Vala

(Ose maratona e sukseseve të Bekim Brestovcit në Gjermani brenda një libri biografik…), shkruan “Kosovarja”.

Gjatë muajit maj lexuesit shqiptarë do i vjen në dorë një libër i veçantë, me një personazh të veçantë dhe me një temë, gjithashtu, të veçantë.

Nuk është thënë kot sa e sa herë se jeta shkruan romane. Një rrëfim jete si një roman vjen në librin “Fati, guximi dhe suksesi” të Bekim Brestovcit.

Autori i librit, një intelektual dhe një biznesmen i suksesshëm në Gjermani, në pronësi të të cilit qëndrojnë 11 firma me mbi 1000 punëtorë. Firmat i realizoi dhe i funksionalizmi për 25 vite në mërgim.

Bekim Brestovci, si rrëfyes i jetëshkrimit të tij, ka përfshirë shumë personazhe që lidhen me jetën e tij, që nga fëmijëria e hershme, nga jeta shkollore, nga jeta nën pushtimin serb, nga udhët e mërgimit, nga qëndrimi në Gjermani dhe sukseset elite në biznes dhe në ngritje profesionale në këtë shtet.

Për lexuesit ua ofrojmë një pjesë të parathënies, të shkruar nga shkrimtari e publicisti Faruk Tasholli, të bërë për këtë libër biografik, i cili veç është në proces të shtypit.

Duke i bërë këta pak rreshta, për ta orientuar pak a shumë lexuesin, që të hyjë në këtë libër autobiografik të Bekim Brestovcit, më shkoi mendja t’i bëj dy krahasime me fenomene mitologjike dhe biologjike për ta definuar portretin e mërgimtarit.

Ashtu si luledielli që tërë ditën, nga mëngjesi deri në mbrëmje, e mbanë kurorën në drejtim të diellit, edhe mërgimtari shqiptar e mbanë shpirtin drejt Kosovës.

Po ashtu, mërgimtari shqiptar sot, gjithmonë, e mbanë si plagë në vete kthimin në atdhe, ashtu si Odiseu në Itakë pas shumë vitesh, apo si Konstandini i Vogëlith a Aga Imeri, si i njohim nga baladat e moçme shqiptare.

Dhe, ashtu si jetojnë këto mite në ndërgjegjen e njerëzve, i njëjtë është edhe miti i kthimit të mërgimtarit në atdhe, qoftë si qenie fizike, qoftë me gjithë të mirat që i mbledhë nëpër botë.

Këtë mit, për vete, Bekim Brestovci e bën realitet. Ai i rikthehet Kosovës pas 25 vitesh mërgim, me një bagazh të paparë suksesi për rrethanat tona.

Kthimi i Bekim Brestovcit definitivisht për të jetuar e vepruar në Kosovë, është edhe një rinjohje e jona me të, pikërisht si rinjohja e Odiseut dhe e Aga Imerit.

Derisa i pari njihet nga plaga që ia kishte shkaktuar një derr i egër gjatë gjahut sa ishte i ri në Itakë, Aga Imeri rinjihet nga shenja në llërë, që i ka shkaktuar kafshimi i kalit, para se të nisej ushtar për nëntë vjet.

Ndërkaq, në këtë paralelizëm, Bekim Brestovci rinjihet nga plagët e shpirtit që në një orë të historisë ia shkaktoi gjendja e rëndë e atdheut.

Ai në një realitet modern, rikthehet si pjesëtar i mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, ku, në dy dekadat e fundit, janë ngritur dhe zhvilluar qindra intelektualë nëpër universitetet më prestigjioze, por edhe shumë afaristë kanë krijuar qindra biznese me renome.

Një shembull të tillë, pa dyshim, e ofron edhe Bekim Brestovci, me jetëshkrimin besnik brenda librit të tij “Fati, guximi dhe suksesi”, që është edhe një model dhe udhërrëfim edhe për njerëzit që synojnë suksesin në jetë e në biznes./Kosovarja/

Loading...

MUND TË JU PËLQEJNË