Vala

Dashi: Për fat të keq Venusi në pozicion të pafavorshëm do të ndikojë që të kaloni një periudhë vështirësish. Marrëdhënia me partnerin nuk do të jetë fort e mirë.

Ndokush do të përpiqet t’ju këshillojë, duke ju bërë kësisoj nervozë. Të enjten dhe të premten edhe Hënën nuk do ta keni aleate dhe kjo do të ndikojë në aspektin profesional.

Demi: Do të jetë një javë e mbarë për ju, sepse yjet do t’ju favorizojnë. Ky është momenti i përshtatshëm që të tregoni sa vleni. Mos nguroni, sepse rezultatet nuk do të vonojnë të vijnë. Duket se gjithçka do të shkojë mirë në sferën e ndjenjave.

Në fundjavë më në fund do të gjeni qetësi.

Binjakët: Kjo ka qenë një periudhë e ngarkuar për të lindurit e kësaj shenje. Java do të fillojë shumë e mbarë, por të martën dhe të mërkurën mund të hasni ndonjë vështirësi për shkak të ndryshimeve që kanë pasuar.

Mos e lini pas dore partnerin dhe kushtojini vëmendjen e duhur. Hënën do ta keni në shenjë dhe pritet që në punë të merrni rezultate të mira.

Gaforrja: Venusi në shenjën tuaj do t’ju bëjë të dukeni edhe më tërheqës nga ç’jeni. Nëse jeni të përfshirë në një marrëdhënie, ky është momenti i përshtatshëm për të bërë projekte bashkë.

Fundjava do të jetë e mbushur me emocione, ndërsa ditën e enjte mund të ndiheni pak të rënduar shpirtërisht. Peshojini mirë vendimet që do të merrni, sepse ato do të ndikojnë në të ardhmen tuaj.

Luani: Kjo nuk do të jetë një javë fort e mbarë në aspektin profesional. Do t’ju duhet të prisni edhe pak për të pasur sukses. Ditët e para të javës do të jenë më të përshtatshmet për të ndërmarrë iniciativa.

Ndoshta do t’ju duhet të bëni ndonjë kompromis në mënyrë që të mos ju shpëtojnë nga duart rastet e favorshme.

Virgjëresha: Venusi dhe Mërkuri do të jenë në anën tuaj dhe do t’ju dhurojnë ditë të mbushura me surpriza. Të martën dhe të mërkurën një person mund t’ju befasojë me sjelljen e tij.

Mos humbni kohë, por përfitoni nga rasti për t’u hedhur në aventura të reja dhe interesante. Për beqarët parashikohen njohje të reja.

Peshorja: Situata sentimentale nuk parashikohet e mirë. Marrëdhënia me partnerin do të jetë e luhatshme. Në ditët në vazhdim do të ketë kriza xhelozie. Dita e enjte dhe e premte janë më të përshtatshmet për të sqaruar dyshimet tuaja. Për sa i përket aspektit profesional duket se gjithçka do të shkojë mirë.

Akrepi: Java do të jetë e mbarë dhe gjithçka do të shkojë ashtu siç ju dëshironi. Mbase do t’ju duhet të bëni ndonjë kompromis, por mos bëni panik, sepse shumë shpejt do të arrini atë që dëshironi.

Në punë do të hasni pengesa që duhet të përpiqeni t’i kapërceni. Për fat fundjava do të jetë e mbushur me emocione.

Shigjetari: Do të fillojë për ju një periudhë e favorshme gjatë së cilës do ta merrni veten dhe do të rifitoni energjitë e humbura. Gjatë ditëve të para të javës do të jeni shumë me fat, ndërsa të enjten dhe të premten do të hasni ndonjë pengesë.

Do t’ju duhet që gjatë ditëve në vazhdim të tregoheni të duruar dhe të mos bini pre e provokimeve, sidomos kur bëhet fjalë për punën.

Bricjapi: Venusi nuk ju favorizon dhe kjo do të reflektohet në jetën tuaj sentimentale. Duhet të dilni nga rutina që duket vetëm sikur ju prish humorin. Keni vendosur ta shkarkoni tensionin në punë, duke u angazhuar në maksimum për realizimin e projekteve.

Për fat, shumë shpejt do t’ju shprehin përgëzimet. Fundjava parashikohet të jetë e qetë.

Ujori: Mërkuri do të jetë i vendosur në pozicion të pafavorshëm për shenjën tuaj. Do të ketë ditë të vështira, por nuk duhet ta humbni besimin.

Shmangini temat delikate me partnerin, në mënyrë që të mos hyni në polemika të kota. Këshillohet që të bëni kujdes në marrëdhëniet me kolegët. Në fundjavë do ta merrni veten.

Peshqit: Të lindurit e kësaj shenje këtë javë do të përjetojnë emocione të bukura. Pas një periudhe të mbushur me probleme sentimentale, do të gjeni më në fund qetësinë e humbur.

Marrëdhënia juaj do të marrë një kthesë që do të kulmojë sidomos në fundjavë. Mos e humbni qetësinë nëse shikoni se diçka nuk shkon, sepse bëhet fjalë për një gjendje kalimtare.

MUND TË JU PËLQEJNË