Kanë kaluar shumë e shumë vite. Motra ka filluar të plaket. Sa herë vjen e shikoj me kureshtje. Më duket sikur ajo nuk jeton në vitin 2019, por dhjetëra vite më herët, shkruan “Kosovarja”.

Më duket sikur ende e ka shaminë në kokë. Më shkon goja ta pyes: Motër, ku e ke shaminë që të varej mbi sy? Ku e ke mindilin që dikur i fshije lotët? Ku i ke këngët që i këndoje? Ku e ke përqafimin e ngrohët që ma bëje mua e nënës?

Motër, më përqafo vetëm një herë si dikur, kur isha i vogël, sepse herë-herë me vite nuk po shihemi! Ti ke tretur si në këngët e nizamëve: përtej shtatë deteve, e unë kam mbetur këtu, në vendin e lotëve të dikurshëm!

Më përqafo, të lutem, si në kohën kur ishe me shami në kokë dhe ta kthejmë kohën pas… Më së miri është ta lëmë një amanet: të varrosemi te varret e luleve, aty ku janë edhe prindërit tanë.

Herën e fundit kur ishe erdhe me vajzën tënde. Ishte rritur e bërë grua ajo… Fliste për të dashurin e vet, të cilin herë e quante burrë e herë dashnor!

– A është burri a dashnori? – e pyeta unë.
Ajo më tha: – Burri.

– A jeni martuar?

– Jo, ende.

– A jeni fejuar?

– Jo, ende.

– A ta njehë familja “burrin”?

– Jo, ende.

– E, si mund të jetë ai burri yt: as nuk ta njehë familja, as nuk ka ndodhur fejesa, as nuk të ka bërë me dije në familje se do fejoheni? Jo, mbesa ime, burri është burrë vetëm pasi të jepet dora me burra. Pasi të keni bërë dasmë.

E, e jotja qenka dashuri dhe asgjë më shumë… Ti ende nuk po e dalloje burrin nga dashnori! Motra ime e di mirë se si shkohet te burri dhe si bëhet dikush gruaja e dikujt…

Por, tashmë nuk ka oda, nuk ka as burra të odave. Kanë vdekur të tillët dhe s’ka kush t’i tregojë këto gjëra… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË