“Mos qani për qumështin e derdhur

Të humburën nuk mund ta ktheni…”

Duke rilexuar librin me poezi “Shtëpia e sëmurë”, të krijuesit tonë të madh, Teki Dervishi, më erdhën shumë kujtime nga ndejat me të, të cilat edhe ma imponuan t’i shkruaj këto pak fjalë:

Shumë vdesin tepër vonë…

Disa vdesin tepër herët.

Ende dhe sot tingëllon e çuditshme, anormale, aforizma – vdis në kohën e duhur.

A thua, Teki Dervishi vdiq në kohën e duhur?
Thonë, disave u plaket në fillim zemra, e ca të tjerëve shpirti.

Tekiu ishte tepër i ndjeshëm në jetë, po edhe në realitetin e vrazhdë politik. E përjetonte rëndë pozitën e shqiptarëve, kudo që ndodheshin ata. E përjetonte gjithçka me ndjenjë:

“…deri kur kështu, a jetohet more vëlla kështu?!”, thoshte shpeshherë, derisa flitnim për përditshmërinë, që e hante pak nga pak, ia plaste zemrën…

Po, kështu, fliste me nervozë, duke sharë edhe në takimin e parë me të, në bufenë e gazetës së atëhershme “Flaka e Vëllazërimit”, në Shkup, tek punonte gazetar e redaktor i rubrikës së kulturës.

Ishte viti l970 kur bashkë me tim mik, Nexhat Halimin, kishim shkuar në Shkup, në redaksinë e asaj gazete për t’ia afruar disa poezi për botim.

Mimika e fytyrës së tij fliste mjaft, të jepte me kuptuar se kishe të bësh me një njeri që jeta i dha vuajtje qysh në moshë të re.

Dhe, e vërteta ishte kjo. Pak ditë pas vdekjes së tij, në një ndejë me Sabri Maxhunin (Novosellën), më mbetën në kujtesë fjalët e tij që i foli për Tekiun, për të cilin tha se ai ishte i burgosuri më i riu në Goli Otok, burgu më famëkeq në ish-Jugosllavi.

Ishte 17 vjeçar, por qëndrimi i tij na i lehtësonte vuajtjet edhe neve që ishim më të moshuar se ai.

Tekiun herët e poqi jeta… Tekiun herët e mori jeta… Ishte i thjeshtë në jetën private. I madh në krijimtarinë shqiptare. Ai pas la shumë, e që e bëjnë të pa vdekur.

Por, ne, a e harruam Teki Dervishin?
E, çka mund t’i japë jetës më shumë intelektuali, shkrimtari, poeti, publicisti, siç qe Teki Dervishi?

Po dhe jeta çka i dha atij?
Zhgënjimin, pikëllimin!

E bëri jetën, pothuajse, duke vuajtur, duke sharë, duke bërtitur në ndeja, në kafene, në gazeta, në libra…
A e ka kuptuar kush?

Jetoi mirë a keq?

Kush e ka pyetur?

Ç’je nisur për në Bregun e Pikëllimit?

A do arrish?

Po, megjithatë, Ai vajti përtej pikëllimit…

E thoshte AI:
E merrni me mend, pra

Sa vështirë e kam:

Duhet të krijoj përreth vetes

Kohës

Hapësirës

Njerëzit

Sendet që s’janë më…

E, a thua, pse im mik, i madhi Teki Dervishi, e lë amanet:
Më varrosni

Vetëm vëllai im

Vetëm motra ime

Vetëm fëmijët e mi

Nuk dua kortezh mëkatarësh

Vajtime fajdexhinjsh nuk dua

Lot kriminelesh të bien të qetë

Mos më mbuloni me dhe hipokritesh

Ikën tetë vite pa ty imi mik.
Po mungon më shumë se asnjëherë jo vetëm në letrat shqipe. Po mungon në kohë, të cilën ti padyshim do ta shaje, nga se gjithçka , kudo është përfshirë nga mediokriteti…

Eh, i papërsëritshmi, i pazëvendësueshmi, i madhi Teki Dervishi. Gani Dili / Kosovarja /

MUND TË JU PËLQEJNË