Tre fëmijë të sëmurë me Covid-19 po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në QKUK. Kështu është bërë e ditur në raportin e SHSKUK-së për pacientët e prekur me Covid-19. Ndërkohë gjatë ditës së sotme IKShPK ka bërë të ditur se janë edhe 239 kosovarë që janë prekur nga Covid-19 si dhe 7 persona të tjerë kanë ndërruar jetë.
Megjithëkëtë, sa i përket gjendjes së këtyre fëmijëve që janë të konfirmuar me Covid-19 e që gjenden në Pediatrinë e QKUK-së, Drejtoresha e Klinikës Dr. Drita Telaku ka deklaruar për Gazetën Shneta se fëmijët janë në gjendje stabile.
“Fëmijët janë në gjendje stabile, janë duke u trajtuar me terapi. Nuk janë me oksigjen”, ka thënë Telaku.
Ajo ka treguar se njëri nga fëmijët është i moshës 2-vjeçare, njëri 5 dhe tjetri 13-vjeçar. Deri më tani në Kosovë nuk dihet numri i saktë i fëmijëve të sëmurë me Covid-19, ndërsa dy foshnja të porsalindura kanë qenë të infektuara por fatmirësisht janë shëruar.