Fitore Pacolli, deputete e Vetëvendosjes, teksa u përpoq të ilustrojë shëndetësinë kosovare, dhe të akuzonte qeveritë e kaluara për dështim, përmendi se ‘Haradinaj paska dërguar për shërim jashtë vendit nënën e tij e së Isa Mustafa po ashtu shkoi jashtë vendit për shërim”. Tha se kryeministrat nuk do të duhej ta toleronin e ta bënin këtë gjë.
Në mesin e reagimeve të shumta ishte edhe ai i Isa Mustafës.
Por, një tjetër njeri i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ka reaguar. Këshilltari i tij, Durim Berisha ka treguar historinë e vdekjes së vajzës së tij në spitalin e Kosovës. Ka përmendur kushtet nëpër të cilat është përballë ato ditë. Duke treguar këtë histori e ka ndërlidhur me kohën kur Mustafa vuante nga një sëmundje dhe një kohë shkoi për shërim edhe në Gjermani.
“Kur Isa Mustafa e hap gojën rreth sistemit shëndetësor dhe mjekimit tonë, m’kujtohet që ato ditë kur i pati ardhur Aeroambulanca nga Austria që atë ta dërgon për shërim jashtë vendit, bashkëshortja ime pati sjellur në jetë vajzën tonë, Mjaltën. Nuk e harroj faktin se përpos medikamenteve, duhej blerë edhe shiringat që kushtojnë 2 cent”, ka shkruar Berisha.
Berisha ka treguar se për shkak të mungesës së kushteve vajza e tij e sapo lindur kishte vdekur.
“Mbi të gjitha nuk harrohen fjalët e Dr. Agronit që më pati thënë pak minuta pas lindjes së saj se “më vjen keq por vajza nuk do të mbijeton. Kudo në botë do të mbijetonte por jo në Kosovë. Nuk i kemi kushtet.” Ashtu edhe ndodhi, ajo ndërroi jetë dy ditë pas u lind, ndërsa këtij vazhdojmë t’ja shohim sherrin, se hajri s’ju ka pa kurrë”, ka shkruar Berisha.
“Ministrinë e Shëndetësisë e kanë udhëhequr vazhdimisht PDK dhe LDK, e ky e hap gojën.Isë, paloje!”, ka përfunduar postimin e tij, këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha.