Vala

“Njeriu është e vetmja kafshë që provokon dhembje për të tjerët, pa qëllim tjetër përveç dhimbjes si të tillë”. (A. Shopenhauer)

Qytetari përditë e ka luftë…
Qytetarët kanë filluar haptas t’i quajnë qeveritarët dhe parlamentarët njerëz egoistë, që mendojnë vetëm për vetvete, e nuk shqetësohen për të tjerët, duke i vënë interesat vetjake mbi interesat e shoqërisë.

Ata ankohen për pagat e tyre, e që ua kalojnë kolegëve në vendet shumë më të zhvilluara sesa Kosova!

Përmendin beneficionet: veturat, drekat e darkat, e shumë e shumë gjëra të tjera, që kolegët e tyre rajonalë nuk i kanë.

Qytetarët kanë filluar gjithnjë e më shumë t’ua përmendin premtimet që ata i dhanë derisa fituan votën…

E, premtimet ata shpejt i harruan!

Kurse, qytetari i ngratë përditë e ka luftë…

Taksisti
Më rastisi të udhëtoja me taksi nëpër qytet.
Dhe, si zakonisht, për të mos i kaluar ato çaste në heshtje, me taksistin ndërrova disa fjalë…

“A lodhesh? A ke punë? A mërzitesh duke pritur?”, i them unë.

“E, çfarë e mire i thonë kësaj, o zotëri?!” – ma ktheu ai.

“Pse?” – i them.

“Liri po, por edhe varfëri sa të duash! E, dikush përparon brenda natës, kurse shumëkush e mallkon veten pse është gjallë!
E, ç’i thonë kësaj?! Populli varfërohet, pushtetarët pasurohen!
Por, më së vështiri po e kam në mëngjes…”, më thotë ai.

“Pse?”.
“Se, përditë zgjohem pa vullnet, pa motiv, i mërzitur për ditën e sotme e jo për të nesërmen…”, flet ai dhe vazhdon: “Për të sotmen – si ta fitoj bukën për fëmijë, të cilëve, edhe pse jemi në liri, ka kohë që nuk ua shoh buzëqeshjen!”.

E popullit
I thanë thëllëzës:
“Këndo si bilbili!”.
“Nuk di!”, tha ajo.
“Këndo, o të shkoi koka!”

Thëllëza s’gjeti rrugëdalje dhe ia nisi këngës si bilbili…

I thanë, pastaj, thëllëzës:
“Këndo si turreci!”.
“Nuk di!” – ua ktheu thëllëza.
“Këndo, o të shkoi koka!”.

E, thëllëza e shkretë, ia nisi këngës si turreci…

Pastaj, me zor iu desh të këndojë edhe këngë të shpendëve të tjerë…

Dhe, në fund, i thanë:
“Tash këndo këngën tënde!”.
“Më vrisni, nuk mundem!”.
“Si? Pse?”.

“Duke i kënduar këngët e huaja e harrova këngën time! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË