Më ka rënë ta dëgjoj në emisionet festive të Vitit të Ri me këngë të lehta qytetare. Më ka rënë ta dëgjojë edhe në cilësinë e tenorit në këndimin e operave të njohura, por nuk e kam ditur se ai lë mbresë të pashlyeshme me këngët e tij edhe në dasma. Dhe, nxora një konstatim: Një tenor që këndon opera, këngët e dasmave i kallë krejt, shkruan “Kosovarja”.

Liridon Sadriu, i lindur e rritur në Talinovc të Muhaxhirëve të Ferizajt, është anëtar i Filarmonisë së Kosovës dhe tashmë vlerësohet nga kritika për bukurinë vokale, stilin dhe ekspertizën teknike, një talent i theksuar për moshën e tij të re.

Liridoni e filloi udhëtimin si një ëndërr drejt artit, në veçanti operës, ndërsa sot është një pjesë e rëndësishme e tyre.

“Zanafilla ime për rrugën drejt suksesit ka qenë që nga fëmijëria. Meqenëse kam të kryer shkollën fillore dhe të mesme të muzikës, gjithashtu edhe fakultetin, kuptohet se zëri sa vjen dhe merr pjekurinë e duhur për interpretimin sa më të dinjitetshëm të muzikës lirike”, thotë Liridoni.

Pa dyshim, për të opera mbetët një nga zhanret më të mrekullueshme.

“Meqenëse që nga fëmijëria më ka shoqëruar talenti për muzikë, me kohë jam orientuar dhe kanalizuar në profilin e muzikës operistike. Një tenor të suksesshëm mendoj se e bën puna e pandërprerë dhe përkushtimi i madh ndaj profesionit.

Një shembull apo tenor, ndër më të mirët në skenën botërore të operës, që më ka influencuar, e që unë të merrem me këtë lloj të muzikës operistike, ka qenë tenori Luciano Pavaroti”, shprehet ai.

S’ka momente të vështira për të…

Për tenorin Liridon Sadriun nuk ka pasur asnjë moment të vështirë, meqë me talentin që ka dhe punën e pareshtur ka arritur t’i tejkalojë vështirësitë.

Liridoni, pra, është një artist që, mbi të gjitha, lë pas të gjitha sakrificat dhe vështirësitë që janë pafund sot në Kosovë dhe përpiqet të ecë përpara, të triumfojë, që zëri i tij të dëgjohet deri në kupë të qiellit.

“Prej momenteve më të rëndësishme në karrierën time ishte ftesa që mu bë nga organizatori i koncertit “3 Tenorët”, z. Edmond Tullumani, koncert ky që u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, e ku pata fatin të këndoj së bashku me dy miqtë e mi, njëherësh tenorë të mrekullueshëm, Ramë Lahaj dhe Faik Hondozi, të dy nga Kosova”, thotë ai.

Si më lindi ideja për këtë shkrim?

Ditë më parë isha pjesëmarrës në një dasmë të madhe që u organizua në restorantin “Agi 3” në Lipjan. Me zërin e tij kumbues, me këngë të zgjedhura e të mirëfillta shqipe, Liridon Sadriu bëri që atmosfera që u krijua në atë dasmë të mbahet gjatë kohë në mend.

Shkurt e shqip, më kishte marrë malli të dëgjoja këngë si ato që i këndoi atë natë të paharruar Liridon Sadriu… Isa ILAZI /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË