Askush, përveç medieve, nuk merret me skandalet që ndodhin në shtetin e Republikës së Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Skandalet në Kosovën e pasluftës kanë qenë të pranishme shumë, por kohëve të fundit janë bërë të përditshme! Mund të besojmë se Kadri Veseli nuk është përfshirë në fajde e ryshfete, meqë po deklarohet për zbardhjen e aferës me spitalin.

Mund të besojmë se nuk është përfshirë aty as Xhavit Haliti, të cilit iu përmend emri!

Por, ka diçka që nuk mund t’i besohet drejtësisë kosovare, e ajo është fakti se gjërat kanë ndodhur para gjashtë vitesh!

Nuk mund të besojmë pse presidenti i shtetit tha se Kadri Veseli nuk është përfshirë në fajde dhe ne po besojmë njëjtë që nuk është përfshirë.

Në rrethana normale, kur dikush nuk është i përfshirë, presidenti e ka për obligim t’i kërkojë drejtësisë që gjërat të shkojnë përpara me prova, por jo edhe me deklarata politike.

Ndodhi komprometimi i shtetit me foton e publikuar nga deputetja Flora Brovina, një dëm që iu shkaktua shtetit në mënyrën më të papërgjegjshme dhe askush nuk shkoi në përgjegjësi!

Normalisht, dorëheqja e deputetes do kishte qenë satisfaksioni më adekuat për një gjest të tillë, e që u shndërrua në lajm tronditës, i cili lajm i dha mundësi Serbisë të ironizojë në rrjete sociale me dhunimet ndaj femrave shqiptare në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999!

Ndodhi rasti i aferës “Tokat”, ku u përfshi Azem Syla, një emër me ndikim në PDK dhe, çuditërisht, akoma nuk ka verdikt juridik, ashtu sikur për aferën “Pronto”!

Flitet nja tri ditë për secilën aferë dhe heshtet, sikur të mos kishte ndodhur gjë! Dhe, asnjë dorëheqje nuk ndodh në Kosovë, sepse ndodh çka ndodh dhe askush nuk ndjehet fajtor për asgjë!

Politika e ka falimentuar Postë-Telekomin e Kosovës, por askush nuk jep asnjë llogari për një kompani, e cila i ka dhënë shtetit aq shumë buxhet e tani ka rënë në gjunjë!

Ndodhën dhe ndodhin gjithë ato punësime, janë mbushur ministritë me të punësuar nga politika, janë mbushur edhe zyrat që po falimentojnë, por askush nuk e ndanë mendjen për ndonjë dorëheqje.

Të mos flasim më për vjedhjen e dhomës së dëshmive në Prishtinë, ku u vodh droga e rasti i vjedhjes së arit në Pejë, apo edhe mbytja e dy fëmijëve në puset e ujit në Kolovicë, ku firmat kishin bërë mihje pa leje!

Pastaj, lëre këta që janë në pushtet, por edhe fëmija e tyre kanë nisur t’i rrahin zyrtarët e shtetit dhe askush nuk jep dorëheqje!

Zyrtarët e lartë të shtetit, apo “peshqit e mëdhenj”, po e kuptojnë se po e pastrojnë veten, vetëm duke deklaruar me gojë e duke thënë se e dënojnë këtë e atë problem!

Dhe, çka duhet të ndodhë në këtë shtet akoma që dikush të japë përgjegjësi?

Lufta për pushtet dhe rrahjet nëpër parti!
Gjërat marrin tatëpjetën sa herë ndodhin zgjedhjet apo fushata elektorale nëpër parti.

Shihni se çka po ndodhë në LDK! Shihni si largohen njerëzit nga një parti në tjetrën, në kërkim të interesit personal dhe nepotik!

Madje, për të gjitha këto, zyrtarë të lartë shtetërorë fajësojnë njëri-tjetrin për ndërhyrje. “Vetëvendosja” fajëson SHIK-un, LDK-ja fajëson PDK-në për rrahjet në këtë parti dhe nëse krejt këto gjëra i bën PDK-ja, atëherë ajo është parti e fortë!

Andaj, kah po shkon shteti ynë kur askush nuk dorëhiqet për asnjë skandal, për asnjë aferë, pa marrë parasysh sa është ajo e madhe apo tronditëse!

Shteti është shtet kur ndihet përgjegjësia, sepse përgjegjësia prodhon dorëheqje për gabimet dhe kjo është gjëja më e mirë kur dikush jep dorëheqje sikur pat dhënë në një kohë Fatmir Rexhepi i LDK-së, kur ndodhën dy vrasje në një protestë të “Vetëvendosjes” nga policia rumune e UNMIK-ut! Safet Krivaça /Kosovarja/

Loading...

MUND TË JU PËLQEJNË