Kosova po zbrazet?! Seç tingëllon trishtueshëm kjo fjali e cila fatkeqësisht pasqyron realitetin në Kosovë që po jetësohet dekadë pas dekade.

Secili njeri pretendon që t’i realizoj synimet e veta në jetë, duke mundësuar kështu zhvillimin dhe përmirësimin e vendit.

E që do të krijohej një ambient i qetë dhe lehtë i qasshëm për një jetë normale, pa stërmundime e vështirësish, shkruan “Kosovarja”.

Por, kur vendi yt, të cilin e do më shumë se gjithçka tjetër është i politizuar në çdo aspekt të jetës, kur diploma mbetet vetëm një copë letër, kur nderi ngelë vetëm një fjalë lavdëruese, kur fjala e drejtë përçmohet e vlerësohet e kota, kur nepotizmi është “sektori” i vetëm i zhvilluar, atëherë nuk mbetet tjetër vetëm se të kërkosh për vete një zgjidhje më të mirë.

Të tillë ndihen me qindra-mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët çdo ditë e më shumë po ia mësyjnë tregut të jashtëm.

Karvanit të ikjes nga vendi po u prijnë qindra studentë mjekë, inxhinierë, ekonomistë, arkitektë e punëtorë krahu.

Ndonëse ikja e këtyre njerëzve të përgaditur profesionalisht i shkakton dëm Kosovës, më i dhimbshëm është fakti se nuk iu jepet hapësirë t’i shfaqin përgaditjet e tyre e të kontribojnë në zhvillimin ekonomik, social, shoqëror e politik.

Është pikërisht papunësia sfida më e madhe që po përballen mijëra studentë të cilët rrugëzgjidhje po e shohin ikjen nga Kosova, shkruan “Kosovarja”.

E pritjet e gjata para ambasadave po i kalojnë me lutje e shpresë.

Qytetarët kanë humbur besimin pothuajse në çdo institucion, në çdo udhëheqës politik dhe pothuajse në çdo njeri, të cilit i kanë besuar.

Fatkeqësisht, sot nuk bëhet një përpjekje për të jetuar por për të mbijetuar.

Sipas të dhënave zyrtare brenda 5 viteve, mbi 170 mijë qytetarë u larguan nga Kosova.

Numri më i madh i qytetarëve të cilët kanë migruar nga vendi në dhjetë vjetët e fundit ishte gjatë vitit 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë.

E rrjetet sociale duket sikur po u ndihmojnë qytetarëve të shkarkohen emocionalisht duke shfaqur indinjatën e tyre për papunësinë në veçanti e problemet tjera me të cilat po përballet vendi.

“Kosovarja” ka mbledhur disa mendime të qytetarëve nga rrjetet sociale, ku ata tregojnë arsyet pse i shtyjnë të braktisin vendin.

Shikoni dhe vlerësoni vetë! /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË