Një muaj paraburgim i është caktuar Flori Beqirajt, i dyshuar për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, në mbrëmjen e së martës në Pejë.
Telegrafi mëson se në seancën e së shtunës në Gjykatën Themelore në Pejë, Beqiraj e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre penale dhe ka deklaruar se gjatë kryerjes së veprës ka qenë nën ndikim të alkoolit.
Të njëjtën e ka deklaruar edhe avokati i tij mbrojtës, Adem Gorani, i cili ka kërkuar që klientit të tij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten mbrëma një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës.
Viktima Mrika Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtar i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.