Një shtetas britanik është në mesin e katër personave të vdekur në anijen “Zaandam”, e cila nuk po arrin të sigurojë leje për ankorim në shtetet e Amerikës së Mesme.
Në atë që po përshkruhet si krizë humanitare në rritje, deri më tani është konfirmuar se dy nga katër personat e vdekur kanë qenë të infektuar me koronavirus. Nëntë pasagjerë kanë dalë pozitivë në teste dhe rreth 190 kanë raportuar simptoma si të gripit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Njëri nga pasagjerët e ndjerë është nga Britania e Madhe. Për shkak të ligjeve amerikane, ne nuk mund të ofrojmë hollësi të tjera mjekësore”, tha një zëdhënës i kompanisë që operon me anijen e ngujuar.
Anija “Zaandam”, në të cilën ndodhen mbi 200 shtetas britanikë, e kaloi Kanalin e Panamasë të hënën pasi i ishte mohuar ankorimi në disa porte detare. Drejtuesit e saj po kërkojnë që anija të ankorohet në Florida të Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj jave.
Megjithatë, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, deri më tani ka ngurruar ta lejojë ankorimin e anjes me mbi një mijë pasagjerë në brigjet e shtetit amerikan që ai e udhëheq.