Një mjek dhe një farmacist nga Podujeva kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.
Burimet bëjnë të ditur se njëri nga të infektuarit është një mjek i njohur në Podujevë i cili ka ordinancë private dhe një farmacist i cili ka barnatoren e tij. Ordinanca dhe barnatorja janë afër njëra tjetrës dhe dyshohet se ato i kanë frekuentuar shumë qytetarë së fundi.
Mbrëmë janë konfirmuar edhe 37 raste të reja të infektuar me COVID-19 në disa prej komunave të Kosovës.
Në mesin e këtyre janë edhe katër persona nga komuna e Podujevës, të cilët u konfirmuan si pozitiv me koronavirus.
Ndryshe Kosova po vazhdon të përballet me situatën e krijuar pandemike, ku numri i të infektuarve ka arritur në afro 600, saktësisht 598 me 123 të shëruar si dhe me 16 viktima, ku e fundit u konfirmua sot një 40 vjeçare shtatzënë.
Institucionet përkatëse shëndetësore vazhdojnë që të bëjnë thirrje për respektim të vendimeve të marra për të parandaluar këtë virus, për mbajtje të higjienës si dhe për kontakt sa më të vogël me njëri-tjetrin, në mënyrë që kjo pandemi të përfundojë me një numër sa më të vogël të të infektuarve dhe të viktimave.