron fare.
* A e ke ditur se ai punonte kundër regjimit serb?
– E kam ditur, se e ka pasur gjakun e babait të vet. E kam ditur se e donte Kosovën të lirë më shumë se veten…
* Po, që shkoi në Gjermani?
– Me Avdylin ato ditë ndodhesha te vëllai në Pejë. Vonë në mbrëmje erdhi Uka, nipi im, paksa i zbehur e i trembur.
A thua, çka ka ndodhur në Dubovik? – e solla në mendje, por edhe e pyeta: – Çka ka të re, Uka i nënës?
– Jo, asgjë… – më tha, por e vërejta se ia bëri me kokë Avdylit që të dilte jashtë pas tij.
Dhe, nuk vonoi e Avdyli u kthye, por edhe më i zbehur se Uka.
– Nënë, bëhu e fortë. Bacën e paskan burgosur…
– U bëra gur. Kam qarë pa lot…
Ç’është më e fortë se zemra e nënës?
M’u zgjat rruga shumë derisa arrita në shtëpi. Ishin bërë dhe të gjithë. Seç më sosi diçka në zemër, tek i pash sytë e përlotur të fëmijëve.
Ma mori mendja se çka kanë mundur të bëjnë… Po, sytë ishin për të parë. Dhe shoh: tërë shtëpinë e kishin përmbysur. Asgjë nuk ndodhej në venin e vet…
Më treguan, pastaj, se shumë milicë e kishin rrethuar shtëpinë dhe në ferk të mëngjesit, pa trokitur fare, siç hynë hasmi i ligë, kishin hyrë në shtëpi, i kishin hallakatur odat, kishin hyrë edhe në dhomat e fëmijëve, edhe pse ata ishin në gjumë…
Para syve të të gjithëve e kishin lidhur Hysenin dhe, duke e përplasur, e kishin furur në një veturë të kaltër, e pas tij shumë vetura me milicë kishin shkuar, duke i lëshuar sirenat, që ta zgjonin dhe frikësonin tërë fshatin…
Dhe, seç m’u dridh zemra kur dikush nga nipat a nuset e përmendi emrin e Jusufit…
Çka Jusufi? – iu drejtova me gjysmë zëri.
– E kërkuan këtu edhe axhën Jusuf, nënë! – më tha nipi, Dukagjini, i cili nuk dinte t’më shkoqej nga prehri.
Eh, nënë shkreta, thash në vete, tek më dolën para syve mundimet, përjetimet derisa i rrita të katër, të cilët, si çdo zemër nëne, kisha dëshirë t’i shoh të lumtur… Por, ç’të bësh, kur jeta kosovare është e tillë?!
Dhe, kështu, brez pas brezi, gjithmonë të vuajtur, të ndjekur pse je shqiptar, pse e do lirinë, pse e do Kosovën më shumë se veten… Çudi, apo jo?!
E, dy ditë pasi e morën Hysenin, sërish erdhën natën dhe e rrethuan shtëpinë. Nuk lëvizën deri në ag të mëngjesit. Tërë natën kishin vëzhguar se kush hynte e kush dilte nga shtëpia jonë…
Në mëngjes, pasi e përcolla Dukagjinin për në shkollë, nuk shkoi shumë kohë e u dëgjuan zëra të panjohur në oborr. Dola… dy vetë e kishin kapur për qafe Dukagjinin dhe e binin drejt derës së odës.
– Pse nuk shkove në shkollë, biro? – i thashë Dukagjinit, derisa ai vrapoi drejt meje, i trembur.
– Këta më pyesin për axhën Jusuf. – më tha, teksa edhe m’u hodh në gjoks.
– Jusufi nuk është këtu. – u thashë.
– E dimë. – tha njëri, teksa shikonte shtëpinë.
– Atëherë, çka doni?
– Ku është? – pyeti tjetri, i cili i ftoi milicët tjerë që të afrohen. Dhe, pa një e pa dy, më shtyri, që t’ua liroja derën për të hyrë brenda, që të bastisnin…
– Çka di unë? – u përgjigja, duke u shtyrë që të hyja unë e para në shtëpi, që të gjendesha pranë fëmijëve, të cilët ende flinin.
– Të gjithëve do t’u burgosim! Do ta shihni… – më tha ai, i cili edhe i urdhëroi milicët që të rrotullonin çdo gjë në shtëpi.
– Do ta shihni edhe ju një ditë vetveten! – ia ktheva.
– Hesht, sa je ende gjallë! Përndryshe… – më tha, duke ma drejtuar revolen.
Zot, a thua, ku është Jusufi?! Ishalla nuk bie në duar të tyre! – u luta, derisa ata dolën me shpejtësi dhe i përcolla me shikim derisa dolën nga oborri.
Dolën, ikën… Por, sërish u kthyen edhe shumë herë… Dhe, dikur u mësuam me ta. U mësuan edhe fëmija. Natën, ditën. Në terr, në ag. Vinin kur u tekej!
Rrotullonin e përmbysnin çdo gjë në shtëpi. Bërtisnin, shanin dhe iknin, për t’u kthyer të pashpirtët sërish ditën e natën tjetër…
Të pashpirt ishin edhe ditën kur me forcë e morën Avdylin. Kurrë s’e harroj pamjen e Vjosës së vogël, e cila i ishte ngjitur për qafe dhe nuk i shkoqej dot…
Kur policët e futën Avdylin në veturë, Vjosën e përplasën në tokë… E lanë duke qarë me lot e britmë: “Mos ma merrni babën! Mos ma merrni!”.
Eh, nënë e shkreta, po shumëçka pe! Shumëçka durove! – thash me vete, derisa vrapova te vajza, e cila, pasi u ngrit, vrapoi pas automobilave të milicëve, e ku na e morën edhe mashkullin e fundit që i jepte krahë shtëpisë. Sepse, të tjerët ishin të vegjël, fëmijë.
Po, ç’është më e fortë, më e madhe se zemra e nënës?
Seç u gëzova se Jusufi kishte ikur në Gjermani…
Dhe, merreni me mend, të gëzohesh pse djali të është larguar dhe Zoti e di kur mund t’ia shohësh sytë?! Por, më mirë të jetosh duke e ëndërruar, sesa në duart e tyre. Sepse, edhe ashtu, dy të tjerët, Hysenin e Avdylin i kisha në burg…
… Pas valës së arrestimeve që filluan në vitin 1979, Jusufi detyrohet ta braktisë Kosovën dhe arratiset në Gjermani, ku edhe kërkon azil politik. Ai, me të arritur në Gjermani,, vendoset në afërsi të Shtutgartit, ku edhe vazhdon aktivitetin politik. Konsolidohet me të vëllanë, Bardhoshin, punëtor social në Gjermani dhe poliglot i vërtetë dhe nis të redaktojë gazetën “Bashkimi”, i cili dilte si organ i Fronit të Kuq Popullor, e në të cilën arrin që me artikuj origjinalë dhe të huazuar ta shndërrojë në një tribunë, vërtet, patriotike dhe vendstrehim për shumë të ikur politikë nga Kosova. Aty dolën edhe “Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, “Zëri i Kosovës”.
Por, Jusufi kishte brenga të mëdha për familjen e mall të zjarrtë për Kosovën. Jusufi kishte brenga edhe për fatin e bashkëshortes së tij, Suzanës, e cila do i nënshtrohej një represioni të paparë fizik e psikik nga organet e sigurimit.
Lajmi i zi…
…Aq u gëzova, por edhe aq u mërzita kur shkuan Suzana dhe fëmijët e Jusufit, Premtoni dhe Donika. U gëzova se do të shpëtojnë nga represioni e maltretimet, e u mërzita se Zoti e dinte kur do i shihja më… Fort u mërzita…
Dëgjoja lajmet në radio, në televizor: Sot në filan vend të Gjermanisë, të Zvicrës, u bënë demonstrata të mëdha antijugosllave, tek u prinë Jusuf Gërvalla.
Eh, të pastë nëna! – thosha pas këtyre fjalëve të lajmeve. – Nuk e koritë ai gjakun e vet, as babën e vet… Kështu thosha pas çdo lajmi që jepej për të.
Dhe, kështu, në këtë dynja, njëherë isha grua e armikut, e tani u bëra edhe nënë e armikut! E, ç’t’ju them?
Isha krenare pse isha nënë e armikut të pushtetit serb, i cili kurrë s’diti të ngopet me gjakun tonë sa ajo kuçedra në këngët e Gjergj Elez Alisë. Tash e dhjetë vjet, tash e pesëdhjetë vjet, për ditë na e merr nga një shpirt e ushqehet me gjak shqiptari!
Pra, isha krenare pse isha nënë e armikut të pushtetit të tillë, por në zemër gjithmonë më rrinte një frikë se mos do i ndodhë ajo më e keqja…
Dhe, kisha të drejtë të frikësohesha, sepse kisha përvojë të hidhur, jetë të hidhur…
* Ke pasur rast të shkosh në Gjermani dhe t’i vizitosh djemtë?
– Po, kam mundur. Por, droja se do lë gjurmë për këta të pushtetit, të cilët na përcillnin natë e ditë, ku e nga shkonim…
E përcillnin tërë Dubovikun, kush vinte e prej nga vinte. Përcillnin kush hynte në shtëpinë tonë, kush dilte…
Dhe, kështu, e kishim rojën që na “ruanin” e “kujdeseshin” për ne e mysafirët tanë… S’mund të lëviznim askund pa e ditur ata…
Një ilake imja shkonte në Gjermani. Dhe, para se të nisej, erdhi te unë e më pyeti mos kam ndonjë porosi për djemtë.
I thash nuk kam çka t’u çoj, pos një fjalë goje: “Thuaj Jusufit fluturo e bjerë në strofullog tëndin! Pusho pak, që t’më pushoj edhe mua zemra pak!”.
E kisha fjalën që, në pastë mundësi, të ikte prej aty e të shkonte në Shqipëri. Thashë e mendova: më mirë e më i sigurt se aty s’mund të jetë kurrkund…
Dhe, pas ca ditësh, kur u kthye ajo nga Gjermania, para se të shkonte në shtëpi të vet, vjen te unë. Më tregoi se ia kishte përcjellë amanetin, por m’i tregoi edhe fjalët që ia kishte thënë Jusufi me atë rast:
“Thuaj nënës se strofullogu im është Kosova. Do të fluturoj e do të bie në të atëherë kur do të jetë e lirë, në liri, për të cilën s’jam pishman aspak pse e jap jetën për të. Thuaj të kam nënë të fortë, mos qaj për mua!”.
E, vërtet, pse të qaj? Jo-jo, s’po qaj, por pleqëria i ka fajet e pak jam ligështuar…”.
Dhe, në çast i drejton sytë mbi portretin e Jusufit, portret të cilin më ka rënë ta shoh në shumë shtëpi, në çdo banesë të shqiptarëve në Perëndim.
Jusufi ishte i vetëdijshëm se edhe atje ku jetonte e vepronte për çështjen e atdheut, mund të arrinte dora tradhtare e armikut dhe e tradhtarëve që ishin në shërbimin e tij. Por, siç mësojmë nga betim-deklarata e tij, ai qe i përgatitur për të gjitha.
“Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, fillimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe, s’do të ketë forcë që do na ndalë në rrugën tonë të ndritshme…”.
…Nja tri ditë para se të vinte lajmi i zi, Zoti ma lëshoi një gjumë të rëndë. Aq të rëndë, sa në natën e fundit nuk kam mundur të qohem për të ngrënë darkë, ani pse rejat më thirrën disa herë…
Kam qenë shtrirë në krevatin afër televizorit dhe, si në ëndërr, i kam dëgjuar fjalët e spikerit, duke e përmendur disa herë emrin e Jusufit.
Jam ngritur dhe, sa desha t’i pyesja fëmijët se isha në ëndërr apo m’u duk se e tha emrin e Jusufit në televizor, Avdyli e ndërroi kanalin dhe e qiti Beogradin.
Serbishten e kuptoja dhe e mora vesh lajmin që e kaploi me dhembje shtëpinë tonë dhe gjithë Kosovën.
Nuk di si kam vepruar në atë moment?! Por, më kujtohet se kam thënë: “Bardhi i nënës, edhe ti a?!
Gjithmonë jam mërzitur për Jusufin, e se do të shkonin të dy përnjëherë nuk e kam ditur e as nuk e kam pritur!”.
Po Kadria? Kush është Kadria? – kam pyetur me zë të lartë, duke i vënë të dy duart mbi krye…
Në çast, i jam lutur Perëndisë: “Zot, m’i ruaj mendtë e ma qo sabrin!”.
Dhe, përnjëherë u jam drejtuar fëmijëve që ia nisën
vajit: “Ju pastë nëna, mos qani! Ata kanë rënë kurban për Kosovën!
U thashë edhe këtë: “Amanet e ka lënë Jusufi të mos mbajmë zi e të mos derdhim lot…
Faleminderit prej katundit! Me të dëgjuar lajmin, kanë ardhur i madh e i vogël për të na dhënë gajret. Por, ka pasur edhe të atillë që s’kanë pasur guxim të vijnë…
Të nesërmen erdhën disa vetë prej komitetit me polici dhe na kërcënuan që të mos e hapim derën për pamje…
– Për miq e dashamirë, dera jonë do të jetë hapur gjithmonë! – u thash me një nervozë të madhe.
Dhe, me ditë të tëra ka ardhur popull mjaft, nga të gjitha anët e Kosovës… Ka pasur raste kur edhe kanë ardhur në pikë të natës. Se e tillë ishte koha… I merrnin në qafë njerëzit.
Por, nuk ua shoh për të madhe edhe atyre që nuk kanë mundur të vijnë ato ditë…
Në këto çaste, derisa ajo tretë shikimin përtej dritares, seç mendoj: Sa të mërzitshëm jemi ne, gazetarët, sa zemërgur! Të rrëqethet trupi nga bashkëbiseduesja e ne shënojmë! Kërkojmë ta rikujtojë atë që ua ka qitur lotin, u ka çelur plagë që s’mbyllet, as nuk shërohet. Se plaga dhemb ditën, dhemb natën…
Nuk kam mbetur vetëm
… Dhembje të madhe më kanë shkaktuar shkuarja e dy djemve të mbetur, Hysenit e Avdylit, të cilët, pasi u liruan nga burgu, u detyruan të ikin, ngase nuk mund ta duronin represionin, maltretimet e çdo ditshme nga pushteti serb.
Mbase e kishin më keq në shtëpi sesa në burg, tek i kaluan ca mote… Ishin lodhur shumë, sidomos Hyseni.
Dhe, edhe pse u liruan nga burgu, çdo të dytën a të tretën ditë vinin për ta “vizituar” dhe i linin thirrje, siç thoshin ata, për bisedë informative! E, nga ato biseda “informative”, gati çdo herë kthehej i ënjtur në fytyrë ose me ndonjë shenjë tjetër “kujtimi”!
Më kujtohet edhe një moment: një ditë sapo kishte aguar, gjumin ma nxorën fjalët e gruas së Hysenit:
– Ç’kërkoni më?! Kush po u duhet tash? A mos doni të na i merrni edhe fëmijët?!”.
Dola shpejt jashtë. I pash ata që veç isha mësuar t’i shihja shpesh, në çdo vakt.
– E tash?! – u thash.
– Tash e gjithmonë! Vijmë kur të duam, loke!Ke gjë kundër?! – më tha njëri prej tyre dhe ia mësyri derës të hyjë brenda…
– Duhet t’ju vijë gjynah prej fëmijëve, o horra! A e shihni se na i tmerruat edhe fëmijët?!
– Edhe sa djem të kanë mbetur, loke? – më pyeti po i njëjti, që më parë ia mësyri derës së shtëpisë.
S’fola…
– Të pyeta diçka, oj kaurresha plakë?! – m’u drejtua, duke m’i zënë shkallët që të mos hyja brenda.
– Paj, po të përgjigjem, o hyzmeqar i shkaut! Brenda pragut të shtëpisë e kam Hysen Gërvallën vetë të dhjetin. E, jashtë pragut, atë djalë që e ka bërë nëna shqiptare është edhe imi, por jo si ti…
Dhe, kurrë nuk më lanë rehat… Nuk u ngopën as me vrasjen e Jusufit, të Bardhoshit, as me ekzilin e Hysenit, të Avdylit.
U larguan edhe nuset, fëmijët, që tash jetojnë me mall të truallit, të arave e fushave, të bjeshkëve të Kosovës…
Mbeta vetëm… Jo-jo, s’kam mbetur vetëm. Shikoni! – dhe bën me dorë kah fotografitë e shumta familjare në mure…
Këtu e kam Jusufin. Edhe Bardhin… Këtu e kam edhe Hysenin e Avdylin… Shikoni ç’trima i ka nëna: Dukagjinin, Armendin…
Këtu është edhe Suzana… Ky këtu është Premtoni… Kjo këtu është Donika… Po-po, shikoni sa është rritur djali i Jusufit?! Është bërë burrë. Është martuar. Ka bërë dasmë të madhe në Tiranë.
Dhe, nëna Ajshe shëtit nëpër fotografitë, duke folur për secilin… Tek ndalet në fotografinë e Premtonit me nuse, e na tregon për takimin me Suzanën e Premtonin pas dhjetë vjetësh. U takuan në Gjermani, aty tek u shënua 10-vjetori i vdekjes së Jusufit, të Bardhit, të Kadrisë…
…Ishim marrë vesh që të takohemi në stacionin e trenit. Suzana me djalë duhej të vinte nga Tirana. Dola me Hysenin për t’i pritur. Pritja më dukej e ngjashme si atëherë kur e prisja Jusufin nga Kosova në stacionin e trenit në Lubjanë…
Hyseni, teksa shkoi të interesohej për trenin që e prisnim, unë mbeta vetëm në automobil. Isha e shqetësuar shumë… Zaten, nuk thonë kot se plaku prej gëzimit përmallohet e prej pikëllimit veç forcohet!
Zemra më rrihte shpejt, më dridhej. Mezi prisja t’i shihja… Sytë i kisha ngulitur në udhëtarët që zbritnin nga treni që erdhi. Mundohesha ta shihja dhe ta njihja Premtonin, të cilin nuk e kisha parë rrafsh dhjetë vjet.
Dhe, ashtu, duke pritur, në një moment dëgjova një trokitje të lehtë në xhamin e veturës. Kur ktheva kokën, pash një djalë që mundohej ta hapte derën e veturës.
Me gjithë zërin bërtiti: “Nëna Ajshe! Nëna Ajshe! Unë jam Premtoni”.
Në ato çaste e pata vështirë… Si shumë herë më parë…
…Ajo ma shfleton ditarin e saj të pashkruar, dhembjen e saj të gurtë, jetën e një nëne të vuajtur, e cila është dëshmi e gjallë e së vërtetës së hidhur kosovare…
Dhe, si më qëllim “Kanjusha e verdhë” kishte mbetur hapur në poezinë “Fletë testamenti”, të cilën e lexova dhe i shënova vargjet:
* * *
vërmëni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë
* * *
le të më lënë të fle i qetë si pranë stufe
dimrit të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohët
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës së qetë të fatit që pret
shigjetë e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos më vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash Zotin?
Gani Dili