Vala

Grindesh, ngre zëri, ofendohesh dhe rri pa folur për disa ditë, ose muaj. Në shumë vite martesë mund të ndodhë që të kesh përplasje të vazhdueshme me partnerin. Po çfarë efekti kanë në shëndetin tonë, sidomos nëse zgjasin në kohë? Një studim, i publikuar në revistën “Emotion”, është munduar ta zbulojë. Çiftet që kanë marrë pjesë, janë vëzhguar për 20 vite: më aktivët gjatë grindjeve kanë raportuar probleme me zemrën dhe tensionin, kurse ata që i fshihnin ndjenjat, kanë shfaqur probleme me muskulaturën dhe kockat, dhembje shpine dhe koke.

Shkencëtarët e Northwestern University kanë ndjekur 156 çifte që vinin nga e njëjta zonë San Francisco-s për 20 vjet, duke nisur nga viti 1989. Katër herë, gjatë vëzhgimit, janë testuar në laborator nga kërkuesit dhe u janë përgjigjur disa pyetjeve mbi ecurinë e marrëdhënies së tyre. Gjatë diskutimeve, një kamera i xhironte, për të regjistruar emocionet si inatin, shqetësimin, ankthin.

Pasi mblodhën të dhëna edhe për gjendjen shëndetësore, studiuesit dolën në përfundimin që nëse burrat nevrikoseshin shpesh, 80 për qind kishin probleme kardiovaskulare dhe nëse e mbanin gjithë inatin brenda, 40 për qind raportonin probleme me kockat. Ndërsa për gratë nuk u vë re i njëjti raport mes emocioneve dhe simptomave.

Edhe pse studimi është bërë për një kohë të gjatë, nuk ka asnjë provë të sigurt që vërteton që ato sëmundje janë zhvilluar detyrimisht nga konfliktet me partnerin: kjo është një hipotezë, por nuk është e vetmja. Mund të interpretohet edhe në të kundërt: kush ka këto probleme shëndetësore, mund të jetë më i prirur për t’u nevrikosur. Megjithatë, studimi tregon që marrëdhënia me personin që zgjedhim të ndajmë jetën, ka një ndikim të fortë në shëndetin tonë.

MUND TË JU PËLQEJNË