Balloja e mbajtur në Cyrih, ku promovohet fryma sipërmarrëse dhe nderohen arritjet e bashkëardhetarëve tanë, ka mbledhur në një vend shqiptarë të suksesshëm gjithandej.
I pranishëm në këtë ngjarje, ishte edhe Lazim Destani, një nga shqiptarët më të suksesshëm në botën e biznesit, me të arritura në nivel internacional.
Për këtë tubim me rëndësi, ka shkruar vetë Destani në hapësirat e tij në rrjete sociale.
“Mbrëmë pata kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në një ngjarje të shkëlqyeshme në mesin e komunitetit tonë në Zvicër. Ishte kjo balloja që u mbajt në Cyrih nën organizimin e Swissalbs, një organizatë me seli në Cyrih që synon promovimin e frymës sipërmarrëse dhe nderon arritjet e jashtëzakonshme të bashkatdhetarëve tanë. Në eventin e mbrëmshëm përpara një auditori të gjerë, në një atmosferë të bukur festive me program të pasur kulturo-artistik, u nda çmimi vjetor ‘Ndërmarrës i Vitit’.
Ishte ky një rast i këndshëm ku takova personalitete të shquara shqiptare nga fusha e biznesit, shkencës, artit, kulturës, mediave dhe e politikës. Këtu po e veçoj takimin me deputetin e parë shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Islam Alijaj, një njeri me integritet dhe ambicioz për realizimin e synimeve të tij në karrierë e në jetë. Ndërsa ishte solisti i njohur, strugani Selami Kolonja, i cili me interpretimin e tij i dha bukuri të veçantë këtij aktiviteti.
E përgëzoj për aktivitetet si dhe e falënderoj gjithë Grupin Swissalbs për ftesën, nderimin dhe për kënaqësinë që gjeta në këtë mbrëmje të bukur”.