Drejtori shumëvjeçar i Policisë së Kosovës e tash së fundmi edhe i Agjencisë së Inteligjencës, Shpend Maxhuni, ka vendosur që të mos e presë në zyrën e tij zgjedhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit.

Ai sot ka dhënë dorëheqje të befasishme nga pozita që mbante, duke u hapur kështu rrugë ndryshimeve rrënjësore në fushën e sigurisë, gjë e cila deri më sot kontrollohej plotësisht nga presidenti Thaçi. Mbetet të shihet cili do të jetë tash reagimi i atij të cilin VV-ja e cilëson si “lepur”, Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i Shtetit.

Shpend Maxhuni sa ishte drejtor i Policisë është akuzuar vazhdimisht nga Vetëvendosja për dhunë ndaj aktivistëve, për vjedhjen në dhomën e dëshmive, madje edhe për lidhje familjare me regjimin serb. Kurse, kur ai erdhi në postin e shefit të AKI-së, Vetëvendosja e akuzoi për lidhje direkte me presidentin Thaçi dhe shkelje të rënda në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Si rrjedhojë e kësaj historie, duket se Maxhuni ka vendosur ta lëshojë zyrën dhe të mos jetë aty ditën kur Albin Kurti të votohet në Kuvend, si kryeministër i Kosovës.

Dorëheqja e Maxhunit u konfirmua nga kryeministri në detyrë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

“Kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, z. Shpend Maxhuni, nga funksioni i tij në krye të Inteligjencës kosovare”, shkruan kryeministri.

“Z. Maxhunin e falënderova për bashkëpunimin profesional të deritashëm në mbrojtjen e sigurisë së vendit dhe popullit tonë”.

Haaradinaj çmon kontributin e deritashëm të Maxhunit në krye të AKI-së, për ç’gjë ai edhe e ka dekoruar atë.

“Për kontributin e tij në obligimet shtetërore dhe Institucionale e dekorova z. Maxhunin me Medaljen e Skënderbeut, me motivacionin për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut”, thuhet në postim.

“Gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës është angazhuar pandalë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe institucionet e sigurisë. Në këtë angazhim, roli i z. Maxhunit ka qenë i rëndësisë së veçantë dhe sot, AKI është një ndër institucionet më profesionale dhe më kredibile në vend dhe më gjerë”, përfundon postimi i Kryeministrit.

Fitorja e Vetëvendosjes duket se ka shkaktuar dridhje në hierarkinë e lartë të organeve të sigurisë, meqenëse kjo parti kryetemë të fushatës i ka pasur pikërisht udhëheqësit e këtyre institucioneve.

Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë ditëve të ardhshme Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i Shtetit, i cili njëherësh është mik i ngushtë i Shpend Maxhunit.

MUND TË JU PËLQEJNË