Vala

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, sot 20 vjet më parë kishte vizituar refugjatët kosovarë në Maqedoni.

Më 26 maj të 1999’s, Rugova ishte takuar me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, e me bashkëpunëtorë të tij, që asokohe ishin refugjatë në Maqedoni.

Një prej tyre ka qenë Muhamet Hamiti, i cili ka kujtuar vizitën e Rugovës në Maqedoni, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Kam kujtime të gjalla nga takimi me prijësin tonë atë ditë”, është shprehur ai në rrjetin social, në internet.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër po ashtu ka publikuar një videolajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press.

“Mbi të gjitha, siç shihet në këtë storie të Associated Press-it, Presidenti Ibrahim Rugova u prit me gëzim e brohoritje nga refugjatët kosovarë në Stenkovec”, ka shkruar Hamiti.

“Duke folur frengjisht e anglisht para gazetarëve të shumtë, Presidenti Rugova thotë se duhet të vendoset prani ndërkombëtare, trupa tokësore të NATO-s në Kosovë, për të krijuar kushtet që shqiptarët të mund të kthehen në atdheun e vet. Po punohet me mjete ushtarake e diplomatike që kjo të bëhet realitet, thotë Presidenti Rugova, duke u shprehur optimist për të ardhmen e popullit dhe vendit të vet”, ka thënë ai.

MUND TË JU PËLQEJNË