Ende vazhdojmë të merremi e të humbim kohë pas disa gjërave, të cilat duhet t’i marrë era e së kaluarës.

Tash duhet të jetojmë me të sotmen, të cilën duhet ta bëjmë më të mirë, më të lumtur për secilin qytetar, se secili nga ne kemi dhënë për këtë ditë…

Të mendojmë se shumë qytetarë në Kosovë janë në varfëri të skajshme, shumë të tjerë në amulli për të ardhmen, e shumë e shumë të tjerë s’dinë ç’të bëjnë, sepse elita politike, thuajse secila që po vjen tash e 20 vjet, po sjellë e po lë pasoja nga korrupsioni, keqmenaxhimi, si dhe shumë gjëra të tjera.

E kanë tepruar edhe me tërpinë e pushtetit apo tërpinë për pushtet dhe lakmi të tjera…

Duhet hequr qafesh këtë sindromë të etjes pas karriges, pas qejfeve, pas parasë, sepse nuk mund të jesh i pasur në mesin e të varfërve dhe britmave të tjera për jetë, ekzistencë.

Shumë ngjarje të së kaluarës sonë na mësojnë se si e sa duhet të jemi të vëmendshëm sot për të ardhmen.

Se, Kosova mund të mposhtet po qe se do i mungojë “qëndresa e përbashkët”.

Konica, me të drejtë, shkruante dhe me dhimbje se “Tragjedia e shqiptarëve si komb fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.

Dhe, deri kur do të mendojmë dhe do të veprojmë si të ishim gjashtë popuj dhe t’i kishim gjashtë çështje?!

Ndoshta, pikërisht, në përgjigjen e kësaj gjendet edhe çelësi ynë i së ardhmes si popull dhe si komb, i cili, mjerisht, po rritet si numër e po tkurret si substancë!

Babagjyshi para se të vdiste: “S’po më dhimbet jeta, po s’po di qysh po mbetet Kosova?!”. Vdiq syçelë.

Baba para se të vdiste: “Merak po m’jetë veç qysh po mbetet Kosova?!”. Edhe ky vdiq syçelë.

E unë…? Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË