Ngjarja e ka zanafillën nga koha e muhaxhirisë. Ishte dimër i fortë dhe bora kishte arritur lartësinë deri në brez, kur çetnikët ishin futur në fshat dhe i kishin dëbuar banorët e Kastratit. Dhe, stërnipi i plakut të dëbuar, Dervishi, flet në hollësi nga ajo që i kishte treguar gjyshi i tij, shkruan “Kosovarja”.

Rrëfimi është rrëqethës dhe me shumë sfida. Në Kastrat, e që sot i takon hartës së Serbisë, kishte nisur tregimi. Familja i kishte 15 anëtarë. I zoti i shtëpisë me të shoqen dhe djali i tyre me familjen e tij dëbohen nga fshati nga çetnikët. Dy fëmijë të tyre kishin mbetur në shtëpinë tjetër, në pamundësi që t’i bashkoheshin familjes.

E ëma e fëmijëve të mbetur në fshat kishte këmbëngulur të kthehej dhe t’i merrte fëmijët, por çetnikët e kishin rrahur me kondak pushke aq sa edhe e kishin lënë të vdekur.

Dy fëmijët e saj të mbetur në fshat ishin gjetur pas dy ditësh te koka e saj, të ngrirë nga acari.

Por, e keqja nuk kishte përfunduar me kaq. Rrugës për në Kosovë, nga të ftohtit, kishin vdekur edhe dy fëmijë të tjerë. Kufomat e tyre kishin mbetur në rrugë.

Zhdukja e një familje brenda pak muajsh…
Në fund të atij dimri, familja e dëbuar, e që kishte arritur e përgjysmuar në Kosovë, ishte vendosur në vendin “Kuqina e Ograxhës”, në një shtëpi pa njerëz, të cilët ia kishin mësyrë Turqisë.

Thuhet se po në atë shtëpi gjatë verës kishte rënë murtaja dhe të gjithë anëtarët e familjes i merr vdekja.

Kështu, edhe shuhet familja muhaxhire, e cila nuk gjeti shpëtim as në Kosovë… S. M. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË