Vala

Harrohen njerëzit e varfër.
Harrohen edhe profesorët, mjekët dhe intelektualët e tjerë…

Harrohen ata që nuk duan të përlyhen, ata të cilët po e fitojnë bukën me djersë.

E, vendi ynë nuk është i varfër, por varfërinë po e rrisin ata që i votuam. Kjo edhe është tragjedia jonë, e cila vazhdon të rrënojë çdo gjë.

Ditë më parë takova moshatarin e lagjes sime, Rrahimin, të cilin nuk e kisha parë moti.
E pyes: “Si kalon? Si i ke hallet?”.

Ai, duke belbëzuar, përgjigjet:
“Eja në shtëpinë time dhe shihi fëmijët e mi! Ata të tregojnë si i kam hallet, si jetoj…

Por, mos harro, më vjen keq, merre një bukë me vete, ngase fëmijët, si të shohin, mendojnë se u ke sjellë bukë!”.

Këto fjalë më shqetësuan dhe natën që vijoi më lanë pa gjumë. Mezi prita mëngjesin për të shkuar te im moshatar i lagjes sime.

U ndala në një market dhe bleva disa bukë dhe artikuj të tjerë ushqimorë.

Gjatë rrugës për në shtëpinë e tij, më shkuan sytë në shtyllën ku vendosen përkujtimet. Në çast shtangem…
“Lajmërohen miqtë dhe shokët se sot vdiq Rrahim…”.

Personi që ishte afër meje më tregoi se Rrahimi ishte vetëvrarë…

Vetëvrasja jo e parë dhe as e fundit e një skamnori, e që përditë e më shumë po shtohen te ne, në Kosovën e lirë!

Tashmë është bërë edhe dukuri, gati e çdoditshme kjo…
E, bile këtë nuk e kemi pasur… Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË