Vala

Në ditët e sotme në Kosovë qeveritarët tanë luajnë me popullin si macja me miun. Në Kuvend qeveritarët dhe deputetët sorollatën, herë-herë edhe nuk marrin fare pjesë në mbledhjet e Kuvendit, ndërsa popullata bredhë rrugëve të kryeqytetit, veçmas në qendër, si në kohën e “Protestave 89”, e të tjerë lypin lëmoshë për të siguruar kafshatën e gojës, shkruan “Kosovarja”.

Në ditët e sotme nuk është rastësi që posa të ulesh në njërën nga kafiteritë, për të pirë kafenë e mëngjesit, pranë tavoline të zgjatet një dorë e njomë, e plasaritur nga era, që kërkon t’ia lëshosh në shuplakë të dorës ndonjë metalik. Dhe, është tejet rrëqethëse atë dorë ta lëshosh pa asgjë…

Dhe, derisa moshatarët e tij shkojnë në shkollë a lozin me lodra në kopshtet e fëmijëve, shëtisin me biçikleta, u gëzohen ditëve të fundjavës me prindër, te një vogëlush tjetër gjithçka është krejt më ndryshe.

Mjerimi atij ia ka ndërprerë ëndrrat fëmijërore. Zgjohet herët në mëngjes dhe del rrugëve të qytetit për të fituar ndonjë centë, për të siguruar bukën për familjen e tij.

A thua, a mbahet shtëpia ku zot i saj është një i mitur?

Por, si t’ia bësh ndryshe kur duhet jetuar?!
E, mjerimi po të provuaka gjithqysh…

Dhe, posa ta largosh shikimin nga ai djalosh, në cepin tjetër të rrugës sytë të zënë një grua jo aq të moshuar, e veshur me të zeza, si ato në Iran, e që në krahun e saj rri mbështetur një fëmijë 2 a 3 vjeç. Para tyre është një letër, në të cilën shkruan: “I kam 3 jetima…”.

Jeta e saj dhe e fëmijëve të saj varet nga kalimtarët e rastit dhe mëshira që kanë ata ndaj saj… Jeton me lëmoshë nga të tjerët. Sa e sheh në një kënd afër oborrit të Fakultetit Filozofik, sa e sheh në rrugën “Agim Ramadani”, sa e sheh afër Hotelit “Grand”…

Pra, tërë ditën me fëmijën në krah kërkon lëmoshë për vete dhe tre fëmijët e saj. E, kur bie muzgu, zhduket diku, në “strofullin” e saj, që nuk më ka rastis ta shoh…

Me siguri, pushon derisa të zbardhë dita dhe prapë vazhdon të rropatet me hallet e jetës…

E, qytetarët tanë sikur janë mërzitur me lypsarët, e që nuk janë të paktë në kryeqytet. Por, një gjë duhet ditur: edhe ata dëshirojnë të jetojnë si të tjerët po nuk kanë mundësi…

Edhe ata i kanë ëndrrat e tyre të jetës si të tjerët… Pa fije dyshimi, as atyre s’u pëlqen të jenë lypsarë, por…

Dhe, teksa i shkruaj këta pak rreshta, dashur e pa dashur mendja më shkon te deputetët tanë, të cilët më shumë sorollatën rrugëve sesa që marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit! Madje, mungojnë edhe në ato seanca ku diskutohet edhe për problemet madhore, e që mbesin pa marrjen e vendimeve, meqë mungon kuorumi!

E, popullata bredhë rrugëve pa fije shprese për ditë më të mira… Isa ILAZI /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË