Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në lidhje me planin franko-gjerman.
Ai ka thënë që Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.
“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri).
“E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha ai.
Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe pranohet vetëm me 6 kushtet të cilat janë paraqitur nga Kurti në seancën e kaluar.